Rikthehet në Shqipëri gripi AH1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit.
Lajmin e ka bërë të ditur shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Ajo ka pranuar se deri më tani ka qarkulluar virusi gripal i tipit B por tashmë janë analizuar mostrat e para me virusin e tipit AH1N1.
“Tani kemi analizuar mostrat e para me virusin e tipit AH1N1. Janë vetëm tre mostra të analizuara në laborator. Nga analizat po vëmë re që po qarkullojnë viroza të tjera që shkaktojnë infeksione në rrugët respiratore. Qytetarët janë ende në kohë të bëjnë vaksinën antigrip. Jemi në pragun epidemik,” është shprehur ajo.
Sipas Binos më të prekur nga gripi janë moshat pediatrike, raporton BalkanWeb.
Çfarë është AH1N1 (gripi i derrit)
Pandemia e Gripit A H1N1, i ashtuquajtur si gripi i derrave, është një sëmundje që në mënyrë mjaft të rrufeshme dhe shumë të shpejtë u bë problematika numër një në mbarë shëndetësinë botërore që në një mënyrë na intrigoi të gjithëve me pyetjet se çfarë në të vërtet është e tërë kjo situate? A është rreziku potencial për pandemi? A është e tëra kjo sa për t’u shitur vaksinat?
Ka filluar me lajmërimin e rastit të parë më 4 prill 2009 në Meksikë dhe deri më tani ka përfshirë pothuajse çdo vend në rruzullin tokësor, ku pa u futur në statistikat për vendet tjera nga të dhënat e fundit të ISHP-së, në vendin tonë kemi mbi 213 raste të lajmëruara si infeksion me virusin A(H1N1) dhe 10 raste që kanë përfunduar me vdekje.
Edhepse kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë virus, me gjithë gjakftohtësinë e ekspertëve për të mos përhapur panik, deklaratat e OBSH-së për shkallën e alarmimit dhe poashtu mediat, kanë krijuar një konfuzion në lidhje me tërë këtë gjendje. Por duke parë situatën se si është zhvilluar në vendet e tjera (Meksikë) dhe në vendet e rajonit, si dhe nga shkalla e mortalitetit, mund të themi se gjendja është nën kontroll, edhepse rreziku është aktual pasi që askush nuk është i paprekshëm nga ky virus, qoftë i vaksinuar apo jo. Gripi i derrit po përsëritet, me mbi 110 raste në lëtë vit me konfirmim etiologjik dhe me të vdekur.
Gripi, i ashtuquajtur, i derrit (Swine Flu), është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Ky virus bën pjesë në klasën e ARN viruseve dhe i takon familjes së Orthomyxoviridae, që ka një madhësi ose diametër prej 80-200 nm.
Janë tre tipe ose lloje të këtyre viruseve që shkaktojnë gripin: A, B dhe C, ku zakonisht më i zakonshmi që është shkaktari më i shpeshtë i gripit ose influencës është tipi A, kjo është si pasoj e aftësisë unike që ka ky virus për të qëndruar jashtë radarit të imunitetit tek njerëzit nga ndërrimet e vazhdueshme apo kontinuale të strukturës së proteinave antigjenike (mutacioneve). Në vet llojin e virusit A ekzistojnë edhe subkategoritë e tipit A, ku ato dallohen në bazë të llojeve të antigjeneve në sipërfaqen membranore që janë: H – haemagglutinina dhe N – neuraminidaza.
Disa subkategori të virusit të tipit A janë: virus A(H1N1), virusi A(H3N2), Avian flu virus A (H5N1), Canin flu virus A(H3N8), Equine flu virus A(H7N7) ku këta dy të fundit manifestohen vetëm tek nikoqirët përkatës.
Si shfaqet?
Gripi i derrit është sëmundje që prek sistemin respirator të derrave shkaktuar nga virusi A(H1N1) që zakonisht i atakon derrat. Edhe pse thuhet në literaturë se infeksioni me virusin e gripit të derrit nuk ndodh, megjithatë infeksioni me këtë virus është i mundur dhe shpërhapja e këtij virusi pastaj nga njeriu i prekur me virus në njerëzit e tjerë është fakt që po dokumentohet dhe po ndodh realisht. Kësaj i ndihmon siç e dimë nga njohuritë paraprake se, virusi i gripit e ndërron formën ose strukturën antigjenike, kështu që, praktikisht jemi të pambrojtur sikurse që jemi edhe për gripin e zakonshëm sezonal (si pasojë e kësaj edhe vaksinimi nuk na krijon një mbrojtje të sigurt). Shfaqja e gripit të derrit është menduar se bëhet (shpërhapet) në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gripi sezonal me rrugë aerogjene (aerosole) nga kollitja dhe teshtitja e personave të sëmurë me virusin e gripit përmes ajrit. Te ky grip infeksioni mund të ndodh edhe me prekjen e objekteve të infektuara më këtë virus.
Simptomat te gripi i derrit janë pothuajse të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm (sezonal). Sëmundja fillon një apo dy ditë që nga infeksioni me këtë virus d.m.th koha e inkubacionit është zakonisht dy ditë, por mund të shkojnë edhe deri në pesë ditë; simptomat mund të shfaqen përnjëherë dhe me tërë ekspresivitetin e tyre apo varësisht nga rastet te personat me një imunitet të ruajtur mund të jenë ose shfaqen me intensitet më të lehtë.
Simptomat e gripit të derrit janë:
* Temperatura, e cila pothuajse është çdo herë prezente me vlera mbi 39.4°C në 12 orët e para
* Ftohje (acarim)
* Dhimbje të kokës
* Dhimbje të muskujve
* Humbje të apetitit
* Molisje (lodhje ekstreme)
* Skuqje dhe djegie e syve
* Zënie dhe shkuarje hundësh
* Kollë e thatë
* Dhembje gryke (fyti)