Shqiptarët vijojnë të largohen nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera, pasi nuk shohin të ardhmen në vendin e lindjes. Në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë.
Të dhënat janë bërë publike sot nga një grafik i INSTAT, duke treguar faktin e dhimbshëm se 28 vjet pasi u shënua vala e parë e emigrimit, shqiptarët ende duan të ikin dhe shumë pak duan të kthehen.
Largimi i shqiptarëve në vitet e fundit të jep përshtypjet e viteve 1990, ku qindra e mijëra shqiptarë braktisën vendi për një jetë më të mirë në perëndim.
Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur një rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur. Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen.
Në shtatë vitet e fundit, njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Më pas renditet qarku i Durrësi me 285 mijë.
“Emigracioni, së bashku me rënien e lindshmërisë janë arsyet kryesore që po çojnë në tkurrjen e popullsisë. Instat raportoi sot se me 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë 2018, rezultoi 2.870.324 banorë duke pësuar një rënie me 0,2 % krahasuar me 1 Janar 2017”-shkruan Monitor.
NSTAT sqaron se Migracioni Neto (Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi) është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë INSTAT thotë se përdor të dhënat më të mira ’proxy’ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientet e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.
Fenomeni, pse po vazhdojnë të ikin shqiptarët
Emigracioni i trurit është duke dëmtuar rëndë edhe shërbimin shëndetësor në vend. Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në tre vitet e fundit, e kanë lënë vendin më shumë se 600 mjekë, ku vetëm gjatë 2017 kanë kërkuar referencë largimi rreth 167 të tillë, kryesisht kardiologë, ortopedë, pediatër etj. Përgatitja e një mjeku kërkon së paku 20 vjet vetëm arsimim, ndaj zëvendësimi i tyre është i vështirë. Ndërkohë spitalet e Sarandës, Përmetit dhe Dibrës janë pothuajse pa stafe mjekësore.Ndryshe nga fillimi i viteve 90, problematike është ikja e forcës së kualifikuar. Forca e aftë e punës ka qenë një problem i hershëm që ka shoqëruar sipërmarrjet shqiptare por, së fundmi, bizneset e sektorit call center, shërbimeve teknologjike dhe teknologjisë së informacionit kanë nisur të ndiejnë mungesën e interesit për të punësuar edhe operatorë të thjeshtë. Lorenc Goga, administrator i Facile.it, që ofron shërbime në ëeb marketing pohon se, në momente të caktuara, gjetja e disa profesioneve specifike ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm për IT, por edhe për ekonomistë të profilit, menaxherë etj.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2015-2017 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë, por nga ana tjetër, mijëra të tjerë janë laruar nga vendi me kontrata pune, studime, me Lotarinë Amerikane, me aplikime për në Kanada ose po bashkohen me të afërmit e tyre, teksa emigracioni i paligjshëm po lulëzon deri në Australinë e largët.
Tjetër problem është ikja e moshave të reja, që do të sjellin probleme më vonë në forcën e punës, uljen e produktivitetit dhe skemën e pensionit.
Më e keqja është se gjysma e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri po planifikojnë të ikin nga vendi. Sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017 janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi. Kjo tendencë po vjen në rritje, pasi më 2016 kishin pohuar se po merrnin në konsideratë të largoheshin nga vendi 48% e të anketuarve.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se problemi i papunësisë dhe i krijimit të vendeve të punës dhe me paga të pëlqyeshme do të jetë një sfidë për të cilën nuk ka ndonjë adresim të posaçëm nga autoritetet publike edhe për 2018-n. Për këtë arsye, problematika sociale dhe ekonomike do të vazhdojë të mbetet e mprehtë dhe serioze dhe shqiptarët do të dëshirojnë të largohen gjithnjë e më shumë në kërkim të mundësive më të mira. FMN llogariti në një studim të fundit mbi efektet e emigracionit në ekonominë e Ballkanit se, PBB-ja e Shqipërisë ka humbur 18% në dy dekadat e fundit, si rezultat i largimit masiv të “trurit”.