Kembrixh – Para pak muajsh, presidenti kinez Xi Jinping kryesoi një forum të madh mbi projektin e “Brezit dhe Rrugës” në Pekin. Veprimtaria 2-ditore u shoqërua me pjesëmarrjen e 29 krerëve të shtetit, duke përfshirë edhe atë rus, Vladimir Putin, dhe 1.200 delegatë nga mbi 100 vende. Zoti Xi e quajti nismën e “Brezit dhe Rrugës” të Kinës (BRI) “projektin e shekullit”.
Të 65 vendet e përfshira, përbëjnë dy të tretat e hapësirës tokësore në botë, dhe përfshijnë 4.5 miliardë njerëz. I shpallur fillimisht në vitin 2013, plani i Xi-së për integrimin e Eurazisë nëpërmjet një investimi gjigant prej 1 mijë miliardë dollarësh në infrastrukturë, që shtrihet nga Kina në Evropë, me zgjerime në Azinë Juglindore dhe Afrikën Lindore, u quajt Plani i ri Marshall i Kinës, si dhe oferta e saj për një strategji të madhe.
Disa vëzhgues e panë gjithashtu Forumin, si pjesë të përpjekjeve të presidenti kinez për të mbushur boshllëkun e lënë nga braktisja e marrëveshjes së tregtisë së Partneriteti Trans-Paqësor të Barak Obamës nga ana e pasardhësit të tij në detyrë Donald Tramp. Nisma ambicioze e Kinës do të sigurojë autostrada, linja hekurudhore, tubacione, porte, dhe termocentrale tejet të domosdoshme për vendet e varfra.
Ajo gjithashtu do të inkurajojë kompanitë kineze të shtojnë investimet e tyre në portet dhe hekurudhat evropiane. “Brezi” do të përfshijë një rrjet masiv autostradash dhe lidhjesh hekurudhore përmes Azisë Qendrore, dhe “rruga” i referohet një sërë rrugëve dhe porteve detare mes Azisë dhe Evropës. Marko Polo do të ishte krenar.
Dhe në qoftë se Kina zgjedh të përdorë rezervat e saj të tepërta financiare për ndërtimin e infrastrukturës, çka ndihmon vendet e varfra dhe rrit tregtinë ndërkombëtare, ajo do të sigurojë atë që mund të shihet si një e mirë publike globale. Sigurisht, motivet e Kinës nuk janë thjesht dashamirëse.
Rialokimi i aseteve të mëdha valutore të Kinës larg blerjes së bonove amerikane të thesarit, të cilat kanë interesa të ulëta, dhe drejt investimeve në infrastrukturën e nivelit të larta, ka kuptim dhe krijon tregje alternative për mallrat kineze. Me kompanitë kineze të çelikut dhe çimentos që vuajnë nga mbikapaciteti, firmat kineze të ndërtimit do të përfitojnë nga investimet e reja.
Dhe teksa prodhimi kinez lëviz drejt krahinave më pak të arritshme, lidhjet e përmirësuara infrastrukturore në tregjet ndërkombëtare i përshtaten nevojave zhvillimore të Kinës. Por a është BRI më shumë një marrëdhënie vanitoze me publikun se sa një investim serioz?
Sipas Financial Times, investimet në kuadër të nismës së Xi-së ranë vitin e kaluar, duke ngritur dyshime rreth asaj nëse ndërmarrjet tregtare janë po aq ta angazhuar sa edhe qeveria. Pesë trena plot me ngarkesë nisen çdo javë nga Chongqing për në Gjermani, por vetëm njëra prej tyre kthehet plot.
Transportimi i mallrave në rrugë tokësore nga Kina për në Evropë, është ende dy herë më i shtrenjtë sesa tregtia nëpërmjet detit. Siç vëren FT, BRI është “fatkeqësisht më pak se një plan praktik investimesh, dhe më shumë një vizion i gjerë politik”.
Për më tepër, ekziston rreziku i borxheve dhe i kredive të papaguara nga projektet që shndërrohen në “elefantë të bardhë” ekonomikë, dhe konfliktet e sigurisë mund t’u bien në qafë projekteve që kalojnë nëpër kaq shumë kufij sovrane. India nuk është e lumtur të shohë një prani më të madhe kineze në Oqeanin Indian, dhe Rusia, Turqia dhe Irani kanë axhendat e tyre në Azinë Qendrore.
Vizioni i Xi është mbresëlënës, por a do të ketë sukses si një strategji e madhe? Kina është duke vënë bast mbi një propozim të vjetër gjeopolitik. Një shekull më parë, teoricieni britanik gjeopolitike Halford Makinder, argumentoi se kushdo që kontrollonte ishullin botëror të Euroazisë, do të kontrollonte botën.
Në të kundërt, strategjia amerikane, ka favorizuar për një kohë të gjatë njohuritë gjeopolitike të admiralit të shekullit XIX-të Alfred Mahan, i cili vinte theksin tek theksoi fuqia detare dhe rimland-et (zonat periferike të një vendi apo rajoni). Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Xhorxh F.
Kenan adaptoi qasjen e Mahan, për të zhvilluar strategjinë e tij të Luftës së Ftohtë të frenimit të Bashkimit Sovjetik, duke argumentuar se nëse aleatët e SHBA-së me ishujt e Britanisë dhe Japonisë, dhe gadishullin e Evropës Perëndimore në të dyja skajet e Eurazisë, Uashingtoni mund të krijonte një balancë të pushtetit botëror që do të ishte e favorshme për interesat amerikane.
Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, janë ende të organizuar përgjatë këtyre linjave, me një vëmendje të pamjaftueshme ndaj Azisë Qendrore. Shumëçka ka ndryshuar në epokën e internetit, por gjeografia ka ende rëndësi, pavarësisht pretendimit të “vdekjes” së distancave.
Në shekullin XIX, pjesa dërrmuese e rivalitetit gjeopolitik sillej rreth “Çështjes Lindore”, se kush do të kontrollonte zonën e sunduar nga një Perandori Osmane në rënie e sipër. Projektet e infrastrukturës si linja hekurudhore Berlin-Bagdad, zgjuan tensionet midis Fuqive të Mëdha.
A do të zëvendësohen ato beteja gjeopolitike nga “Çështja Euroazike”? Me BRI, Kina është duke vënë bast mbi Makinderin dhe Marko Polon. Por rruga tokësore përmes Azisë Qendrore do të ringjallë “lojën e madhe” të shekullit XIX për ndikimin, që përfshin Britaninë dhe Rusinë, si dhe ish-perandori si Turqia dhe Irani.
Në të njëjtën kohë, “rruga” detare nëpër Oqeanin Indian thekson një rivalitet tashmë të njohur mes Kinës me Indinë, me tensionet në rritje mbi projektet e portet kineze dhe rrugët që kalojnë nëpër Pakistan. SHBA-ja është duke vënë më shumë bast mbi doktrinat e Mahan dhe Kenan.
Azia ka balancën e vet të pushtetit, dhe as India, Japonia dhe Vietnami nuk e duan dominimin kinez. Ata e shohin Amerikën si pjesë të zgjidhjes. Politika amerikane nuk është duke e mbajtur nën kontroll Kinën- dëshmi janë flukset masive të tregtisë dhe studentëve midis vendeve.
Por ndërsa Kina, e magjepsur nga një vizion i madhështisë kombëtare, angazhohet në mosmarrëveshje territoriale me fqinjët e saj detarë, tenton t’i shtyjë këta të fundit në krahët e Amerikës. Në fakt, problemi i vërtetë i Kinës është “vetë-kontrolli”. Edhe në epokën e internetit dhe mediave sociale, nacionalizmi mbetet forca më e fuqishme. Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara duhet ta mirëpresim BRI-në e Kinës.
Siç ka argumentuar Robert Zolik, ish-përfaqësues i SHBA-së në tregtinë e jashtme dhe ish-president i Bankës Botërore, në rast se një Kinë në rritje, kontribuon në sigurimin e të mirave publike globale, SHBA-ja duhet t’i inkurajojë kinezët që të bëhen “aktorë përgjegjës”.
Për më tepër, mund të ketë mundësi edhe për kompanitë amerikane që të përfitojnë nga investimet e BRI. SHBA dhe Kina kanë shumë për të fituar nga bashkëpunimi mbi një sërë çështjesh transnacionale si stabiliteti monetar, ndryshimet klimatike, rregullat kibernetike dhe anti-terrorizmi.
Dhe ndërsa BRI do t’i sigurojë Kinës përfitimet gjeopolitike, nuk ka gjasa që kjo të jetë një lojë-ndryshuese në strategjinë e madhe, sikurse besojnë disa analistë. Një pyetje edhe më e vështirë, është nëse SHBA mund të luajë rolin që i takon.
Shënim: Joseph S. Nye, ka qenë ndihmëssekretar amerikan i mbrojtjes dhe kryetar i Këshillit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, aktualisht profesor në Universitetin e Harvardit. Ai është gjithashtu autor i librit “A ka përfunduar shekulli amerikan?
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce