Muzeu Etnografik i Kavajës është një nga objektet e trashëgimisë kulturore, që do të restaurohet dhe rijetësohet pas dëmeve të tërmetit të vitit 2019. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njofton se rikonstruksioni po kryhet falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture. “Mbi 810 objekte etnografike të zonës së Kavajës rrezikuan të dëmtoheshin pas tërmetit të nëntorit 2019. Falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture, Muzeu Etnografik i Kavajës po i nënshtrohet restaurimit të godinës dhe objekteve, të cilat së shpejti do të kenë një ekspozim më të përshtatshëm”, është shprehur ministrja Margariti.
Muzeu etnografik i Kavajës, i kompletuar në vitin 1971 u ndërtua në një ndërtesë me një hajat, të restauruar, tipi i së cilës ishte i përhapur gjerësisht nga shekulli i 18-të. Origjina e tij arkitektonike daton qysh nga antikiteti i vonshëm në tipologjinë e një villa rustica, shpesh e pranishme në rajon. Pas restaurimit të plotë të ndërtesës, Muzeut të ri të formuar do t’i jepej statusi i Monumentit të Kulturës.
Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tre aspekte. Së pari stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, së dyti struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe së treti fondi i përgjithshëm etnografik.