Ish-ministri i Bujqësisë, profesori i njohur, Rexhep Uka, nuk e vlerëson kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore si alternativë për përfitim ekonomik.
“E para, d.m.th. bujqësia tradicionale, edhe pse me shumë pak të ardhura, është shumë më e shëndetshme, sepse brenda ka punën!
Aspekti social i saj i ka rrënjët këtu e 10000 vite më parë, kurse kjo e kanabisit është si ‘të mbahesh për shkume’, një ‘biçim piramide’, ku familja tradicionale rurale, e as ajo moderne, nuk kanë vend”, tha Uka.
Sa vlerë të shtuar sjell kultivimi i hashashit si kulturë bujqësore për qëllime mjekësore?
Kjo pyetje për mua është e vështirë, në radhë të parë, për arsye të mosdisponimit të të dhënave, por edhe të natyrës, karakterit dhe profilit tim.
Unë jam në një status më së shumti për të dhënë një opinion, hamendësi ose projeksion personal, gjë që mbase shumëkujt, nuk do t’i vlente.
Natyrisht, nuk dua të ul vlerën e ideve dhe opinioneve, por për mendimin tim, ato duhet, më shumë, të kenë lëndë të parë shifrën.
Nëse diskutohet se sa mund të jetë vlera e shtuar si bimë bujqësore, domethënë si aktivitet i fermerëve, sinoptikisht nuk ndodh (nëse bëhet fjalë për bimë farmaceutike), sepse nuk është “biznes” fermerësh.
Kjo kërkon një analizë tejet të thellë. Është një temë që mund ta shtjellojnë saktë vetëm ekonomistët dhe nuk di nëse kjo ekspertizë ekziston tek ne, duke pasur parasysh ata që kam njohur në Monsanto, të cilët kanë mundur të llogarisin prirjet gjithëpërfshirëse të efektit të një reforme të kësaj natyre, nëse mund ta quajmë kështu, edhe për 25 vite të ardhshme.
Ajo që mund të pohoj me bindje është se kultivimi i kanabisit, si kulturë bujqësore, është një sfidë e madhe, e cila do të zbulojë deri ku ka arritur konsolidimi i shtetit ligjor. Sipas meje, kjo është sfida e vërtetë: mirë i thirrëm xhindet, por a do t’i përzëmë dot më…?!
Sfida e dytë, ose më mirë, pyetja e dytë, do të ishte: me të vërtetë e arritëm kulmin në bujqësinë tradicionale dhe tani na mbeti kanabisi?! E para, d.m.th. bujqësia tradicionale, edhe pse me shumë pak të ardhura, është shumë më e shëndetshme, sepse brenda ka punën!
Aspekti social i saj i ka rrënjët këtu e 10000 më parë, kurse kjo e kanabisit është si “të mbahesh për shkume”, një “biçim piramide”, ku familja tradicionale rurale, e as ajo moderne, nuk kanë vend. Ky prodhim është specie botanike, që ka teknologjinë e saj, të cilën e trajton fito-teknika.
Por kjo nuk do të thotë se ka lidhje me bujqësinë, e cila është shumë larg dhe më e thellë nga kjo trajtesë, apo qasje që po diskutojmë ne. Madje, as nuk mund të quhet punë fshati. Ajo është punë “qytetarësh” nga ata që dinë, me të gjitha mënyrat, se si të trashin kuletën e tyre. Deri tani kanabisi ka funksionuar si transferim teknologjie, madje si “high-tech”, ku fshatarët, jo bujqit e mirëfilltë, kanë kontribuar vetëm me energjinë fizike vetjake.
Po të ishte në dorën time, ajo që do të bëja e do t’më gëzonte vërtet, do të ishte që, gjithçka që do të vilej nga taksimi i këtij prodhimi, me ligj të veçantë, t’u kalonte investimeve në fshat dhe pikërisht: mbështetjes së bujqësisë dhe fermerëve!!
Ka një histori shumë të vjetër tek ne, për këtë “zanat”, që më vonë “u bë lanet”…
Një prift, në dekadat e para të shekullit të kaluar, tek kalonte me përcjellën shoqëruese, anës së një fshati të panjohur, dëgjoi aheng e hare të paparë ndonjëherë. Pyeti prifti: çfarë festojnë kështu me të madhe këta? Kanë një ferrë në këtë fshat, që i sjell njerëzit në një hare të papërmbajtur, iu përgjigjën shoqëruesit priftit.
“E po, pastë uratën ferra!!!”, – tha prifti, dhe vazhdoi rrugën. Në kthim, pas pak ditësh, dëgjoi se në atë fshat ishte bërë kasaphanë. Iu lutën priftit ta tërhiqte uratën për ferrën. “Aaaa, jo, nuk mundem më, tha prifti, e mori ferra uratën!!!” Shprehje kjo e mbetur që atëherë e përdorur gjerësisht edhe sot e kësaj dite…
Me çka shkrova nuk po përpiqem aspak të them se jam kundër legjitimimit të kanabisit, por nënkuptoj se ligji do të duhet të vijë pas shumë sitash dhe gjykimesh e duhet të jetë produkt i shumë studimeve të mirëfillta social-ekonomike, por edhe ekologjike. Vlerat e kanabisit si bimë farmaceutike askush nuk mund t’i hedhë poshtë, as t’i diskutojë, nuk na ka mbetur ne të gjykojmë për këtë. Madje, në qoftë se edhe për një sëmundje të vetme ka vlerë, justifikohet kultivimi. Ka në pafundësi kultura njerëzore, shembuj të një produkti që nevojitet vetëm për një funksion, për të cilin ia vlen të investohet.
Prandaj, sipas meje, çështja është se sa ne jemi të organizuar si shoqëri dhe shteti i përgatitur e i aftë, si autoritet ligjor, që të përballojë dhe legalizojë pa eksese këtë “banor”, sa të ri, po aq edhe të vjetër midis nesh.
Bota ka shumë përvojë në këtë fushë, edhe kjo e jona jo pak, por për të tjera gjëra. Nga pikëpamja shkencore, ka mendime të ndryshme, negative dhe pozitive. Atje ku shteti ta njeh “magjen” tënde më shumë se sa ti vetë, gjëja funksionon, këtë e dinë më mirë se të gjithë ata që kanë provuar “mengenen” e ligjit.
Përgjithësisht politikanët tanë, duke pasur parasysh përvojën personale, nuk shquhen për respektimin e ligjeve, për të mos thënë që janë të parët që i shkelin ato, pasi urdhrat i kanë më të volitshëm se ligjet, dhe për fatin e keq të tyre, harrojnë se ligji në mos sot, nesër do të funksionojë.
Përvojat, siç thashë, janë të ndryshme. Le të marrim dy-tre shembuj. Në Kaliforni, legalizimi i kanabisit, si produkt rekreativ, u bë në vitin 2018, ndërkohë që si bimë mjekësore ishte lejuar që në vitin 1996.
Sistemi i taksimit të këtij produkti realizohet nga shteti dhe, një vit më vonë, California Cannabis Advisory Committee (pra një Komitet mbikëqyrës), botoi një raport që dëshmonte se bilanci ishte shumë zhgënjyes pasi të ardhurat fiskale ishin tri herë më të ulëta se sa shpresohej, për arsye të konkurrencës shumë të lartë që ushtronte tregu i zi. Mos harroni që flasim këtu për një shtet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në Francë, ku lejohet nën një kontroll të rreptë të shtetit, vetëm kanabisi që përmban më pak se 0.2% THC (tetrahydrocannabinol, substancë kjo psikoaktive e kanabisit, dhe që përdoret edhe për fibrat e bimës në industri), ka rezultuar pozitiv si për rendimentin e grurit, si efekt qarkullimi i kulturave në fusha, po ashtu edhe ekologjikisht për shmangien e pesticideve.
Në Portugali gjithashtu, ku kultivimi i kanabisit, për arsye mjekësore dhe eksportimi, është autorizuar me ligj që prej vitit 2019, është konsideruar tepër me leverdi, sidomos për eksportin, por në një mbikëqyrje tepër të rreptë nga shteti të parcelave, si të bëhej fjalë për burgje të sigurisë së lartë!!
Pra, duket se larmia e të dhënave është si rezultat shumëfunksional, por aty ku shteti gjithmonë është i gjithëpranishëm, serioz, rregullator, si para dhe në prapaskenë për reforma, të cilat janë studiuar paraprakisht dhe kanë marrë shumë kohë për t’u realizuar.
Në terma të tjerë, kjo histori dhe “zejtari” nuk është veç e kohëve moderne, nëse kështu mund të quajmë epokën ku jetojmë. Mbi të gjitha, kjo është një sfidë e vërtetë. Asgjë e re nën diell. Kam bindjen e plotë se Shqipëria, me shqiptarët e vet, nuk do t’i shpëtonte këtij tundimi të shprehur në formë sondazhi, transparencën e të cilit nuk dua ta vë në dyshim, dhe të transformuar në një vendim.
Ne jemi joshur dhe kemi provuar edhe më keq, deri edhe sisteme të mbrapshta. Me gjithë sa më sipër, bujqësia dhe kanabisi janë sa larg, aq dhe afër, por për shumë arsye të tjera.
Si do të ndikojë kjo në kapitalin njerëzor që merret me bujqësi?
Sipas pyetjes del edhe përgjigjja, forcat e punës do të merren nga bujqësia e tashmë. Të mos harrojmë se më shumë se kurdoherë ne jemi dëshmitarë të dukurisë së dhimbshme “nuk ka kush të punojë tokën”.
Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Personalisht, të vetmen përgjigje që mund ta jap me përgjegjësi dhe të saktë është kjo: mungesa e forcave të punës për bujqësinë është një krizë e rëndë! Kjo ka natyrisht arsyet e veta, mbi të gjitha pamundësia e një pagese të denjë sipas punës, të ardhurat e ulëta, informaliteti etj., ndikojnë në braktisjen e bujqësisë.
Në këto kushte, puna në të zezë gëlon, sepse një bujku, përgjithësisht me familje të numërt, vetëm puna në të zezë, jashtë fermës, mund t’i sigurojë një bazë kalimtare më të mundshme për të mbajtur familjen, sigurimin e shëndetit dhe arsimimin e tyre.
Thjesht, nëse ka një punë që i jep në ditë disafishin e asaj që merr nga toka e tij, ai pa dhimbje dhe kokëçarje e lë tokën djerrë dhe siguron bukën për fëmijët tek ai që paguan më mirë, kanabisi. Pas kësaj, i llastuar nga kanabisi, zor se bën mbrapsht për në zanatin e vjetër.
Si do të ndikojë legalizimi i kanabisit në kultivimin e kulturave të tjera bujqësore që vendi ka traditë?
Po të kemi parasysh se eksportimi i kanabisit mund të jetë me leverdi për ekonominë lokale, mund të hamendësojmë se të shumtë mund të jenë ata që do duan ta kultivojnë këtë bimë, në dëm të kulturave të tjera tipike për bujqësinë tonë.
Në kushtet globale që po tregojnë se shumë vende po rikonsiderojnë kulturën e grurit ose drithërave të tjera, për të mos u varur nga eksporti, ose të rritjes së çmimeve të frutave dhe perimeve, më duket e paarsyeshme të mos nxiten edhe fermerët e Shqipërisë në këtë rrugë. /Monitor