Teatri “Skampa”, i vetmi objekt kulturor në qytetin e Elbasanit, i ndërtuar rreth viteve 1935, do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit.
Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi në mbledhjen e tij të radhës projektin për rikualifikimin e teatrit “Skampa”. I ndarë në tre faza projekti parashikon rikonstruksionin e ambienteve të brendshme të cilat janë të amortizuara, ngrohjen qendrore të godinës dhe fasadën.
Gjendja fizike e godinës së teatrit, fasadat dhe ambientet e brendshme janë tepër të amortizuara.
Rikonstruksioni i teatrit tashmë është emergjent pasi ambientet e brendshme pengojnë zhvillimin normal të aktiviteteve për shkak të degradimit të tyre. Po ashtu vendosja e izolimit akustik në sallën e orkestrës dhe baletit është nevojë emergjente pasi pengon kryerjen e aktiviteteve të artistëve.
Për t’u theksuar është fakti se mungon totalisht termoizolimi i strukturës, e po ashtu shtresat, rafinatura, dhe tualetet janë jashtë funksionit.
Godina e re do të shkojë përshtat gjithë ndryshimeve që ka pësuar qyteti, si dhe do të garantojë komoditet për artistët në punën e tyre dhe komoditet për artëdashësit.
Elbasanasit në historinë e tyre kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë se e duan artin dhe të bukurën.
Teatri “Skampa” (apo ish-kinema “Nacional”) në Elbasan është ndërtuar në vitet ’30 me financimin e Xhavit bej Biçakçiut si dhuratë e tij për qytetin.
U realizua nga arkitekti Halit Narazani dhe përfaqëson objektin më të rëndësishëm me funksion kulturor në qytetin e Elbasanit. Ka një kapacitet prej 292 vendesh. Trupa e teatrit “Skampa” ka vënë në skenë pjesë të ndryshme si dramë, komedi, tragjedi por edhe janë zhvilluar shume festivale dhe aktivitete rinore. Deri në vitet 1980 trupa profesioniste e teatrit “Skampa” vuri në skenë mbi 30 drama e komedi, mes të cilave dhe shfaqjen “Familja e peshkatarit”, e cilësuar si një ndër më të suksesshmet.
Të mirëpritura nga artdashësit kanë qenë dhe shfaqjet “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Dy krisma në Paris”, “Engjëjt e skëterrës”, “Turneu”, “Nepërka”, të cilat mbajnë ‘vulën’ e këtij teatri. Aktorët e kësaj trupe janë nderuar me tituj të lartë si “Artist i Popullit”, “Artist i merituar”,“Aleksandër Moisiu”.