Nga Josh Gerstein & Darren Saamuelson “Politico.com”
Raporti i prokurori special, Robert Myler, i pritur prej shumë kohësh, është më dënues se sa kishte pohuar më herët publikisht presidenti Donald Trump. Ai flet në detaje për përpjekjet agresive të shefit të Shtëpisë së Bardhë, për të ndërhyrë në hetimin e Departamentit të Drejtësisë, mbi ndërhyrjen e rusëve në zgjedhjet presidenciale.
Larg nga “lirimi i plotë dhe total” i presidentit nga akuzat, siç ka pretenduar ky i fundit javët e fundit, raporti përshkruan një president që ndërmori veprime të përsëritura, për të penguar hetimet mbi fushatën dhe presidencën e tij, ndoshta sepse Trumpi po përpiqej të fshihte sjellje të tjera potencialisht kriminale.
Myler thotë se nuk gjeti prova për një konspiracion kriminal, për ta ndihmuar Rusinë të ndikonte në zgjedhjet e vitit 2016. Por raporti voluminoz flet, për përpjekjet e përsëritura të Trump, për të larguar Mylerin nga ajo detyrë, dhe zemërimin e tij kur këto përpjekje u bënë publike.
Ai gjithashtu përshkruan në detaje një përpjekje, për të ushtruar presion mbi personelin, për të bërë çmos që Myleri të largohej nga posti që mbante, Ai ndërkohë vëren se presidenti Trump, kishte më shumë njohuri për sjelljen potencialisht kriminale të një ndihmësi të tij.
Një përfundim i raportit, është se Trump e pengoi drejtësinë, vetëm sepse ndihmësit e tij kryesore refuzuan të zbatonin urdhrat e tij më dramatikë. Raporti prej 448 faqesh, është kulmi i një hetimi gati 2-vjeçar që ka hedhur një hije mbi presidencën Trump, ndërsa pati shumë pikëpyetje mbi atë nëse fushata e Trumpit, kishte komplotuar me ndërmjetësit e Moskës për të ndikuar zgjedhjet e vitit 2016, dhe nëse presidenti u përpoq të pengonte hetimin mbi këtë çështje.
Ndërsa dokumenti gjithëpërfshirës, konfirmon se Myleri nuk gjeti asnjë komplot midis fushatës së Trump dhe Kremlinit, ai përmban vëzhgime të shumta të sikletshme lidhur me pengimin e mundshëm të drejtësisë, dhe hedh dritë mbi arsyen se përse prokurori i posaçëm, zgjodhi të mos lirojë Trumpin nga dyshimet, dhe as të arrijë në përfundimin se ai ka kryer ndonjë krim.
“Provat tregojnë, se një hetim i plotë i FBI-së, do të zbulonte faktet rreth fushatës dhe presidentit personalisht, gjë që do t’i shkaktonte jo pak telashe”- thuhet në raport.
Në javët e fundit, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Uilliam Barr, e ka nënvizuar synimin e Trumpit, ndërsa shpjegoi vendimin e tij për të mos bërë asnjë akuza ndaj presidentit për pengim të drejtësisë, edhe pse Myleri nuk zgjodhi një përfundim kaq të prerë.
“Nëse do të kishim bindje, pas një hetimi tërësor të fakteve, se presidenti ka penguar qartazi drejtësinë, do ta thoshim këtë. Bazuar në faktet dhe standardet e zbatueshme, ne nuk jemi në gjendje ta arrijmë atë gjykim. Por ndërsa ky raport nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer një krim, ai gjithashtu nuk e përjashton atë”- thekson raporti.
Raporti i Mylerit, lë hapur mundësinë që Trump, të paktën në teori të përballet me ndjekjen penale për disa vepra penale, pasi ai të largohet nga posti i presidentit. Prokurorët e Myler, vendosën që një hetim penal i një presidenti në detyrë, nuk ishte i përshtatshëm.
Udhëzimi ligjor i Gjykatës së Lartë, që daton që nga koha e skandalit të Uotegejtit, thotë se një president në detyrë nuk mund të paditet. Në një analizë të gjatë, raporti shpjegon se pretendimi i presidentit për të penguar drejtësinë pa aftësinë për ta akuzuar atë, do ta dëmtonte presidencën e tij dhe dëmtonte aftësinë e tij për të qeverisur, duke mos i dhënë mundësinë të pastrojë imazhin ose mbrojtjen që normalisht iu jepet të pandehurve.
Gjithsesi, raporti detajon një numër incidentesh të ndërhyrjeve presidenciale të Trump, që Myler dhe madje edhe ndihmësit e tij, i gjetën të ishin shqetësuese. Seksioni i pengimit, është një nga seksionet më pak të redaktuara në një raport që përfshin në total 954 redaktime, të përqendruara kryesisht në mbajtjen sekret të informacioneve, që mund të dëmtojë hetimet në vazhdim.
Seksioni mbi pengimin e drejtësisë, zbulon detaje të reja, për një diskutim shumë delikat që Trump pati me ish-drejtorin e FBI-së, Xhejms Komej. Sipas këtij të fundit, Trump tentoi ta bindë të mbyllte një hetim mbi këshilltarin e dikurshëm të sigurisë kombëtare, Majkëll Flin, lidhur me një dëshmi të rreme që ai kishte dhënë për FBI-në.
Raporti i Mylerit thotë se kur ndodhi kjo bisedë, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i kishin thënë këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Don Mekgan se sjellja e Flin, mund të konsiderohej e paligjshme, dhe se Mekgan e lidhi atë informacion me presidentin.
Raporti gjithashtu thotë se Trump i kërkoi në mënyrë të përsëritur Mekgan të bindte Prokurorin e Përgjithshëm Xhef Seshën të distancohej nga hetimi Trump-Rusi, duke pasur parasysh rolin e tij të plotë në fushatën Trump./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce