(CNN) Poli Magnetik i Veriut po lëviz në drejim të Rusisë me një shpejtësi të frikshme. Shpejtësia është aq e papritur dhe e pallogaritur, saqë është bërë problem për orientimin e smartfonëve si dhe për sistemet e navigimit.
Poli i Veriut ka qenë miku i navigatorëve për mijëvjeçarë, duke shërbyer si busull orientimi për pothuajse çdo pikë në planet. Porse duke filluar që nga viti 1831, poli është duke u zhvendosur nga Arktiku Kanadez në drejtim të Rusisë.
Ritmi i lëvizjes drejt Siberisë, në vitet e fundit, është përllogaritur të jetë rreth 34 milje (56 kilometër) në vit, duke bërë të detyrueshëm, një vit përpara afatit, azhornimin e Modelit Botëror Magnetik të përdorur nga sistemet naviguese civile, nga NATO dhe ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe britanike.
Modeli, i cili është porositur nga agjencitë ushtarake britanike dhe amerikane, rifreskohet çdo pesë vjet, por agjencia shpjegoi se përditësimi jashtë ciklit do të sigurojë një navigim më të sigurt për ushtrinë, linjat ajrore tregtare, operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, dhe të tjerët që operojnë pranë Polit të Veriut.
Shkencëtarët e vunë re ndryshimin për herë të parë në vitin 2018, kjo falë sasisë së madhe të të dhënave satelitore, që treguan se poli ka shkuar përtej zonës së parashikuar të modelit.
Lëvizja është shkaktuar nga proceset e thella brenda planetit. Fusha magnetike e Tokës është krijuar në mbështjelljen e jashtme të pjesë së lëngshme që përbëhet nga hekuri dhe nikeli i lëngshëm.
Në fillim lëvizja ka qenë e ngadaltë – rreth 6 milje (9.6 km) në vit, midis viteve 1900 dhe 1980 dhe në rreth 24 (38.4 km) deri në 31 milje (49.6 km) në vit në dy dekadat e fundit.
Porse shkencëtarët thonë se nuk ka asgjë për tu shqetësuar për shkakun se fusha magnetike e tokës ndryshon vazhdimisht dhe se kjo është pjese sjelljes së saj të natyrshme.
Nga ana tjetër fenomeni i zhvendosjes së Polit Magnetik nuk ka asnjë lidhje me pozicionimin gjeografik të Polit të Veriut, apo me Polin Gjeografik të Veriut, pasi janë koncepte të ndryshme.
Poli Gjeografik i Veriut nuk ka lëvizur nga vendi, kështu që popullsia e Rusisë nuk ka pse të frikësohet se në një të ardhme, për shkak të lëvizjes së Polit Magnetik, të goditet nga temperatura të ulëta që mund të largojnë, apo më keq, të shfarosin popullsinë.
Përktheu dhe përshtati TIRANA TODAY