Nga Janusz Bugajski, “Center for European Policy Analysis”/Që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990, një parim udhërrëfyes në Ballkanin Perëndimor, është se nëse lajmi i mirë mbërrin në mëngjes, lajmi i keq do të pasojë deri në fund të ditës.
Prandaj, lajmet për zgjidhjen pas dy dekadash të konfliktit midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi çështjen e emrit, duhet të trajtohen me kujdes, në një kohë kur po shfaqet në horizont, konflikti i përtërirë në Bosnjë Hercegovinë.
Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe ai maqedonas Zoran Zaev, nënshkruan më në fund një marrëveshje për të riemërtuar ish-republikën jugosllave “Maqedonia e Veriut”.
Me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm të Athinës, Maqedonia mbajti emrin e vet, gjuha do të mbetet “maqedonase”, dhe kombësia e saj do të përcaktohet si “maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore”.
Shkupi bëri gjithashtu një kompromis të rëndësishëm, duke rënë dakord të ndryshojë kushtetutën, në mënyrë që emërtimi “Republika e Maqedonisë Veriore”, të përdoret si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në vend.
Megjithatë, marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet maqedonase dhe greke, dhe nëpërmjet një referendumi popullor në Maqedoni.
Për këto arsye, vendi rrezikon të përjetojë një verë të gjatë e të nxehtë, teksa po përshkallëzohen marrëveshjet e brendshme mbi marrëveshjen.
Në Maqedoni, qeveria e socialdemokratëve qëndron mbi ekuilibra të brishtë, dhe do të ketë shumë probleme për të mbledhur shumicën e dy të tretave të nevojshme, për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
Zaev mund të ketë nevojë të kërkojë zgjedhje të parakohshme, për të mbështetur nismën e tij parlamentare. Qeveria maqedonase, do të organizojë gjithashtu një referendum, dhe duhet të bindë shumicën e qytetarëve se një ndryshim në emrin e vendit, do të sjellë përfitime konkrete duke hapur rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE.
Partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE ka të ngjarë të nisë një fushatë intensive kundër marrëveshjes, ndërsa grupime të ndryshme nacionaliste kanë filluar tashmë të organizojnë protesta në rrugë.
Qeveria greke, përballet ndërkohë me rezistencën e brendshme ndaj marrëveshjes me Maqedoninë.
Partnerët e koalicionit të Tsipras, Grekët e Pavarur, duken se do ta kundërshtojnë me siguri atë, dhe do të detyrojnë qeverinë të kërkojë mbështetjen e opozitës.
Priten protesta të gjera publike, dhe kjo do ta bëjë gjithnjë e më të vështirë miratimin e marrëveshjes në parlament. Athina ka premtuar të heqë veton mbi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, sapo Shkupi të miratojë ndryshimet kushtetuese.
Me marrëveshjen e lavdëruar gjerësisht në Bruksel dhe Uashington, lojtarët ndërkombëtarë duhet të përqendrohen në inkurajimin e votuesve maqedonas.
Një hap i rëndësishëm, do të ishte që samiti i ardhshëm i NATO-s të njoftojë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin. Hyrja në BE do të marrë shumë më tepër kohë, veçanërisht pasi vetë unioni mbetet i ndarë nëse do të vazhdojë apo jo zgjerimi.
Për të ndihmuar në nxitjen e një rezultati pozitiv për referendumin, udhëheqësit e BE-së, do të duhet t’i japin Maqedonisë dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve të pranimit.
Shkupi ka arritur tashmë në një moment të rëndësishëm në historinë e vet. Nëse votat janë pozitive, vendi do të fitojë vrull për integrimin e plotë ndërkombëtar.
Kjo do të zhvlerësonte nacionalizmin dhe separatizmin në vend, dhe do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit.
Megjithatë, nëse votimi parlamentar në Shkup apo Athinë dështon, apo marrëveshja refuzohet në një referendum, Maqedonia do të ketë humbur një mundësi unike për t’i dhënë fund izolimit të saj.
Ngërçi midis Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht nga presioni i madh i SHBA-së dhe BE-së për të “normalizuar” marrëdhëniet, dëmton më tej stabilitetin rajonal.
Beogradi dhe Prishtina, duhet të ndjekin shembullin e Athinës dhe Shkupit, për të arritur një marrëveshje historike, në të cilën një shkallë e autonomisë së pakicës serbe në Kosovë, i mundëson Beogradit të zhbllokojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në një kontrast të thellë, propozimet e fundit për shkëmbime territoriale midis dy shteteve, mund të stimulojnë ambiciet irredentiste në rajon.
Retë e “stuhisë” po mblidhen edhe mbi Bosnje-Hercegovinën, teksa po afrohen zgjedhjet parlamentare të tetorit. Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka hedhur poshtë idenë e një referendumi mbi ndarjen, por situata mund të shpërthejë, edhe pa një provokim të tillë të drejtpërdrejtë.
Nëse zgjedhjet nuk ndryshojnë statuskuonë dhe nëse dështon formimi i një qeverie qendrore apo miratimi i një buxheti kombëtar, kjo mund të bëhet pretekst që njësia serbe të tërhiqet nga të gjitha institucionet qendrore dhe të deklarojë shtetësinë.
Në një skenar më të keq, separatizmi serb do të çonte në përleshje të armatosura midis serbëve dhe myslimanëve boshnjakë, duke provokuar ndërhyrjen ushtarake nga Zagrebi dhe Beogradi, me një rrezik të konsiderueshëm për përplasje midis dy fqinjëve.
Trupat e kufizuara ushtarake të EUFOR-it do të futeshin shpejt në kaos, ndërsa NATO mund të zhytet në një konflikt të përshkallëzuar, për të respektuar përkushtimin e tij nenit 5 për aleaten e tij, Kroacinë. Rusia mbetet një shkak shtesë, dhe e vazhdueshme e destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Moska mbështet si nacionalistët grekë, ashtu edhe ata maqedonas për të penguar marrëveshjen dypalëshe, dekurajon Serbinë për të mos normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, dhe promovon paralizën e Bosnjës për ta mbajtur atë jashtë institucioneve perëndimore.
Kremlini nxit destabilitetin rajonal dhe minon qëllimet e BE-së dhe NATO-s; dhe në një moment, ai mund të intensifikojë mbështetjen e tij për separatizmin serb të Bosnjës, për të ndarë vendin.
Rusia i ka shitur armë njësisë serbe të federatës, ka trajnuar paraushtarakët serbë të Bosnjës, dhe ka dërguar vullnetarë nacionalistë për të treguar solidaritetin e saj.
Në dekadën e fundit, Moska ka provokuar luftëra në Gjeorgji dhe Ukrainë, dhe mund të jetë pjekur koha për hapjen e një fronti të ri lufte për milicinë e mbështetura prej saj në Ballkan.
PËRSHTATI TIRANA TODAY