Takimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj me gardistin Feim Dollapaj, shoqërues i Bashës, ka vënë në lëvizje presidentin Meta. Ky i fundit ka thirrur në zyrë kreun e SHISH, Helidon Bendo, për të kërkuar informacione konkrete lidhur me lajmin se Bashës i kërcënohet siguria. Mësohet se Meta ka thirrur në takim edhe komandantin e Gardës.
Takimi i Lleshajt me Dollapajn erdhi pasi sipas ministrit, ka informacione që kreu i PD-së, Lulzim Basha ndodhet në rrezik.
Takimi ndodhi më 14 qershor, ndërsa sot sekretari i përgjithshëm i PD-së, Bardhi i ka dërguar një letër Lleshajt, ku i kërkon informacione në mënyrë zyrtare, si dhe e akuzon për shkelje të standardeve ligjore dhe institucionale, duke hedhur dyshime se qëllimi i takimi ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës.
“Duke patur parasysh rrethanat, kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj, në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi që qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës”, shkruhet në letrën e Bardhit.