Nga: Afrim Krasniqi
Në historinë e parlamenteve të pluralizmit ka pasur disa raste kur parlamenti dhe pozita e tij kushtetuese janë keqpërdorur për qëllime afatshkurtra politike, duke pasur si impakt rënien e besimit publik tek institucioni dhe keqpërdorimin e nocioneve të demokracisë për axhenda jodemokratike.
Historive të shumta dhe periodike me shkarkime brutale të zyrtarëve të lartë shtetërorë të zgjedhur nga pala tjetër apo të pabindur ndaj mazhorancave të radhës, u shtohen historitë absurde me komisione hetimore të krijuara në ditët apo orët e fundit të mandatit parlamentar. E tillë është edhe nisma e fundit e Kuvendit për një komision hetimor për shkarkimin e Presidentit, miratuar rreth 48 orë përpara skadiumit të së drejtës kushtetuese të Kuvendit.
Para së gjithash duhen thënë pesë të vërteta:
· e para, procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar zyrtarisht pasi vijon të konsumohet faza e ankimimit administrative, e cila edhe nëse nuk sjell ndryshime në rezultatet paraprake, vonon daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve,
· e dyta, bazuar në raportin paraprak të ODIHR dhe deklaratave të SHBA dhe BE, prioritet absolut këto ditë mbetet hetimi i krimeve zgjedhore, ku madje disa prej deputetëve nënshkrues janë edhe vetë në proces hetimi e vlerësimi nga SPAK dhe
· e treta, zgjedhjet kanë një fitues, Partia Socialiste, dhe se legjitimiteti politik e institucional i parlamentit të vjetër për të marrë vendime në emër të fituesit (parlamentit të ri), është abuzim me konceptet e demokracisë dhe i burimeve shtetërore, kritikë që zë vend prioritar në raportet e ODIHR, SHBA dhe BE mbi zgjedhjet
· e katërta, nisma e mëparshme për shkarkimin e Presidentit (2019) kishte të bënte me një akt konkret ligjor dhe kushtetues, dhe ai u rrëzua nga Komisioni i Venecias, duke sjellë vetëm “këshillim” nga i njëjti komision dhe të njëjtët deputetë që po përsërisin vetveten
· së fundi, Ilir Meta si President, me bilancin e tij publik e ka dëmtuar integritetin kushtetues, politik dhe moral të institucionit të Presidentit të Republikës. Ai nuk pati sjellje presidenciale në zgjedhje, as qeveria nuk pati sjellje qeveritare në zgjedhje, as kryeministri nuk pati sjellje kryeministrore në zgjedhje, as shumica e institucioneve përfshirë parlamentin nuk patën neutralitet dhe sjellje institucionale në zgjedhje, – “krim” për të cilin palët e njëjta po akuzojnë njëri tjetrin.
Tani le të kthehemi tek zhvillimet dhe tezat konkrete:
- Më 30 prill mazhoranca inicioi në Kuvend kërkesë për shkarkimin e Presidentit. Brenda pak ditësh kaloi procedura parlamentare në Komisionin e Ligjeve dhe në seancën plenare dhe tashmë vijon punën komisioni hetimor. Nisma u bë publike nga një sms i drejtuesit të grupit dërguar deputetëve ku u kërkohej të paraqiteshin për të firmosur nismën për shkarkim. Pra, bazuar në standardin e fakteve që vetë nismëtarët e shkarkimit të Presidentit kanë përdorur në dokumentin iniciues, nuk janë 49 deputetë që iniciuan nismën për shkarkim, por janë 49 deputetë që firmosën formalisht urdhrin politik të PS për nismën për shkarkim.
2. Dokumenti iniciues i shkarkimit të Presidentit është hartuar me një nivel mediokër të terminologjisë juridike dhe të termave kushtetues. Që në rreshtat e parë të nismës flitet për “udhëheqës simbolik”, “që nuk përfshihet në lojëra politike”, terma që mund të përdoren në biseda kafenesh, por kurrsesi në një dokument me rëndësi kushtetuese për memorien historike të vendit. Kushtetuta përcakton se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”, kurse nismëtarët e shkarkimit kudo flasin për “Presidenti” dhe e cilësojnë atë “përfaqësues i kombit”, si dhe konceptin e ndarjes dhe balancës së pushteteve e trajtojnë si “vijë e hollë”, etj, duke bërë interpretime që nuk kanë burime referimi dhe që të krijojnë idenë e plagjiaturës nga më shumë se disa burime interneti.
3. Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës, neni 90, “mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Cili është krimi i rëndë për të cilin akuzohet Presidenti aktual? 49 deputetët kanë 41 faqe material referues, ku 36 faqe janë citime të shkëputura nga lajmet në media, citime nga konteksti nga faceboook, tëitter, apo studio televizive. Ky është rasti i parë në botën demokratike ku një bashkim citimesh pa vlerë, impakt e pasojë juridike ngrihen në bazë kushtetuese për shkarkimin e një kryetari shteti. Në memorien tonë historike kemi pasur praktika të tilla në të kaluarën përpara 1990, kur analizat sinoptike të udhëheqësit dënonin me vdekje kritikët apo viktimat politike të radhës në vetë piramidën e regjimit. Por në një shtet si Shqipëria, ku psh, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk kanë konsideruar provë as video regjistrimet me zë e figurë të skandaleve të mëdha, ashtu si së fundi edhe përgjimet e provuara me zë e figurë në dosjet e Durrësit dhe Dibrës, mazhoranca parlamentare pretendon të cilësojë prova komentet në mediat sociale dhe studiot televizive!
4. Në akte kushtetuese me rëndësi, siç është nisma për shkarkimin e Presidentit, përmbajtja ka aq vlerë sa edhe procedura kushtetuese dhe ligjore. Në rastin konkret procedura ka disa mangësi, të tilla që de facto rrëzojnë të gjithë përmbajtjen. Për shembull, të njëjtit deputetë që u cilësuan të gabuar nga Komisioni i Venecias në hetimin e parë parlamentare kundër Presidentit, janë përsëri relatorë dhe hetues ndaj Presidentit. Po ashtu, dy deputetët drejtues të komisionit, si shumica e anëtarëve të tij, ose nuk ishin kandidatë në zgjedhje, ose humbën në zgjedhje, çfarë do të thotë se nuk kanë aty ndonjë mandat popullor për “referendum kundër Presidentit”, siç theksohet në nismën e PS. Refuzimi i mundësisë për tu dëgjuar Presidenti në Komisionin e Ligjeve përbën akt të mjaftueshëm ligjor për ta rrëzuar nismën dhe procedurën në seancën më të parë të Gjykatës Kushtetuese.
5. Shkarkimi ka vlerë kur provohet nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata aktuale ka 7 anëtarë, vendimi merret me 5 vota dhe raportet brenda saj janë të balancuara, ndaj nuk ka gjasa për një votë kushtetuese kundër Presidentit, edhe nëse mazhoranca imponon votën e të zgjedhurve të saj në këtë gjykatë. Pyetja është: kur mazhoranca e di se procedura do të dështojë dhe Presidenti do të vijojë detyrën deri në korrik 2022, atëherë cili është interesi politik? Delegjitimimi i institucionit? Kjo është mundësuar nga vetë Meta, nuk ka nevojë për komision hetimor dhe as keqpërdorim të Kuvendit. Ushqim për militantët mbështetës? Nuk ka ndonjë vlerë, pasi militantët u konfirmuan në pushtet edhe 4 vjet të tjera. Hakmarrje personale? Nuk zgjidh asgjë dhe nuk sjell domosdoshmërisht hakmarrje. Presion për dorëheqje? Do ishte naive nëse dikush pret dorëheqjen e Presidentit aktual. Test për Gjykatën Kushtetuese? Ajo ka raste të tjera për testim, siç është ankimimi për legjitimitetin e zgjedhjeve lokale që është në pritje të shqyrtimit.
6. Duke e ditur se parlamenti është prej kohës organ formal, pra jo ushtrues i funksioneve të veta reale kushtetuese, mazhoranca do marrë vendim me mbi 90 vota për shkarkimin e Presidentit dhe çështja do vijojë në Gjykatën Kushtetuese. Pyetja thelbësore për nismëtarët është: a do të shkojë kryeministri aktual dhe ministrat e tij tek Presidenti i shkarkuar për dekretim dhe betim në shtator 2021? A do të pranojnë ata dekretimin e betimin përpara një Presidenti që e kanë shkarkuar me akuzë nga më të rëndat? A ka sjellje morale, integriteti, institucionale dhe sensi përgjegjësie në këto akte? Apo politika vijon të mbetet “lojë” siç cilësohet nga 49 deputetët nismëtarë të shkarkimit në rreshtin 4 të arsyetimit?
7. PS ka 100% të pushtetit qendror ekzekutiv dhe atij lokal, tani kërkon edhe Presidentin. Në fakt, mazhoranca ka premtuar se pas dy mandatesh do të ketë një qasje të re politike në raport me shtetin dhe qytetarët. Ideja e pritshmëria ishte për një sjellje më moderatore, më llogaridhënëse dhe më pak arrogante. Nisma e fundit shkon në drejtim të kundërt, dhe thellon krizën politike postzgjedhore, nuk ka as moderim, as llogaridhënie dhe as tërheqje nga arroganca absurde e një shumice që vijoj të qeverisë përmes mbështetjes 100% të militantëve të saj, dhe të vetëm 22% të të gjithë shtetasve shqiptarë me të drejtë vote.
8. Vlera e një komisioni hetimor 2019 dhe 2021 dhe një sjellje serioze parlamentare do të kishte qenë përcjellja e mesazhit thelbësor: institucionet meritojnë integritet dhe zgjedhja e Presidentit nuk do të jetë më çështje pazari votash e kushtëzimesh personale si historia që nisi me drekën e Lalzit dhe miratoi me votimin e individit sot President, duke u cilësuar më 2018 nga kryeministri i sotëm si Presidenti më i mirë në historinë e tranzicionit. Reflektimi që vlen për të gjithë është se Shqipëria politike dhe vendimmarrja serioze ka nevojë jetike të mendohet mirë përpara se të zgjedhë një person në poste të larta dhe jo e kundërta, përfshirë kur zgjedhim president, kryeministër, ministra apo deputetë anonimë listash.
9. Së fundi, cilat janë nevojat dhe sfidat aktuale të Shqipërisë? Një konflikt institucional apo personal që përsëritet sa herë zihen dy shokët e Gjirit të Lalzit? Një përdorim tjetër i institucioneve për të imponuar paktin e tyre personal të radhës? Një fazë e re autoritarizmi në vend në prag të vendimit të BE për hapjen e bisedimeve? Shqipëria ka nevojë për ndryshim radikal të sjelljes politike dhe institucionale, për maturi, energji të reja, reforma dhe rezultate konkrete. Ky ishte mesazhi i elektoratit, ky ishte premtimi elektoral dhe ky duhej të ishte headline për parlamentin dhe institucionet e reja. Gjithçka tjetër jashtë këtyre prioriteteve, është e mbetet humbje kohe, humbje energjish, tallje institucionale, gërryerje e demokracisë dhe një tregues tjetër se elitat tona të korruptuara politike vijojnë të jenë pengesë për progresin e shtetit dhe të shoqërisë.
Shënim: Seanca e të premtes, puna e komisionit të ligjeve dhe e komisionit hetimor, mbështetja administrative, dietat dhe pagesat shtesë, etj, në tërësi do të kenë një kosto financiare minimale prej 150-170 mijë eurosh, shumë që do të paguhet nga taksat qytetare dhe që përfitohen nga deputetët abuzues me pozitën e tyre kushtetuese, – një simbolikë tjetër kritike dhe luks i madh shpenzimesh në vendin më të varfër të zonës europiane!