Arianit Shehu, drejtori i Institutit Nacional Demokratik për Lindjen e Mesme, në një intervistë për ‘klankosova.tv’ tha se shpërthimi i fuqishëm që ndodhi në Bejrut të Libanit ishte i tmerrshëm. Ai ka jetuar në Bejrut për disa vite, ndërsa është shprehur se është lënduar, pasi kishte edhe lidhje emocionale me këtë qytet.
“Jam i tmerruar sot me shpërthimin në depon e portit të Bejrutit. I lutem Zotit sot për popullin stoik të Libanit dhe qytetarëve të Bejrutit, si dhe për miqtë dhe kolegët e shumtë të mi atje. Bejruti ka qenë shtëpia ime dhe për të gjithë që kanë jetuar aty, Bejruti gjithmonë do të mbetet qyteti më i veçantë dhe më i bukur në botë”.
“Sipas informatave të para, duket që shpërthimi ka ndodhur pas një zjarri në depon e materialeve të rrezikshme, por jo eksploziv, në depon e portit të Bejrutit. Raportet fillestare theksojnë se shkak i këtij shpërthimi ka qenë nitrat amoniumi, i cili ka qenë i deponuar aty. Deri tani është raportuar për më shumë se 75 të vdekur dhe rreth 7.000 të lënduar, por supozohet për shumë më shumë viktima”.
Spitalet e Libanit që po përballen me pacientët nga COVID-19, janë mbushur me të lënduarit e këtij shpërthimi tragjik.
“Të gjitha spitalet e Bejrutit janë stërmbushur me të lënduar të shpërthimit. Gjithçka në radius prej 2 kilometrave është shkatërruar, dëmtime të rënda janë raportuar në radius prej 12 kilometrave dhe dëme të tjera. Thyerje të xhamave janë raportuar në radius prej 22 kilometrave”.
Por tragjedia nuk mbaron këtu për popullin e Libanit. Sipas Shehut, vendi është rënduar nga aspekti ekonomik, ku mund të përballet me varfëri.
“Në vazhdim, porti i Bejrutit i cili tanimë është dëmtuar rëndë, është porti kryesor për import dhe eksport. Gjithashtu, rezervat shtetërore të grurit që kanë qenë te deponuara afër portit janë shkatërruar, duke rrezikuar të dërgojë Libanin në varfëri edhe më të madhe. Libani gjatë muajve të kaluar ka qenë i trazuar nga rënia ekonomike dhe jostabiliteti financiar, dhe gjithashtu nga pandemia e COVID-19”.