Drejtuesit e ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’, ish-kongresmeni Joe DioGuardi dhe Shirley Cloys DioGuardi theksojnë se Serbia duhet të njohë më parë Kosovën, pastaj të diskutohet për të shkëmbyer territore apo korrigjuar kufijtë mes dy vendeve.
Në një intervistë për gazetarin Saimir Sulaj, ish-kongresmeni Joe DioGuardi Shirley Cloys DioGuardi shpjegon se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është ajo çka kërkon vetë Bashkimi Evropian.
Megjithatë, ai ka një sugjerim për liderët shqiptarë se nuk duhet t’i zënë besë serbëve, sepse e kanë treguar me Millosheviçin.
“Kështu që unë po ju drejtohem liderëve shqiptarë dhe e kam thënë edhe më parë në televizion dhe e përsëris. Po i drejtohem përmes medias. Mos u zini besë fjalëve të serbëve, por veprave të tyre. Ne duhet të shohim që serbët do të bëjnë diçka të drejtë dhe diçka e drejtë do të thotë le të bëjmë diçka të mirë për njerëzit. Serbët, jo qeveria por njerëzit, serbët dhe shqiptarët në Preshevë duhet të kenë identitetin e tyre. Dhe unë besoj se Presheva i përket Kosovës dhe pjesa më veriore, në majë të Kosovës, i përket Serbisë. Kjo është mënyra se si duhet të nisë. Por ka ndërlikime, sepse ne e dimë se ka edhe serbë të tjerë që jetojnë në jug të lumit Ibër dhe ata duhen trajtuar nga Kosova si qytetarë të saj me të drejtat e tyre kombëtare dhe të gjuhës, ashtu siç ne presim që të trajtohen edhe shqiptarët në Maqedoni. Dëshiroj që t’ju them se ka një përgjigje të thjeshtë për këtë temë, por nuk ka. Le të kemi një diskutim të hapur, ku njerëzit mund ta dëgjojnë. Sepse çfarëdo që të jetë zgjidhja, duhet që të mbështetet nga njerëzit, përndryshe do të ketë lloje të ndryshme konfliktesh në të ardhmen.”
Edhe Shirley Cloys DioGuardi ndan të njëjtin mendim: “Pikësëpari, sipas Kushtetutës së Kosovës Hashim Thaçi nuk ka të drejtë që të hyjë në këto diskutime. Së dyti, përpara se të jetë shumë vonë, gjëja e parë që duhet thënë është se nuk mund të ketë asnjë diskutim të këtij lloji apo të çfarëdollojti gjersa të ketë një njohje universale të pavarësisë së Kosovës, realitetit të Kosovës si shtet sovran, së pari nga Serbia, por edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende”, theksoi njohësja e çështjeve të Ballkanit dhe përfaqësuesja e LQSHA, Shirley Cloyes DioGuardi.
Biseda e plotë e realizuar nga gazetari Saimir Sulaj për agjencinë INA, në Uashington: Zoti DioGuardi kemi dëgjuar shumë së fundmi për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Lungina e Preshevës kërkon të ribashkohet me Kosovën dhe vetë Kosova mbase duhet të heqë dorë nga veriu i vendit. Kemi dëgjuar politikanët shqiptarë në Kosovë kohët e fundit. Cili është mendimi juaj për këtë çështje? A jeni pro shkëmbimit të territoreve? Dhe nëse jeni pro, përse?
Joe DioGuardi: Shqiptarët e Preshevës, disa thonë se janë 100 mijë, mbase janë më pak deri në 50 mijë, por nuk e dimë. Serbët nuk lejojnë të bëhet një census i ndershëm. Nuk e dimë ende edhe se sa shqiptarë janë në Maqedoni. Ata janë të paktën 800 mijë dhe unë mendoj mbase edhe mbi një milion. Por ata thonë jo, janë vetëm 25 për qind, që do të thotë se janë vetëm 500 mijë shqiptarë. E gjithë kjo është lojë politike, sepse nëse ata e pranojnë se janë shumë shqiptarë, atëherë duhet të bëjnë shumë më shumë për të drejtat e tyre, siç është pikëpamja ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Pra, sa shqiptarë gjenden në Preshevë, le të themi 50 mijë ose më shumë. Këta njerëz po shtypen në mënyrën më të keqe, më shumë se çdo shqiptar tjetër. Sepse Serbia nuk i respekton të drejtat e tyre. Nuk i lejon ata të kenë të drejtat e tyre kombëtare. Madje as flamurin. Ne kemi probleme me respektimin e flamurit në Maqedoni. Në Serbi kemi problem edhe më të madh. Kjo pjesë e Ballkanit, dikur pjesë e Kosovës deri në vitin 1956 dhe që iu mor Kosovës, përse të mos mendojmë për të. Serbët janë kaq aktivë me propagandën e tyre për veriun duke thënë se është tyri. Në fakt, ata nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës ende. Pra, së pari duhet thënë që, dhe këtë do ta dëgjosh nga Shirley dhe gjithkush tjetër, ne nuk duhet të flasim derisa Serbia të thotë se ne e njohim pavarësinë e Kosovës. Pasi kjo të ndodhë, tregohet se kemi mirëbesim mes palëve. Serbia ka një arsye përse duhet ta bëjë këtë, pasi dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Dhe BE ia ka thënë Serbisë: Duhet të tregohesh fqinj i mirë. Nëse nuk je fqinj i mirë, mos e mendo se do të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian. Serbët janë fqinj të tmerrshëm për shqiptarët. Ata gënjejnë, ata trazojnë ujërat, ata manipulojnë dhe kanë politikanë në Shqipëri dhe veçanërisht në Kosovë, dhe mund të përmend emrat e tyre, si Thaçi dhe Haradinaj, që kanë strategjinë e tyre vetjake, bazuar në atë që beson partia e tyre, në atë që ata besojnë. Nuk është ajo që njerëzit duan. Pra, deri tani ne nuk e dimë. Thaçi mbi të gjithë, është i shqetësuar se shkon si i pandehur në Gjykatën e Hagës apo në Gjykatën Speciale dhe kështu që ai është i gatshëm për të bërë lëshime.
Pra ju po thoni se përpara se të bisedohet për të shkëmbyer territore, Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës?
Joe DioGuardi: Absolutisht. Nuk mund t’u zësh besë serbëve. Ashtu siç nuk mund t’i besosh Putinit, nuk mund t’u besosh serbëve. Ata gënjejnë. Shihni se çfarë ndodhi me Millosheviçin. Ai gënjeu për gjithçka. Mendoj se në një moment në Sarajevë ai vrau edhe ushtarët e tij për të fajësuar shqiptarët. Kjo tregon se sa të pamoralshëm janë sllavët. Vuçiç dhe Daçiç rrjedhin pikërisht nga kjo linjë politikanësh. Të gjithë rrjedhin nga, Cubilloviç nga viti 1939, i cili shkruajti esenë “Shpërngulja e shqiptarëve”. Ata nuk donin t’ia dinin fare për njerëzit. Ata donin tokën. Si rregullohet kjo çështje? Serbia ka një ekonomi të dështuar. Ata kanë nevojë për njerëzit që të mbështesin politikanët dhe e dinë këtë gjë. Kështu që këta politikanë duhet të dalin me diçka. Por në të njëjtën kohë ata kanë frikë të prekin çështjen e pavarësisë së Kosovës, sepse ata prej kohësh thonë së bashku me priftërinjtë orthodoksë, të cilët janë njësh me politikën atje, jo si në SHBA ku kisha është e ndarë nga shteti, se Kosova është Jeruzalemi i tyre. Ata vijojnë të gënjejnë për këtë që prej vitit 1389 nga beteja e Fushë Kosovës. Dhe është shumë e vështirë tashmë për ta që të thonë se në rregull, po e lëshojmë Kosovën te shqiptarët, sepse ata i kanë bindur serbët se është toka e tyre. Por kjo është gënjeshtër dhe nuk ekziston. Kosova është e pavarur. Është njohur nga 116 shtete nga 192 vende anëtare të OKB-së. Njihet nga 23 shtete, prej 28 vendeve të Bashkimit Europian. Kështu që ka marrë fund për Serbinë. Serbia duhet të thotë, në rregull le të bëjmë diçka të paktën. Le të nisim me Preshevën dhe këtë grup serbësh në veri të Kosovës e të mundohemi të gjejmë se çfarë është e mirë për njerëzit. Unë mendoj se një prej gjërave që duhet biseduar në tryezë, dhe Thaçi nuk dëshiron të flasë për termin shkëmbim. Mbase nuk është fjala e duhur dhe ata tani po flasin për rregullim kufijsh ashtu siç bënë me Malin e Zi, demarkacion të kufijve. Por kjo është një lojë fjalësh për t’i rënë rrotull çështjes. Por unë nuk kam as dyshimin më të vogël se Presheva i përket Kosovës.
Por përpara se të shkëmbejnë territoret Serbia duhet të dalë e të njohë pavarësinë e Kosovës?
Joe DioGuardi: Po, sepse kjo tregon respekt. Kjo është ajo çka kërkon edhe Bashkimi Evropian, që çdo shtet të respektojë shtetet e tjera nëse do të kemi një bashkim. Dhe në këtë mënyrë kemi një bashkim nën Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian.
Kështu që unë po ju drejtohem liderëve shqiptarë dhe e kam thënë edhe më parë në televizion dhe e përsëris. Po i drejtohem përmes medias. Mos u zini besë fjalëve të serbëve, por veprave të tyre. Ne duhet të shohim që serbët do të bëjnë diçka të drejtë dhe diçka e drejtë do të thotë le të bëjmë diçka të mirë për njerëzit. Serbët, jo qeveria por njerëzit, serbët dhe shqiptarët në Preshevë duhet të kenë identitetin e tyre. Dhe unë besoj se Presheva i përket Kosovës dhe pjesa më veriore, në majë të Kosovës, i përket Serbisë. Kjo është mënyra se si duhet të nisë. Por ka ndërlikime, sepse ne e dimë se ka edhe serbë të tjerë që jetojnë në jug të lumit Ibër dhe ata duhen trajtuar nga Kosova si qytetarë të saj me të drejtat e tyre kombëtare dhe të gjuhës, ashtu siç ne presim që të trajtohen edhe shqiptarët në Maqedoni. Dëshiroj që t’ju them se ka një përgjigje të thjeshtë për këtë temë, por nuk ka. Le të kemi një diskutim të hapur, ku njerëzit mund ta dëgjojnë. Sepse çfarëdo që të jetë zgjidhja, duhet që të mbështetet nga njerëzit, përndryshe do të ketë lloje të ndryshme konfliktesh në të ardhmen.
Biseda me Shirley Cloyes DioGuadi: Po ashtu cili është mendimi juaj për idenë dhe debatet e fundit për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?
Shirley Cloys DioGuardi: Pikësëpari, sipas Kushtetutës së Kosovës Hashim Thaçi nuk ka të drejtë që të hyjë në këto diskutime. Së dyti, përpara se të jetë shumë vonë, gjëja e parë që duhet thënë është se nuk mund të ketë asnjë diskutim të këtij lloji apo të çfarëdolloji gjersa të ketë një njohje universale të pavarësisë së Kosovës, realitetit të Kosovës si shtet sovran, së pari nga Serbia, por edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende. Janë Sllovakia, Rumania, Qipro, Greqia dhe Spanja. Përse nuk e shohim klasën politike që të paktën të kërkojnë që këta vende të njohin shtetin e Kosovës përpara se të ketë çdo lloj diskutimi? Përse klasa politike, njerëzit që nuk janë pjesë e PDK-së, nuk duan të përballen me Presidentin Thaçi? Përse jo? Përse Presidenti Thaçi është kthyer të flasë me Presidentin Vuçiç?
Mbase sepse është i shqetësuar se mund të dalë si i pandehur përpara Gjykatës Speciale? Kjo është ajo çka mendojnë të gjithë. Por sa vite kanë kaluar qëkurse është përmendur Gjykata Speciale dhe askush nuk ka dalë para asaj gjykate? Edhe nëse themi se kjo do të jetë diçka që do të ndodhë në të ardhmen, Hashim Thaçi nuk do të shpëtojë prej saj, nëse ai do të duhet të dalë para asaj gjykate. Por nëse ai vijon këtë, e ardhmja e Kosovës do të jetë e rrezikuar me të vërtetë. Është shumë shumë e rëndësishme që së pari të njihet universalisht pavarësia e Kosovës. Së dyti, nëse në fakt këto negociata për shkëmbimin e territoreve hapen, duhet të ketë transparencë nga perëndimi dhe nga të gjithë liderët politikë në Ballkan.
Por nëse vendimi është marrë tashmë, në rregull atëherë, pjesa më veriore e Kosovës është e humbur gjithsesi dhe ata njerëz, ata serbë të Kosovës duan të bëhen pjesë e Serbisë. Le të themi se kemi arritur në atë pikë dhe ajo pjesë e veriut, jo vetëm ideja e pjesës në veri të lumit Ibër, por është edhe më tutje më në veri, kërkon të jetë nën Serbinë, atëherë po, në mënyrë automatike Lugina e Preshevës duhet të bëhet pjesë e Kosovës.
Nuk mund të jetë rrugë me vetëm një kalim. Një gjë tjetër që më shqetëson dhe për të cilën politikanët shqiptarë të Kosovës nuk flasin prej vitesh, sepse Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është marrë me çështje të Preshevës që prej konfliktit të vitit 2001, përse nuk dëgjojmë mjaftueshëm për faktin që serbët e Kosovës, 80 për qind e të cilëve janë në jug të lumit Ibër, kanë të drejta të barabarta me shqiptarët.
Ajo që nuk dëgjojmë është se serbët në veri të Kosovës kanë nivelin më të lartë të të drejtave civile dhe njerëzore se çdo pakicë tjetër kombëtare në Ballkan dhe në të njëjtën kohë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, kemi të dhënat më të këqija sa i përket të drejtave civile dhe njerëzore për popullsinë shqiptare atje. Dhe meqë ra fjala, duhet të shtoj, se harrova, në diskutimin nëse pjesë të veriut të Kosovës duhet t’i kalojnë Serbisë dhe Lugina e Preshevës t’i kalojë Kosovës, është thënë se ka gjasa që të bëhet fjalë vetëm për Preshevën dhe jo Medvegjën dhe Bujanovcin.
Ku po shkon e gjitha kjo? Askush nuk e di. Askush nuk e di. Duhet të ketë një zë nga njerëzit në Kosovë. Njerëzit guximtarë duhet të dalin e të sfidojnë faktin që Presidenti Thaçi nuk e ka të drejtën që ta përparojë më tej këtë diskutim dhe që të kërkojnë që komuniteti ndërkombëtarë do të sigurojë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se askush nuk duhet të vazhdojë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit gjersa njohja e Kosovës të jetë vendimi përfundimtar.(INA)