Biznesi i farmaceutikës po sheh një periudhë lulëzimi, teksa importet e ilaçeve në sasi u rritën me 21% gjatë 7-mujorit 2019. Në katër vitet e fundit, importet e medikamenteve u rritën mbi 50% si në vlerë dhe në sasi. Menaxherët në depot e mëdha farmaceutike pohojnë se kërkesa po shënon rritje të shpejtë nga viti në vit për medikamentet që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerogjene. Rritja e konsumit po reflekton rritjen e sëmundshmërisë, plakjen e popullsisë dhe medikamentet jocilësore me çmime të lira. Mjekët pohojnë se kanë rritur dozimin, për shkak se cilësia e ilaçeve ka rënë. Sëmundshmëria po rritet me shpejtësi, teksa sektori i shëndetësisë mbetet i nënfinancuar. Efektet dhe kostot në ekonomi
Konsumi i popullatës po kalon një cikël të zgjatur krize prej rrethanave të reja që u krijuan pas ngadalësimit ekonomik dhe rënies së popullsisë. Teksa rritja e shitjeve me pakicë është kthyer në sfidë për shumë sektorë, për industrinë e farmaceutikës ka nisur një epokë lulëzimi.
Gjatë 7 muajve të 2019, importet e mallrave u rritën në total me 8%, ndërsa produktet farmaceutike shënuan rritje në sasi me 21%. Rritja do të ishte e dobishme për produkte të tjera, por në rastin e medikamenteve, ku Shqipëria radhitet në vendet me konsumin më të lartë të antibiotikëve në rang europian, tendenca zgjeruese po nxjerr zbuluar problemin që kapitali human po kalon me shëndetin. Shpenzimet për medikamente po rriten me shpejtësi, duke lajmëruar kosto të reja për Shqipërinë, e cila me termat aktualë të zhvillimit dhe fondet e ulëta që akordon për shëndetësinë nuk jep shpresa për zbutjen e pasojave.
Kur ilaçet u përjashtuan nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në vitin 2014, qeveria synoi që nëpërmjet këtij lehtësimi t’i bënte produktet farmaceutike më të arritshme për qytetarët. Kjo politikë në fakt ka funksionuar, pasi që nga viti 2014, importet e ilaçeve janë rritur me shpejtësi, si në peshë edhe në vlerë.
Në vitin 2013, ekonomia shqiptare shpenzoi 16 miliardë lekë ilaçe rreth 4022 tonë, ndërsa në fund të vitit 2018 u harxhuan 25 miliardë lekë me një rritje 47%. Pesha e importeve që nga 2013 u rrit gjithashtu në 50%. Ecuria tregon se në total, shpenzimet e ekonomisë vendase për import medikamentesh janë rritur me ritëm të shpejtë. Rritja e konsumit të medikamenteve po vjen në një kohë kur sektorët e tjerë për përjetojnë ngadalësim të shitjeve nga tkurrja e popullsisë. Me të dhënat zyrtare, popullsia e vendit në fillim të vitit 2019 ishte 35 mijë persona më pak se në vitin 2013, por në realitet, hendeku është më i madh për shkak të pasaktësisë që ka krijuar emigracioni.
Ekspertët e sektorit të shëndetësisë japin disa arsye për rritjen e përdorimit të medikamenteve ku, rritja e sëmundshmërisë qëndron në krye. Ervin Xhelili, menaxher në një kompani farmaceutike, pohon se tregu po shfaq kërkesë në rritje për medikamentet e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerogjene, të hipertensionit, diabetit dhe sëmundjeve pulmonare. Burimet në QSUT pohojnë se, në krahasim me 2010 janë trefishuar rastet e reja në pavijonin e kardiokirurgjisë, shpesh në mbi 350 raste në ditë, ndërsa në onkologjik vitin e kaluar u raportuan 7000 raste të reja të evidentuara me sëmundjet malinje.
Erilda Selimaj, eksperte e tregut farmaceutik, evidenton dy faktorë bazë të rritjes së konsumit të medikamenteve, rritjen e sëmundshmërisë sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerogjene dhe uljen e çmimeve të medikamenteve.
Rritja e konsumit të medikamenteve është nxitur nga politikat e qeverisë për uljen e barrës fiskale nëpërmjet heqjes së TVSH-së dhe zgjerimin e listës së barnave me rimbursim, por jo në atë masë sa të nxisë konsumin.
Mjeku pneumolog, Skënder Male, thotë se tani, mjekët përfshijnë më shumë produkte në receta që shërbejnë për trajtimin. Më parë, kur ilaçet ishin të shtrenjta, doktorët kufizoheshin në receta për shkak të pamundësive që pacientët kishin për të blerë të gjithë gamën e mjekimit, ndërsa tani kjo është e mundur. Duke qenë se, antibiotikët janë më të lirë dhe më pak të efektshëm, mjekët kanë zgjeruar kohën e mjekimit për të qenë më të sigurt në mjekim.
Nga ana tjetër, farmacitë pohojnë se ka një trend në rritje për produktet që trajtojnë tensionin, diabetin, por dy vitet e fundit ka një rritje të suplementeve si vitaminat e tjera dhe preparate të mjekësisë alternative, të cilat jepen pa recetën e mjekut. Menaxherët e depove farmaceutike, pohuan se, për të mbuluar humbjen që u krijua nga ulja e çmimeve më 2014, kompanitë rritën gamën e furnizimit me suplemente.
Një faktor tjetër themelor që po rrit konsumin e medikamenteve është ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra dhe ndërgjegjësimi për marrje diagnoze në mosha më të reja. Doktor Ajet Braho thotë se jetëgjatësia ka rritur numrin e personave mbi 60 vjeç dhe nga ana tjetër, ka shtrirë trajtimin në kohë të një personi. Ai thotë se moshat mbi 60 vjeç zakonisht kanë më shumë se një diagnozë dhe përgjithësisht janë të sëmurë kronikë. Kjo kategori, thotë ai, merr më shumë medikamente.
Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Por doktor Male thotë se popullata po ndërgjegjësohet për të marrë diagnozë në moshë të hershme, po edhe sëmundshmëria ka zbritur në mosha më të reja. Nëse diagnoza e Spok-ut, një sëmundje kronike e pulmonit ishte karakteristikë e moshave mbi 60 vjeç, tani me këtë diagnozë ka shumë 40-vjeçarë.
Sipas të dhënave nga Global Healthdata, portali global për statistikat e shëndetësisë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Shqipëria ka shënuar rritje të frikshme të sëmundshmërisë në dekadën e fundit. Azhurnimet më të fundit tregojnë se jetët e humbura nga sëmundjet që lidhen me çrregullimet e zemrës janë rritur me 31% nga viti 2007-2017. Vdekjet nga kanceri në mushkri janë rritur me mbi 36% gjatë periudhës në fjalë, edhe pse duhanpirja ka pësuar rënie.
2007-2017, numri i të vdekurve nga sëmundjet kardiovaskulare, rritje me 31%
Në krye të shitjeve janë medikamentet që lidhen me trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ervin Xhelili, menaxher në një nga depot farmaceutike në Tiranë, pohon se, tregu ka pasur rritje nga viti në vit në drejtim të kërkesës për medikamentet dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe tensionit të lartë. Ai tha se ka një trend botëror në rritje për këto medikamente, por Shqipëria është drejt një hovi më të madh, për shkak të tranzicionit të thellë dhe ndryshimit në mënyrën e jetesës. Teksa Europa dhe rajoni janë maturuar në prevalencat e sëmundjeve koronare, Shqipëria po rrit trendin, në krahasim me periudhën e komunizmit, dieta e së cilës ka qenë e disfavorshme për përhapjen e sëmundjeve.
Sipas të dhënave të HealthData, numri i personave që humbën jetën nga çrregullimet e zemrës u rritën me 31% në vitin 2017 në krahasim me vitin 2007. Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) raportoi se në vitin 2017 u bënë rreth 100 ndërhyrje kirurgjikale nga paketat publike të kardiologjisë, ndërsa listës së barnave me rimbursim ju shtuan rreth 28 medikamente që trajtojnë sëmundjet e zemrës.
Statistikat kombëtare për prevalencat e sëmundshmërisë janë problematike dhe nuk rifreskohen periodikisht, por portali global www.healthdata.org referon se shkaktari i kryesor i vdekjeve në Shqipëri janë sëmundjet kardiovaskulare. Sipas të dhënave në vitin 2017, numri i të vdekurve nga sëmundjet ishemike të zemrës u rritën me frikshëm në krahasim me vitin 2007. Ndërsa vdekjet nga hemorragjia cerebrale u rritën gjatë kësaj periudhe me mbi 29.2%. Numri i të vdekurve nga diagnoza të tjera që lidhen me zemrën si hipertensioni u rritën me 19% në krahasim me vitin 2006. Burimet nga QSUT konfirmojnë se në ditë të caktuara, numri i urgjencave në kardiologji ka kaluar të 350 rastet në ditë, teksa theksojnë se investimet publike nuk po ecin me të njëjtat ritme si profili i sëmundjeve.
Në të dhënat krahasuese të Global Healthdata, shihet se Shqipëria ka një numër më të madh personash që vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare në krahasim me 10 vende të grupit me karakteristika të përbashkëta të tipareve të zhvillimit dhe treguesve të shëndetit.
2007-2017, sëmundjet malinje, rritje 36%
Në muaj të caktuar, numri i rasteve të reja duke trajtuar me kimioterapi në Pavijonin e Onkologjikut në QSUT i ka kaluar 7000 persona. Fluksi po rritet nga viti në vit. Statistikat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se gjatë 2010-2016, sëmundjet malinje janë rritur me 65%. Ndërsa sipas Healthdata, numri i të vdekurve nga kanceri i mushkërisë në vitin 2017 ishte 36% më i lartë se në vitin 2007, ndërsa të vdekurit nga kanceri në stomak ishin 16% më shumë në numër se në vitin 2007.
Të dhënat nga administrata e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” QSUT, tregojnë se në repartin e onkologjisë u trajtuan 700 mijë raste të reja në vitin 2018 në raport me rreth 5 mijë raste të reja në vitin 2014. Përhapja e sëmundjes po rritet me ritme dyshifrore nga viti në vit, duke nxitur në këtë mënyrë konsumin gjithnjë e më shumë të citostatikëve. Morfina, avastina dhe disa preparate të tjera që trajtojnë kancerin janë rritur, – shpjegojnë menaxherët e depove. Pas medikamenteve të zemrës, ato që lidhen me kancerin janë të ndër më të shiturit. Mësohet se tregu është zgjeruar për shkak të politikave të reja të rimbursimit. Sëmundjet malinje kanë kosto të mëdha trajtimi dhe prevalenca të larta të humbjes së jetës. Menaxheri Xhelili pohon se kërkesa për citostatikë po rritet nga viti në vit, si një trend botëror.
Diabeti, rritje në masë
Depot farmaceutike pohojnë rritje në masë të sëmundjeve endokrine e njohur si diabeti, me gjithë se sëmundja ka prevalencë të ulët në humbjen e jetëve, krijon kosto në mjekim dhe ul produktivitetin e njerëzve me këtë sëmundje. Menaxherët e depove farmaceutike pohojnë se medikamentet e sëmundjeve endokrinë kanë një rritje vjetore mbi 5% në shitje.
Sipas raportit të Shëndetit Publik, barra e diabetit pothuajse është dyfishuar në Shqipëri në të dy gjinitë në dy dekadat e shkuara. Ndërsa sipas të dhënave nga Healthdata, të prekurit nga kjo sëmundje ishin 27% më të shumtë në numër se në vitin 2007. Meshkujt rezultojnë më të prekur se femrat. Te meshkujt, rritja ishte disi më e mprehtë deri në vitin 2005, duke u ndjekur më pas nga një rritje më e moderuar.
Në kontrast me këtë, te femrat u vërejt një rritje më e ngadaltë, por më e qëndrueshme. Niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 1990 ishte 3.5 për 100,000 banorë, duke shfaqur një nivel jashtëzakonisht të ulët, i cili mund të shpjegohet me dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik gjatë regjimit komunist.
Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, numri i vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje është më i lartë se në çdo vend tjetër të Europës. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, në 2017-n numri i vdekjeve të shkaktuar nga sëmundjet endokrine të lidhura me ushqimin ishte 110 për 1 milion banorë.
Në këtë grup përshihen edhe sëmundje të tjera që lidhen me sistemin endokrin, por sipas mjekut endokrinolog, Dashamir Gjergji, peshën më të madhe e kanë të sëmurët me diabet. Në raportin shëndetësor të Ministrisë në 2014, thuhej se niveli i vdekjeve nga diabeti ishte trefishuar në vend.
Kjo rritje e trefishtë e nivelit të vdekshmërisë nga diabeti, sipas raportit, vjen për shkak të nivelit të lartë të glukozës, dietës jo të shëndetshme, obezitetit dhe mungesës së aktivitetit fizik.
Për mjekun Dashamir Gjergji, ky numër kaq i madh jo vetëm në vendin tonë, por ngado, vjen nga shumë shkaqe, ku më kryesorët janë: Moskontrollet periodikë mjekësorë, orientimi joracional drejt grupeve të riskut si dhe sensibilizim jo i mjaftueshëm dhe mosreagim të popullatës ndaj këtyre informacioneve.
Të dhënat e Eurostat për normën e vdekjeve të shkaktuara nga diabeti tregojnë se vendet e Europës Juglindore janë më të prekura. Vendi me normën më të lartë pas Shqipërisë për vdekjet nga diabeti është Qipro, ku në 2015-n llogariteshin 65 vdekje për 1 milion banorë. Pas Qipros renditet Turqia me 49 vdekje për 1 milion banorë, Malta me 46 për 1 milion dhe Serbia me 44 për 1 milion banorë.
Normën më të ulët të vdekjeve me shkaktar diabetin e kanë vendet e Europës së Veriut dhe Perëndimore. Normën më të ulët e mban Lihtenshtajni, ku sipas të dhënave të Eurostat, numri i vdekjeve për 1 milion banorë ishte 2.65, ndjekur nga Finlanda me 8 vdekje për 1 milion banorë.
Sëmundjet e mushkërive, vdekjet u rritën me 36% gjatë dekadës
Për sëmundjet respiratore (të mushkërive) që janë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë, por edhe në Shqipëri, ka avancuar trajtimi, duke e rritur ndjeshëm jetëgjatësinë për të sëmurët e kësaj kategorie. Sipas Healthdata, vdekjet nga sëmundjet kronike obtruktive të mushkërive ishin 36% më të larta se në vitin 2007.
Dy dekada më parë, sëmundjet e mushkërive shkaktonin vdekje të parakohshme në fillimet e moshës së tretë në të gjashtëdhjetat. Por diagnostikimi i hershëm dhe avancimi i trajtimit mjekësor bën sot që kjo kategori pacientësh të ketë jetëgjatësi të madhe deri në 90 vjeç.
Por teksa është rritur jetëgjatësia, ka më shumë të prekur nga sëmundjet respiratore. Mjeku pneumolog, Ajet Braho, thotë se rritja e sëmundshmërisë polmunare është e lidhur me faktorë mjedisorë dhe disa faktorë profesionalë që kanë të bëjnë me ndotjen, si industria e fasonit ose e kimikateve. Duhanpirja ka qenë dhe mbetet faktori kryesor i sëmundjeve polmunare. Nga ana tjetër, është rritur shkalla e diagnostikimit që lidhet me ndërgjegjësimin më të madh të popullatës ndaj kujdesit shëndetësor për veten.
Ndryshimi gjithnjë e në rritje po sjell për diagnozë pacientët në mosha të reja. Diagnostikimi i hershëm rrit kostot e trajtimit, pasi pacienti në moshë të re duhet të trajtohen me mjekim gjatë gjithë jetës, thotë Braho. Nga ana tjetër, kostoja e trajtimit për person është rritur si pasojë e evoluimit të industrisë farmaceutike. Shqipëria nuk përshtatet 100% me këto ndryshime, por trendet e mjekimit ndiqen gjithsesi sipas protokolleve më të fundit, shpjegon mjeku Braho.
Plakja e popullsisë, cilësia e dobët dhe çmimet e lira, nxitën rritjen e konsumit të ilaçeve
Përtej rritjes së barrës së sëmundjeve që është bërë një faktor themelor në trend rritës për blerjen e medikamenteve, cilësia e dobët e ilaçeve me çmime të lira dy vitet e fundit ka nxitur më tej konsumin. Në pranverën e vitit 2014, qeveria shqiptare përjashtoi ilaçet nga TVSH-ja. Gjithashtu lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar dukshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të FDSKSH-së, Lista e Barnave të Rimbursueshme 2017 përmban mbi 1000 alternativa tregtare, nga të cilat rreth 600 janë alternativa të para, nga 489 që përmbante Lista e 2015-s. Nga krahasimi i Çmimeve Referencë 2016/2015, rezulton rënie mesatarisht 6.9% të çmimeve në Listën e Barnave të Rimbursueshme 2016. Kjo do të thotë se, edhe në Listën e Barnave të
Rimbursueshme kanë vazhduar të vijnë çmime më të ulëta se vitet paraardhëse. Por mjekët pohojnë se pikërisht çmimi i ulët ka nxitur konsumin e barnave. Duke qenë se ilaçet kushtojnë më lirë, mjekët kanë rritur dozimin e tyre për të qenë të sigurt në efikasitetin e tyre, tha ekspertja e tregut të farmaceutikës, Erilda Selimaj.
Mjekët pohojnë se tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore të nxitura nga politikat e rimbursimit. Për rrjedhojë, qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.
Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje merr më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave. Selimaj thotë se, ka pasur rritje të virozave me rreth 20% në vit.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24% të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në Shqipëri është i dukshëm dhe konsumi i barnave pa recetë, sidomos antibiotikëve.
Plakja e popullsisë nxit konsumin e ilaçeve
Adelina, e cila u ushtron prej vitesh profesionin e farmacistes në qytetin e Durrësit, pohon se konsumi i medikamenteve është rritur. Ajo thekson se vitet e fundit, rritja e konsumit është nxitur nga rritja e numrit të të moshuarve. “Pjesa dërmuese e klientëve tanë janë mbi moshën 60 vjeç, të cilët marrin trajtim për më shumë se një diagnozë. Dhjetë vite më parë, ky fenomen nuk ka qenë kaq dominues”, shprehet Adelina. Moshat e thyera vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike, ndaj dhe ata janë kontingjenti më i madh i blerjes së medikamenteve.
Më 2018, shqiptarët mbi 60 vjeç ishin 97 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Një studim nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Popullsisë tregon se në vitin 2011, numri i njerëzve mbi 65 vjeç është rritur më shumë se 4 herë, duke shkuar në 318,000. Kjo është një përqindje e lartë e popullsisë. Rritja e mëtejshme e numrit të të moshuarve është projektuar për pesë dekadat e ardhshme, për të arritur në 667,000 në vitin 2060.
Studimi tregon se të moshuarit vuajnë nga më shumë se një sëmundje kronike. Ata thonë se nuk mund të përballojnë blerjen e ilaçeve dhe janë të detyruar shpesh të marrin vetëm një pjesë të tyre, kryesisht atyre që rimbursohen. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor publik është i papërgatitur për të përballuar nevojat në rritje për shërbimet e moshave të treta./Monitor