Malet e egra, varfëri dhe shpopullim masiv. Në fshatrat e Shqipërisë veriore, disa i rezistojnë tundimit për të ikur në qytet dhe shpresojnë për një fillim të ri, që do të bëhet nga zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe turizmi alternativ.Pas një ecje të gjatë në ujërat e argjendta të Liqenit të Komanit, dielli perëndon, prapa një maje mali.. Qielli i vjeshtës së vonë bëhet i paprekshëm si xhami i kristaltë.
Në këtë moment dita fillon t’i lërë vendin natës. E ndërsa ne jemi duke shkuar për në Mërtur, “në pjesën tjetër të botës”. Në pyjet masive, ngrihet ngadalë një shtëllungë mjegulle, pranë një lumi të trazuar.
Një llambë ndriçon shumë larg, së bashku me yjet e parë, që sinjalizon praninë e qenieve njerëzore.
Pastaj je i rrethuar nga errësira dhe heshtja.
Shpopullimi
Deri në fillim të viteve 1990, mbi njëqind familje jetojnë në shtëpitë katrore me gurë të bardhë të Mërtur, ku më së miri do të përshkruante praninë e tyre kënga e lashtë popullore “lulja rritet në gur”.
Në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të komunës së Pukës, në veri të Shqipërisë, kanë mbetur vetëm katër familje, plus disa njerëz të moshuar që kthehen gjatë muajve të verës.“Unë nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë vërtet se ç’do të thotë demokracia, ata thjesht mendojnë të iknin drejt qytetit”
Ne u takuam me Lukë Hasanin, i cili është kreu i një prej familjeve që ka vendosur të qëndrojnë në këtë fshat, tani për tani.
“Kur u rrëzua regjimi komunist, të gjithë ikën në Tiranë, Shkodër, Lezhë ose Durrës. Shumë nuk e përjetuam mirë këtë situatë, sidomos të moshuarit. Qyteti nuk është për të gjithë, dhe kthimi më pas në fshat është pothuajse i pamundur”.
Luka duket i ngazëllyer dhe duruar, i cili bashkë me gruan e tij, Bardha, u kujdesën për zgjoin e bletëve, dhe më pas ushqyen lopët dhe viçat.
Pashku, djali i e tyre i madh bashkë me vëllanë e tij Ndue, kujdeseshin për dhitë dhe delet, të cilat sapo i kishin sjellë nga kullota. Dhe përherë e zënë me punët e shtëpisë, nusja e Pashkut, Malbora hynte dhe dilte nga shtëpia, me qëllim përgatitjen e drekës. Ato punë të renda binin mbi kurrizin e asaj gruaje të vogël, të heshtur dhe me plot energji.
Fati i Mërturit, megjithëse ekstrem, nuk është unik: I gjithë rrethi i Pukës, i formuar nga dy komuna – vetë Puka dhe Fushë Arrëzi, më tutje në lindje – kanë pësuar shpopullim shkatërrues në dekadat e fundit, duke shkuar nga rreth 59,000 banorë të regjistruar në vitin 1990 ku aktualisht kanë mbetur vetë, 33,000.
Rënia shkatërruese e diktaturës komuniste shqiptare – më paranojake dhe hermetike në Evropën Lindore – është zvarritur përgjatë sistemit të saj ekonomik nga lart-poshtë, i bazuar në këtë rajon në fushën e minierave dhe menaxhimit të pyjeve.
Sot Puka është një nga zonat më të varfra në Shqipëri: pothuajse gjysma e familjeve marrin një lloj ndihme sociale dhe dy të tretat e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë.
Sfidat për ata që qëndrojnë
Kryefamiljari, Luka, kishte pësuar një aksident fatkeq, pasi gjatë peshkimit kohë më parë kishte humbur njërin krah.
“Me vetëm një krah, gjetja e një pune në qytet ishte e vështirë, dhe pastaj dashuria për Mërturin, për rrënjët tona: paraardhësit tanë thuhet se kanë ardhur këtu 300 vjet më parë, nga një fshat pranë Krujës, gjatë pushtimit turk”, thotë Luka.
Dreka u shtrua, Luka u ul në krye të tryezës, rreth tij pjesëtarët e tjerë të familjes, dhe pastaj mysafirët.
Mikpritja e familjes Hasani ishte esenciale: gjella kryesore ishte “fërlik” (kec i pjekur), së bashku me patate të skuqura, djathë të freskët dhie, mëlçi dhe “turshi” – perime në shëllirë e vlerësuar që nga Ballkani në Lindjen e Mesme. E gjithë kjo, sigurisht, e shoqëruar nga “raki”.
“Unë ende besoj se e ardhmja është më e mirë sesa në qytet”, tha Pashku, i cili pas diplomimit në Tiranë punon tani si veterinar për komunën e Fushë Arrëzit.
“Por, qëndrimi është një zgjedhje e vështirë. Këtu jemi larguar nga gjithçka, ne duhet të jemi të vetëmjaftueshëm në të gjitha gjërat, dhe premtimet e shumta të bëra gjatë viteve të fundit nga politikanët dhe administratorët kanë mbetur fjalë të zbrazëta”.
Rruga që drejton për në Iballë, në pjesën e poshtme të luginës, deri në Mërtur, është plot me kthesa, dhe e vendosur rrëzë një shkëmbi.
“Çdo dimër, kur bie, ne mbetemi të izoluar, madje për muaj të tërë: lidhja e vetme me pjesën tjetër të botës është pastaj trageti që kalon Liqenin e Komanit. Ne duhet të kujdesemi për rrugën vetë: kurrë nuk kemi marrë ndonjë ndihmë nga bashkia apo qeveria,” shton me hidhërim Pashku.
Dhoma ku rrinin pasqyronte seriozitetin e shtëpisë dykatëshe. Qytetërimi bashkëkohor shfaqet vetëm nga ekrani i errët i një televizori të vjetër.
“Jeta këtu është e thjeshtë, nëse gjithçka shkon mirë, fiton mjaftueshëm për të jetuar”, vazhdon Luka, “por ndoshta paraja nuk është as problemi më i madh. Ka tre fëmijë në fshat dhe dy mësues, të cilët vijnë çdo ditë në këmbë ose me motoçikleta nga fshati Berisha. Deri në vitet 1990, kishte mbi 170 fëmijë!”.
Bujqësia dhe blegtoria
Bujqësia dhe blegtoria luajnë një rol themelor në ekonominë e rajonit të Pukës. Sipas të dhënave të pakta në dispozicion, 70% e familjeve në zonat rurale jetojnë vetëm në bujqësi dhe bagëti. Mundësitë alternative janë të pakta në fshatra.
Për shembull, Malbora është e diplomuar për mësuese, duke pasur parasysh mungesën e fëmijëve në fshat, është e pamundur që ajo të punësohet në profesion. “Natyrisht, do të doja të mësoja nxënës, më pëlqen më shumë, por të jesh një mësues, duhet të shkosh në qytet”, pohon në një zë të ëmbël. Vështrimi i saj ndriçon, pastaj ulet dhe duket se humbet shumë larg.
Por, të gjithë banorët që jetojnë këtu merren me rritjen e dhive dhe deleve. Familja Hasani, ka 130 dhi dhe 50 dele; në stallë, gjashtë lopë dhe pesë viça. Ndryshe nga shumica e prodhuesve lokalë, jo të gjitha prodhimet e qumështit përdoren për vetë-konsum.
“Djathi i dhive është shumë i rëndësishëm në ekonominë familjare. Këtë vit ne kemi arritur të shesim rreth 800 kilogramë së bashku me njëqind keca”, thotë Pashku.
“Pjesën më të madhe të djathit u shesim të afërmve, miqve të njohur Iballë ose Fushë Arrëz, njerëz që e njohin cilësinë e kullotave tona dhe produkteve tona”, shton Bardha.
“Për fat të mirë, kemi një të afërm në Tiranë, i cili ka një dyqan të vogël, atje djathi shitet me një çmim më të mirë”.
Megjithëse ato janë ndoshta më mirë se shumë të tjerë, Hasanët vuajnë vështirësitë dhe pengesat si: izolimi, numri i kufizuar i kafshëve, toka pak e kultivuar, mungesa e infrastrukturës për përpunimin e produkteve të qumështit, tregu informal në kufijtë e ligjshmërisë, mungesa e një emërtimi të regjistruar të origjinës për produktet rajonale.“Për të ndërtuar një të ardhme këtu, ideja – me të vërtetë, nevoja – është të ndërtojë një stacion të ri, të marrë 200 dhi dhe të krijojë kushtet për të ofruar një produkt më të mirë”, thotë Pashku.
“Më shumë sasi dhe më shumë cilësi, përndryshe ne do të detyrohemi të heqim dorë, ashtu si shumë të tjerë që bënte njëjtën gjë përpara nesh”.
Një udhëtim në Blinisht
Rruga që të çon në Blinisht është ndoshta në kushte edhe më të këqija se sa ajo që na dërgoi në Mërtur. Gjeografikisht, Blinishti është më afër Fushë-Arrëzit, por këtu distancat fizike janë relative, ajo që bie në sy është cilësia e dobët e infrastrukturës.
Blinishti është gjithashtu në prag të zhdukjes. Një duzinë familjesh, kanë mbetur vetëm shtatëdhjetë persona. Ndër ata është dhe familja e Gjergji Prendit.
Sot, në tryezën e tij, ka një grup miqsh dhe fshatarësh: Edmondi, Petriti, Arseni. Pjata të thjeshta dhe të shijshme, rrush, patate, djathë, të shoqëruar nga rakia e pashmangshme, e cila ngroh zemrën dhe çliron gjuhën.
Në dy prej mureve të errëta vareshin piktura fetare, të mbuluara me lule me ngjyra dhe disa lule të thara: nga njëra anë, një Jezu Krisht në një tunikë të gjatë, të bardhë dhe blu; në anën tjetër, një Madonë e veshur me vjollcë të ndritshme.
Feja katolike është dominante në rajonin e Pukës si një pjesë qendrore e identitetit historik dhe kolektiv të maleve të Shqipërisë së Veriut.
Rreth 80% e popullsisë i përket katolicizmit romak, ndërsa 20% e mbetur janë myslimanë, në një zonë të tolerancës tradicionale ndërfetare.
“Ne të gjithë emigruam nga Blinishti dhe përfundimisht disa prej nesh u kthyen, nga domosdoshmëria ose melankolia. Megjithatë, nuk jam aspak i sigurt se do të jemi në gjendje të qëndrojmë”, beson Gjergjit në fund të vaktit, me sy të ndritshëm me një blu të thellë, e të gjallë.
Prapa derës, në një qoshe të ngritur, qëndron një piramidë e vogël me valixhe boshe të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. “Sa herë që shkoja në Greqi për të punuar, sillja gjëra nga atje. Çdo udhëtim, një valixhe”, buzëqesh ai.
Të gjithë kanë histori emigrimi dhe punë të vështirë për të treguar, veçanërisht në Itali dhe Greqi. “Vitet e para kemi hyrë në Greqi në mënyrë të paligjshme, duke kaluar kufirin në këmbë, me frikën e kapjes dhe kthimit”, kujton Petriti, fëmijët e të cilëve ecin çdo ditë për më shumë se dy orë për të shkuar në shkollë në Fushë Arrëz.
Edmondi provoi shërbimin ushtarak, përfshirë në një mision në Mosul, Irakun e veriut, ku ushtria shqiptare operonte në mbështetje të trupave amerikane.
“Në fund, megjithatë, edhe atje për tu pranuar në misione të reja ju duhet të paguani ryshfet tek zyrtarët e lartë, përndryshe ju qëndruat në shtëpi”.
Më vonë, thotë ai, ka punuar gjerësisht si punëtor bujqësor, së pari në Francë dhe pastaj rreth Piacenzës, por në fund, ai u kthye edhe në Blinisht.
“Ne të gjithë kemi rreth 50-60 kafshë, sidomos dhitë, plus disa lopë: e vështirë për të shkuar përtej mbijetesës. Tani ne kemi në plan të përpiqemi të bashkëpunojmë më shumë, duke ndërtuar një baxho kolektive [fabrika e djathit të vogël me madhësi artizanale] për të përmirësuar cilësinë e djathit, mendoj se është një shans i mirë, dhe për të mos u humbur”.
Sidoqoftë, pyetja që bëri Edmondi, ishte një klithje!
Duke ulur papritmas zërin ai tha: “Si mund të gjejmë një grua, si mund ta bindim një grua që të vijë këtu, në mes të askundit? Për të hyrë në shtëpinë time nuk ka as një rrugë, ne arrijmë vetëm me mushkë, me kalë”.
Pamjet e grupit mbeten të pezulluara përgjatë mureve të heshtura.
Përshtati nga Observatori Ballkanik TIRANA TODAY