Albanologu Agron Fico është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkencave, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgiminë e popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar. Ai njihet ndryshe si “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”, pasi bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston.
Statusi nga Akademia e Shkencave
Ndërron jetë studiuesi i njohur Agron Fico,
“profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”
U nda nga jeta në mënyrë të papritur studiuesi i njohur Agron Fico, një prej dijetarëve që ia kushtoi tërë jetën trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar.
Komisioni i artit dhe trashëgimisë i Akademisë së Shkencave, në të cilin prof. Agron Fico dha kontribut të vyer deri sa pati frymë, u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve, gjithë bashkësisë së shkencave shqiptare, me të cilat qe e lidhur jeta e tij që prej mbi gjashtë dekadave. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që ia kanë kushtuar pasionet dijeve të identitetit dhe përurimit të vlerave shqiptare në botë.
Studimet e prof. Agron Ficos përbëjnë një pasuri dhe pikë referimi për studiuesit shqiptarë të disa fushave: në gjuhësi, etnokulturë dhe sidomos në epikën heroike legjendare. Personalitet i spikatur i botës shkencore shqiptare, prej disa dekadash, ai ka dhënë shumë në albanologjinë e brendshme dhe të jashtme.
Puna e këtij albanologu dhe studiuesi të palodhur është e lidhur ngushtë për disa dhjetëvjeçarë me disa fusha kërkimi e studimi.
Në punën dhe përpjekjet e palodhura të këtij njeriu me interesa të gjera e të shumanshme veçojmë ndihmesat e tij shkencore jashtë vendit kushtuar kulturës shqiptare, në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për popullin shqiptar organizuar në SHBA, Kinë, Greqi, Rumani e Turqi. Në vitin 2000 ai përfaqësoi vendin tonë në Kongresin VI Botëror për çështje të postkomunizmit në Europë e gjetkë, mbajtur në Finlandë.
Studiuesi Agron Fico është i pari studiues që, pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion, arriti të këshillojë koleksionin e famshëm Parry-Lord që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, që përmban mbi 60 këngë epike historike dhe legjendare kënduar nga rapsodë bilingë, shqip e serbokroatisht, mbledhur gjatë dy ekspeditave të homerologëve të famshëm amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord në Shqipërinë e Veriut dhe në Sanxhak e Novi Pazar.
Veprimtaria studimore dhe ajo universitare janë të pandara në jetën e prof. Agron Ficos. Përveç Universitetit të Tiranës, ai jo vetëm ligjëroi, por dhe bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. Prandaj ai është quajtur me të drejtë “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”.
Për meritat e tij të rralla Agron Fico është nderuar me “Çmimin e Republikës” dhe me mirënjohjen më të lartë universitare të Kinës për arritje akademike. Emri i tij gjendet midis emrave të profesorëve më të shquar universitarë amerikanë në leksikonin “Who’s Who Among American’s Teachers” (bot. 2000). Në dekadat e fundme ai ishte nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Ai është nderuar me titullin “doctor honoris causa” prej Universitetit “Eqrem Çabej” dhe ishte qytetar nderi i Gjirokastrës.
Akademia e Shkencave humbi një mik, koleg e bashkëpunëtor të vyer, shkencat shqiptare do ta ndiejnë mungesën e mendjes së tij.
Prehu në paqe, miku ynë Agron Fico!
Disa nga veprat e prof. Agron Ficos:
“Profesor në tre kontinente” (SHBA 2004);
“Diaspora e rilindur” (Tiranë 2006);
“Rilindja e Shqipërisë etnike” (Tiranë 2009);
“Beautiful America” (Tiranë 2014);
“Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard” (Tiranë 2016).
Tekste shkollore dhe universitare për të huajt:
“Gjuha shqipe”, metodë për studentët amerikanë;
“Unë flas shqip”, metodë e gjuhës shqipe për të huaj;
“Metodë e gjuhës shqipe”, I-IV, tekst për studentët kinezë;
“Histori e Shqipërisë”, tekst për studentët amerikanë.