Është miratuar nga qeveria kontrata e firmosur në Shkurt për Rrugën e Arbrit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë Gjoka sh.a. “Për Përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge”,
Ministri i MIE, Damian Gjiknuri u shpreh, se në bazë të kontratës së firmosur financimet dhe fillimi i punimeve në këtë aks rrugor do të fillojnë brenda afateve të parashikuara, duke i krijuar lehtësira qytetarëve dibranë dhe gjithë shqiptarëve.
Sipas Gjiknurit kjo do të jetë një nga veprat më të rëndësishme të realizuara në vitet e fundit në Shqipëri.
“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës, i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti, do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë, të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”,-tha Damian Gjiknuri.