Për shkak të kushteve të rënda higjeno- sanitare ku kryhej aktiviteti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mbi 6 ton mish të ngrirë në Korçë.
“Kushtet e rënda higjeno-sanitare ku kryhej aktiviteti, por sidomos për shkak se subjekti nuk kishte asnjë dokumentacion për kontrollet veterinare të mishit, certifikimin e produktit dhe elementin e gjurmueshmërisë (faturën tatimore)”, bën me dije AKU.
Subjekti në fjalë është në emrin e Mirela Dvoranit dhe përveç masës administrative së bllokimit të produktit, u morën masat administrative me gjobë në vlerën 600.000 lekë, si dhe ndalim i menjëhershëm i aktivitetit.
“Gjatë kontrollit në subjektin e shtetases Mirela Dvorani me Nipt K74304001Q, u konstatua mungesë të kushteve higjeno-sanitare në ambientet e tregtimit.
Gjithashtu në dhomat frigoriferike u konstatuan disa produkte “mish i ngrirë” (1100 kg stomak pule, 3432 kg dhjam derri, 1316 kg tremiks koke, 100 kg dhjam viçi, 350 kg këmbë viçi, 25 kg kokë qingji) që ishin të paketuara, por pa asnjë të dhënë etiketimi, si dhe pa dokumentacion shoqërues: faturë tatimore dhe certifikatë veterinare të cilat u bllokuan me destinacion asgjësimin”, shton më tej AKU.