Një shqiptare është pretendente të shpallet “Volejbollistja më e mirë e vitit 2017 në Grupi A2” në Itali, pasi është renditur në 10 kandidatet e fundit. Bëhet fjalë për Erblira Bicin e cila prej dy sezonesh është pjesë e skuadrës LPM Mondovi. Bici është një ndër favoritet kryesore për tu shpallur lojtarja më e mirë e vitit, pasi ka dhënë një ndihmesë të madhe me pikët e saj duke e shpëtuar ekipin nga rënia në kategori më poshtë dhe momentalisht ndodhen në vendin e dytë në Grupin A2.
Bici konsiderohet si një nga kandidatet më të forta mes 10 finalisteve edhe për faktin se renditet në vendin e dytë të pikashënueseve të kësaj kategorie. Shtatlarta e kombëtares kuqezi e ka kaluar kuotën e 300 pikëve të realizuara për skuadrën e saj, vetëm në fazën e parë të kampionatit. Nën drejtimin e trajnerit Delmati, ajo ka arritur të shpalosë të gjithë potencialin e saj në sulm, duke qenë një nga pikat kryesore të skuadrës. Ky është edicioni i tretë që edhe në Grupin A2 jepet çmimi i volejbollistes më të mirë dhe këtë herë ky trofe mund të fitohet nga Erblira Bici.