Nga: Ben Andoni
Edhe njeriu me gjykimin me logjik apo më të ftohtë nuk mund të zgjidhë dot si duhet rebusin politik shqiptar.
Paktet, marrëveshjet e momenteve të fundit, kulisat e pafundme dhe talljet janë baza e një koncepti që të huajt për ta thjeshtuar e kanë përmbledhur në nëndarjet e kategorisë “Ballkanizim”.
Ky term gjeopolitik që më së shumti i referohet procesit të fragmentimit ose ndarjes së një rajoni apo shteti në rajone më të vogla ose shtete që janë shpesh armiqësore ose jo bashkëpunuese me njëri-tjetrin, pothuaj përmbledh të gjithë atë që ndodh me ne.
Por, shqiptarët e sotëm kanë nevojë të jetojnë normalisht. Një element, që elitat politike të vendit nuk mund t’ia japin bashkatdhetarëve të tyre. Së fundmi, përpjekja që po bën presidenti duke e qesëndisur Reformën në Drejtësi nxjerr realisht në pah problemin e vërtetë: Frikën jo të pakët nga Reforma dhe përpjekja për ta dështuar atë ka gati konsensusin në masën mbi 50% të politikanëve.
Me realizimin e strukturave dhe sidomos SPAK-ut, problemi është që përballja e parë do t’u takojë atyre dhe sidomos shpluhurosjes së dosjeve të vetë tyre.
Kurse procesi i integrimit dukshëm është i vështirë ngaqë të gjitha palët politike shqiptare e kanë të vështirë t’i lenë privilegjet që rrjedhin pas ngushtimit që po i bëjnë proceset e integrimeve evropiane.
Edi Rama sëbashku me Lulzim Bashën mbartin peshën më të madhe të gabimit, pasi nuk mundën ta afronin vendin tonë ashtu si duhet në hapjen e negociatave me një sherr që nisi turpshëm në parlament dhe u transferua në sheshe dhe rrugë. Kurse e gjithë klasa politike që e ndjek verbalisht këtë kinse dikotomi thjesht ka qenë dekori i turpshëm. Paçka çfarë është thënë për mbrojtjen e Kushtetutës, ne kemi humbur shpresën me këta përfaqësues për shkak të përballjes së turpshme që kanë me realitetin.
Vetting-u për politikanët, nëse do të bëhej, do vërtetonte tmerrin se ku janë zhdukur shumë nga pasuritë dhe asetet e këtij vendi, por edhe ku mund të gjendet origjina e konfikteve, varfërisë dhe e krizave që nuk dinë të mbarojnë, pasi pasuritë e politikanëve tanë janë realisht të frikshme. Por, ai nuk bëhet, kurse ata zgjasin e zgjasin krizat për t’i lënë shqiptarët në këtë gjendje të trishtë.
Ne nuk dimë të bëjmë shtet funksional demokratik dhe tre dekadat po e provojnë këtë më së miri. Është e turpshme, por e vetmja gjë që mund të themi në këto momente, ku vetë BE është e çoroditur prej pragut të zgjedhjeve se të huajt duhet të vijnë një orë e parë. Ne nuk ia dalim dot vetë, pa ngucjen e të huajve. (Javanews)