Nga Dominique Moisi “Project Syndicate”/ A ka fituar populizmi? Do të qe e lehtë të arrihej në përfundimin se ka triumfuar, sidomos në dritën e asaj që po ndodh në zemër të Evropës. Italia, një nga mbështetëset më të hershme të integrimit evropian, udhëhiqet tashmë nga një koalicion populist që ka një vlerësim popullor prej 61 për qind, ndërsa presidenti francez Emanuel Makron, i konsideruar dikur kundërhelmi i populizmit, ka parë që popullariteti i tij të bjerë në 29 për qind, pika më e ulët që kur ai mori detyrën në vitin 2017.
E megjithatë, beteja midis “partisë së arsyes” dhe “partisë së emocioneve” – progresistëve kundrejt populistëve – është ende shumë larg fundit. Populizmi ende mund të mposhtet, por vetëm nëse kundërshtarët e saj pranojnë atë që është tanimë e qartë:ata kanë nevojë për një strategji të re.
Pesë çështje duhet të orientojnë çdo rregullim strategjik.
E para është llogaridhënia.
Të ashtuquajturat elita, që kujdesen për ruajtjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, lipset të përballen me zemërimin, frikën dhe dëshpërimin, që kanë mbërthyer votuesit që nga kriza financiare globale e viteve 2008-2009.
Ka kaluar një dekadë që nga fillimi i Recesionit të Madh, dhe shkaqet e tij nuk janë adresuar ende siç duhet. Shumë udhëheqës politikë, financiarë dhe të biznesit, të japin përshtypjen se e vetmja gjë që ka rëndësi për një ekonomi është rritja agregate.
Por në një botë të globalizuar dhe transparente, ai që ka më shumë rëndësi është hendeku në zgjerim midis të pasurve dhe të varfërve. Pabarazia, veçanërisht kur shoqërohet me korrupsion, është shkatërruese për statuskuonë. Dhe kjo është arsyeja pse drejtësia – çështja e dytë e një strategjie të re politike – është kaq jetike.
Pa drejtësi ekonomike, elektoratet do të fajësojnë përherë për problemet e tyre partinë që është në pushtet. Ishte pikërisht ky arsyetim, ai që çoi në zgjedhjen presidentit të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara. Çështja e tretë është uniteti. Progresistët duhet thjesht të ofrojnë një alternativë të besueshme, ndaj ndarjes që ofron populizmi.
Në fund të viteve 1990, Medlin Ollbrajt, asokohe sekretare e shtetit e SHBA-së, u bëri thirrje qeverive në Europë të mbështesin një “aleancë të demokracive”, që do të përforconte vlerat perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit, dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Shumë vende iu përgjigjën pozivitisht SHBA-së. Ne kemi nevojë edhe sot për një zotim të ngjashëm të unitetit.
Fatkeqësisht, ne kemi ndërkohë nevojë për një udhëheqje të re globale. Me SHBA-në në tërheqje, Italinë në kundërsulm, dhe Britaninë që është përhumbur në “mjegullën” e Brexit, përgjegjësitë e ndërtimit të aleancës do të bien mbi lojtarë të tjerë.
Një opsion është klubi i të katërve në gjirin e G7-ës – Franca, Gjermania, Kanadaja dhe Japonia. Nëse synohet ngadalësimi i përhapjes së autoritarizmit dhe anti-liberalizmit, këto demokraci liberale duhet të marrin rolin e ripërtëritjes së vizionit të Ollbrajtit.
Së katërti, demokracitë duhet të flasin me më shumë qartësi.
Për shembull, si “klubi i të katërtve” mund të mbrojë dhe të promovojë vlerat liberale? Çështjet si emigracioni janë universale, por paqartësia politike dhe zhargoni i teknokracisë, bëhen shpesh objekt i debatit publik. Nëse liberalizmi do t’ia dalë ndonjëherë të bëjë të paarsyeshëm populizmin, votuesit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë ofrojnë liberalët.
Së fundi, forcat anti-populiste kanë nevojë për kurajo.
Pa të, asnjë sasi e llogaridhënies, drejtësisë, unitetit apo qartësisë nuk do të ndryshojë rrjedhën populiste. Për shembull, Makron duhet të lavdërohet për gatishmërinë e tij për të kundërshtuar politikën e urrejtjes që mbështetet nga zv/kryeministi i Italisë, Mateo Salvini ose kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Por guximi i vërtetë për Makron, do të ishte miratimi i politikave që përputhen me retorikën e tij. Emigracioni, që është duke u formësuar si çështja përcaktuese e zgjedhjeve evropiane të majit të ardhshëm, do të ishte vendi i duhur për të filluar.
Kush mund të kishte parashikuar, që 75 vjet pas rënies së fashizmit në Itali, se tani do të kishim një udhëheqës në Romë që po vepron si Musolini? Apo që në Gjermani – dhe veçanërisht në lindjen e dikurshme komuniste të vendit – do të riktheheshin ndjenjat e “pogromeve” kundër të huajve? Ose që në Suedi, e djathta ekstreme do të fitonte përkrahje, teksa po diskriminon hapur hebrenjtë?
Historiani britanik, A.J.P.Tejlor, kishte një pamje cinike mbi aftësinë e njerëzve për të mësuar nga gabimet e tyre. “Historia nuk mund të na mësojë asgjë që nuk e dimë, me vetëm një përjashtim” shkroi ai në një rast – “që Rusia s’duhet të pushtohet në fund të sezonit të verës”.
Udhëheqësit liberalë sot mund ta provojnë se Tejlor e kishte gabim. Populizmi ende mund të mposhtet, por për të fituar në klimën aktuale politike, forcat demokratike kanë nevojë për një narrativë të re.
Shënim:Dominique Moisi, është këshilltar në Institutin Montenj në Paris.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce