Nga Rezart Prifti
Pas një dyvjeçari deficient qeveritar, parlamentar, ekonomik dhe social, kokat e financave shqiptare, që kanë çelësin de jure të napolonave të shtetit tonë, u mblodhën dhe bitisën një strategji të rishikuar për vitet 2019-2022. Ajo që qe, nuk bënte, se mesa duket, parashikimet ishin shumë optimiste, siç e kanë zakon këta tanët që parashikojnë për hënën e jo për njerëzit. Zakoni e do që të konsultohen me grupet e interesit, me publikun e ndër to edhe me shoqërinë civile. Kësaj radhe, konsultimi ka përfshirë edhe akademikë, se helbete, kanë ç’thonë.
Në prezencë mondane të shumë palëve janë dhe donatorët e huaj dhe misionet, të cilat mbështesin Ministrinë e Financave në kësi rastesh. Kjo strategji e rishikuar vjen pas një shkëputjeje totale të politikëbërësve nga realiteti, pas gjashtë daljeve radhazi të Guvernatorit të Bankës Qendrore për risqet që i kanoseshin ekonomisë, pas raporteve të panumërta të FMN-së, Bankës Botërore dhe lloj-soj ambasade, të cilat theksonin po të njëjtat risqe që akumuloheshin dhe në momentin që flasim kanë çuar në një shtet me arkën bosh, borxhe të akumuluara në miliona euro, ente shtetërore pa paguar sigurimet shoqërore, kompani shtetërore me borxhe të pashlyera, eksod shqiptarësh si në kohë lufte, dhe një klimë biznesi si në vitin 1997.
Çuditërisht, strategjia e rishikuar i merr parasysh të gjitha këto probleme.
Po, ja, për shembull. Kjo strategji si prioritet kryesor ka buxhetimin gjinor. Buxhetimi gjinor është një term i huazuar nga World Economic Forum dhe Banka Botërore. Këta të fundit në vendet e OECD, një grup vendesh ekonomikisht të zhvilluara ose si njihen ndryshe “the group of rich countries”, implementojnë koncepte dhe projekte që janë për ekonomi me një standard dhe dimension tjetër nga ajo ç’është ekonomia shqiptare. Pasi kanë zgjidhur një sërë problemesh të zhvillimit ekonomik, investimeve të huaja, inovacionit dhe edukimit, kujdesen që edhe në buxhetin kryesor të shtetit të ruajnë parime të tilla. E thënë shkoqur, kur arrin njëfarë rehatie, fillon dhe kujdesesh për parime egalitare. Në kontekstin e Shqipërisë, ku nuk bëhet fjalë për barazi gjinore, kur gruaja zgërdhihet në dru, dhe kur edhe ato femra që janë në politikëbërje, janë për mbushje kuotash dhe jo si autoritete në fushat e tyre, një egalitarizëm i tillë duket qesharak, në rastin më të mirë, dhe dashakeq, në rastin më të keq. Një ministri, që në gjashtë muajt e parë të vitit, nuk ka alokuar asnjë fond për mbi 1000 projekte të parashikuara në buxhet nga viti i kaluar. Ku të vetmet fonde janë për projekte që dalin nga mënga e të madhit në moment të fundit dhe ku alokon fonde për armatime në një vend që po vdesin njerëzit e që nuk u bëhet autopsia dhe me edukim po pa autopsi, të mendosh për gjininë e buxhetit, është surreale! Jam shumë kurioz, si ekonomist, se cilat janë instrumentet dhe me çfarë formash buxheti i shtetit nuk është as mashkull e as femër, por feshkull. Ndoshta, armët kualifikohen si gjini femërore…
Po një pikë e dytë strategjike është gjithashtu “ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente”. Edhe këtu, ky shtet i ka adresuar të gjitha problemet që kanë njerëzit. Shërbimet më të mira për qytetarët si: gjobat e mercenarëve të lloj-soj inspektorati, pensionet e papaguara, 5000 euro për të zbardhur një vërtetim prone, koncesione abuzive, tenderë që kanë kaluar groteskun, pastrimin e pisllëkut që ka mbuluar dynjanë, sigurinë që të ofrohet nga horrat dhe cubat që vijnë vërdallë, shëndetësinë që nuk di nga ta kapësh apo arsimin e ndritur. Nuk po merrem me transparencën e këtyre shërbimeve, se nuk do kallauz.
Së fundi, një pikë kryesore e rishikimit të kësaj strategjie është dhe se “qytetarët të thonë fjalën e tyre për planifikimin dhe shpenzimin e parave publike”. O tempora o mores! Në një vend që qytetaret nuk pyeten as kur votojnë, erdhi dita të pyeten për planifikimin e buxhetit. Në këtë pikë, është dhe angazhimi i organizatave të shoqërisë civile (lexo kopile).
Unë nuk e vë në diskutim që shekspirianët e kohëve moderne do të vënë në skenë teatrot e tyre, siç e bëjnë përherë. Këta përgatisin tryeza të rrumbullakëta me të gjithë, por kur i bëjnë mbledhjet dhe interpelancat, njerëzit i kanë të listave dhe u japin edhe listat e pyetjeve pjesëmarrësve, siç e bën me dëgjesat, me demek publike, pedagogëve, siç e bën me paktin me universitetin, bizneseve që në afatgjatë ia mbështjellin vetes, dhe OJQEve, që i kanë po të tyret si instrumente kryesore të zhvatjes masive. Kështu kanë sofistikuar metodën e tyre jo të propagandës, se propaganda është gjë e mirë, por të manipulimit ashiqar me anëtarët me pesë profile false në fytyrëqitap për të komentuar dhe në teatrot virtuale ku derdhet shtirësia e mashtrimi lum.
Dhe në fund të gjithë procesit të së bërit gjoja, i vendosin vulën dhe ndërkombëtarët, të cilët para demokracisë dhe stabilitetit kanë zgjedhur masivisht këtë të dytën, vlerësojnë progresin e bërë nga Shqipëria në konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e financave publike të vënë re në uljen e borxhit publik dhe raportimin e buxhetit. O tmerr! Të njëjtët që bëjnë raportet, që thonë se po del borxhi jashtë kontrollit dhe PPP janë borxh i fshehur, të njëjtët ngjyejnë me bojë progresin që ka bërë ky shtet. Këtij fundi i shtohet dhe oponenca brilante opozitare, që me anë të lapsit të tyre të mprehtë, analizojnë Shqipërinë nga retë e rehatisë Zeusiane. Për sa i përket opozitës është dhe një korrelacion i frikshëm: sa herë ka një decencë ekonomike ose shoqërore, që duhet të marri flamurin kjo e fundit, nuk ndodh gjë, por një qokë bëhet ose një llogari bankare mbushet diku…
Si përfundim, do xhirojmë bosh edhe ca kohë, sa çunat të rregullojnë hesapet, të shkartisin dosjet dhe të vendosin sipas radhës ato 400 dosjet e famshme dhe se si do fillojë kurbani. Për sa kohë hallet do jenë personale dhe alternativa e kësaj politike ka për të qenë po kjo politikë, shqiptarët do këndojnë një këngë të famshme në Myzeqe me refrenin “O le le na erdhi beu…”