Shqipëria U21 ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme, duke mposhtur Bjellorusinë me rezultatin 3-2. Ndeshja u zhvillua në “Elbasan Arena” dhe kuqezinjtë e Alban Bushit edhe pse me shumë ndryshime zhvilluan një lojë mjaft të bukur dhe bindëse, pavarësisht se u ndëshkuan dy herë.
Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh, por më pas në fundin e së parës, Shefiti barazoi shifrat pas një aksioni mjaft të bukur të marrë nga e djathta nga kapiteni Seferi. Kjo ishte ndeshja e parë debutuese nga Shefiti dhe e festoi në mënyrën më të mirë, me një gol mjaft të bukur.
Në pjesën e dytë Bushi hedh në fushë Sahitin, i cili tregon të gjitha vlerat. Në minutën e 64’ shënon një supergol, ku pasi shmang çdo lojtarë që i del para del i vetëm përballë portierit dhe shënon me mjaft mjeshtëri.
Në të 80’-ën minutë është sërish Sahiti që shënon një perlë nga jashtë zone, topi fillimisht prek shtyllën dhe më pas përfundon në rrjetë.
Në minutat e fundit ekipi i Bushit i “fali” një tjetër gol bjellorusëve, por gjithsesi në fund djemtë tanë morën një fitore. Disa ditë më parë, kuqezinjtë u mundën po në Elbasan nga Bosnja.