Tokat e lëna në harresë apo jo të miradministruara, shteti do t’ua japë sipërmarrësve, me një shifër qesharake prej vetëm 1 euro/kontrata.
Kështu, e tillë është marrëveshja e firmosur nga Milva Ekonomi dhe pronari i kompanisë “Rozafa” sh.p.k., Gjergj Luca, për pasurinë “Objekte dhe truall”, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit në Labinot, Elbasan.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 52 mijë e 514 metër katrorë, ku kompania në fjalë do të ndërhyjë për ta shndërruar në fabrikë të përpunimit të peshkut. Sipas Ekonomit, kjo është një mbështetje që shteti u jep sipërmarrësve, ndërsa nuk kishte si të mungonte as falendërimi i pronarit Luca, i cili e konsideron këtë si një nxitje nga qeveria.