Nga Petros Kondantinidis/ Grekët dhe serbët, kanë shumë gjëra të përbashkëta, përtej afërsisë gjeografike. Pjesa më e madhe e të dy popujve janë të krishterë ortodoksë, për të cilët feja luan një rol vendimtar në jetën e përditshme. Por më e rëndësishmja:të dyja vendet e kanë mbështetur vazhdimisht njëri-tjetrin gjatë gjithë historisë moderne.
Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913, ishin një manifestim i rëndësishëm i kësaj aleance. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, shumë serbë gjetën strehë në ishullin e Korfuzit, kur vendi i tyre u pushtua nga Fuqitë Qendrore. Në vitin 1941, Vehrmahti gjerman kërkoi kalimin nga Jugosllavia për të pushtuar Greqinë.
Autoritetet jugosllave fillimisht pranuan. Por ky vendim ishte shkak për një revoltë popullore, që përmbysi regjimin. Përveç kësaj historie të përbashkët, disa grekë mund të konsiderohen si bashkëpërgjegjës me ushtrinë serbe të Bosnjës, për genocidin në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995.
Ratko Mlladiç, gjenerali serb nga Bosnja që komandonte ushtrinë e tij në Srebrenicë dhe Sarajevë, u dënua me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY).
Mentori politik i Mlladiç dhe më pas presidenti i Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç u shpall fajtor për të njëjtat krime dhe u dënua në marsin e vitit 2016 me 40 vjet burg.
Në vitin 1993, kur luftërat Jugosllave qenë në kulmin e tyre, dhe kur ofensiva serbe në Bosnje Hercegovinë po përparonte, në Bosnje mbërriti grupi i parë i vullnetarëve grekë. Ndërkohë në marsin e vitit 1995, u formua Garda Vullnetare Greke (GVG) me kërkesën e vetë Ratko Mlladiç. Njësia përbëhej nga rreth 100 grekë të stërvitur ushtarakisht, të cilët vendosën të mbështesin “vëllezërit e tyre ortodoksë” serbë –siç grekët dhe serbët e quanin shpesh njëri-tjetrin, në luftën e tyre kundër bashkësisë myslimane të Bosnjes.
Disa qenë mercenarë, por të tjerë shkuan në Bosnje për të propaganduar ideologjinë dhe axhendën politike. Shumë prej tyre mbanin, dhe mbajnë ende lidhje me Agimin e Artë. Anëtari i GVG Mihalis Mavrojanakis është shprehur:“Unë, si shumë vullnetarë të tjerë grekë, i përkasim një ideologjie politike specifike të Agimit të Artë. Dhe për këtë u ngjitëm atje (në Bosnjë)”.
Një dokumentar i shkurtër nga ‘XYZ Contagion’ me titull “Masakra e Srebrenicës, Garda Vullnetare Greke (GVG) dhe përfshirja e Agimit të Artë”, përmban dëshmi ekskluzive të paraqitura për herë të parë në Greqi dhe në rrafshin ndërkombëtar.
Nuk është e habitshme që shumica e anëtarëve të GVG-së, janë të lidhur me Agimin e Artë, dhe të djathtën ekstreme greke në përgjithësi. Retorika fetare në Greqi, shkon shpesh dorë për dore me idetë nacionaliste, ksenofobinë dhe supremacinë e bardhë. Kisha Ortodokse Greke, shfaqet shpesh në arenën politike.
Kjo ishte e vërtetë në vitin 1995, dhe është ende e vërtetë sot. Përkrahja e tyre për serbët (dhe më vonë për GVG) ishte e hapur. Veçanërisht, Kryepeshkopi Serafim e ftoi personalisht Radovan Karaxhiçin në Athinë në vitin 1993, ku ky i fundit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e grekëve në luftë. “Ne kemi vetëm Zotin dhe grekët në anën tonë!”- tha ai.
Bota politike, nuk ishte më pak mbështetëse e serbëve. Nga frika se mos luftërat jugosllave preknin edhe Greqinë, kryeministri Konstantinos Micotaqis (Demokracia e Re) dhe Andreas Papandreu (PASOK), mbajtën lidhje të ngushta me regjimin e Sllobodan Millosheviçit, dhe thuhet se dërguan armë dhe mallra në Serbi dhe Malin e Zi, duke shkelur embargon e OKB-së
së vitit 1992.
Për më tepër, Greqia ishte i vetmi vend i BE-së, që votoi kundër sulmeve ajrore të NATO-s ndaj pozicioneve serbe në vitin 1994, dhe refuzoi të dërgonte trupa në misionin paqeruajtës të OKB-së në Bosnje. Kur Millosheviçi vizitoi Athinën në dhjetorin e vitit 1994, Papandreu shprehu mbështetjen e tij për pretendimet e Beogradit në Bosnje.
Natyrisht, edhe media greke e mbështetei me zell Serbinë në marrëzinë e saj. Kur ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, gazeta “To Ethnos” kremtoi fitoren e serbëve, dhe falënderoi vullnetarët grekë për pjesëmarrjen e tyre. “Flamujt e Serbisë, Greqisë dhe të Bizantit, janë duke u valëvitur pranë njëri-tjetrit”- shkruan ajo më 13 korrik 1995.
Vlasenica, është 1 orë larg me makinë nga Srebrenica. Aty e kishte bazën GVG nga marsi i vitit 1995 e tutje, si pjesë e Trupave të Drinës. Disa raporte thonë se të paktën 10-12 anëtarë të GVG, ishin të pranishëm në qytetin e goditur nga tragjedia kur u krye masakra.
Në një telekomunikacion të përgjuar të ushtrisë serbe në Bosnje, Mlladiç dëgjohet duke urdhëruar trupat të ngrenë një flamur grek në Srebrenicë, për të nderuar “grekët trima, që luftojnë në anën tonë”. Një nga vullnetarët, Vasilis Skizas, postoi pak kohë më parë në profilin e tij në Facebook një kokë derri me shkrimin “Sebrenicë1995”.
Koka e derrit, përdoret rregullisht si një kërcënim për myslimanët, duke iu referuar konsumit të ndaluar të mishit të derrit në fenë Islame. Prania greke në Srebrenicë, dëshmohet më tej nga komandanti i Trupave të Drinës, Zvonko Bajagiç, në dëshminë e tij gjatë gjyqit të Karaxhiç në Hagë.
Kjo dëshmi nuk u raportua kurrë nga media greke. Anëtarët e GVG, kishin marrëdhënie të ngushta me komandantin Bajagiç. Sipas provave të mbledhura nga Gjykata e Hagës, Bajagiç shoqërohej vazhdimisht nga grekët. Kur në vitin 2003 një nga anëtarët e GVG u arrestua nga policia greke, për trafikimin e steroideve anabolikë, në apartamentin e tij u gjetën “rreth 80 fotografi nga masakra e myslimanëve jo luftëtarë në Bosnje”.
Kur u çua në gjykatë, ish-anëtari i GVG-së deklaroi se ai “nuk kishte qenë i pranishëm në vrasjet e treguara në fotografi”, dhe kjo hipotezë u hodh poshtë. Sidoqoftë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 shpalli se “aktet e kryera në Srebrenicë…u ndërmorrën me synimin specifik të shfarosjes së komunitetit të myslimanëve të Bosnje-Hercegovinës… dhe se këto ishin akte gjenocidi”, për vullnetarët grekë gjërat nisën të komplikohen.
Në Greqi, ka njohje të fakteve, por pa pranimin e përgjegjësisë – madje as të pjesshme – nga shteti apo media. Diskutimi mbi ketë çështje në vend, u iniciua fillimisht nga gazetari Takis Mihas me librin e tij “Aleanca e pashenjtë:Greqia dhe Serbia e Millosheviçit”. Investigimi i tij, është një nga burimet kryesore mbi milicinë GVG, dhe rolin e saj në masakrën e Srebrenicës.
Në vitin 2005, një kërkesë e paraqitur në parlamentin grek nga deputeti Andreas Andrianopoulos, dhe i mbështetur nga 200 intelektualë, gazetarë dhe politikanë, kërkoi një hetim rreth “përfshirjes së mundshme të grekëve në ngjarje”. Ministri i Drejtësisë Anastasios Papaliguras, u përgjigj se “sistemi i drejtësisë po e trajton çështjen”.
Në vitin 2009, ambasadori grek në Sarajevë, i dërgoi një letër konfidenciale Ministrisë së Jashtme greke, në të cilën njihte “pjesëmarrjen e një numri vullnetarësh grekë në luftën e Bosnjes”, duke përsëritur thirrjen për një hetim mbi veprimet e tyre.
Megjithatë, në vitin 2011, rasti u mbyll dhe askush nuk u thirr më për t’u marrë në pyetje. Në marsin e vitit 2017, Monitoruesi Grek i Helsinkit e ripërsëriti kërkesën, duke e shoqëruar me një raport prej 250 faqesh, por sistemi i drejtësisë nuk tregoi ndonjë interes për avancimin e kësaj çështje.
Gjatë një ndeshje futbolli në vitin 2016 midis Greqisë dhe Bosnje Hercegovinës në stadiumin Karaiskaqis në Pire, në kuadër të Botërorit 2018, një baner u ngrit në tribuna për disa minuta me fjalët “tela, thika, Srebrenica”, e shkruar në serbo-kroatisht. Ndërsa ka gjasa që njerëzit që e ngritën atë, të mos kenë qenë grekë por serbë, vetë ngjarja përfaqëson heshtjen fajtore dhe qëndrimin pasiv, që dominon diskutimin publik në Greqi rreth kësaj teme.
Marrë me shkurtime
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce