Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtrënguar vizat për shtetasit rusë, pasi këta të fundit do t’i marrin vizat në të ardhmen vetëm në Moskë, jo më në konsulatat e përgjithshme në qytetet e tjera të vendit.
Uashingtoni kufizoi në mënyrë drastike dhënien e vizave për rusët, pasi Rusia tërhoqi qindra punonjës të misionit diplomatik amerikan.
Kështu, me shtimin e masave, shumë njerëzve do t’u duhet të udhëtojnë me mijëra kilometra për të marrë një vizë dhe nuk janë të paktë ata që nuk e përballojnë dot rrugën e gjatë dhe të shtrenjtë për në kryeqytetin rus.
Sipas ekspertëve, numri i rusëve që do të udhëtojnë drejt Amerikës do të tkurret ndjeshëm pas këtij vendimi.