Revolucionari dixhital

Bujar Leskaj, marrë nga Panorama

Si një Che Guevara që ka zëvendësuar yllin me timonin, dalë jo nga historia, por bluzat e adoleshentëve rebelë, KM-ja ynë, pasi nisi dhe po zhvillon “suksesshëm” revolucionet në arsim, shëndetësi, drejtësi, infrastrukturë, kulturë dhe ekonomi, u hodh pa humbur kohë në prezantimin e arritjeve të revolucionit teknologjik, duke monopolizuar si gjithnjë çdo arritje e relativizuar çdo dështim.

Në monologun e tij, që si për çdo revolucionar nuk mund të mos adresonte armiqtë imagjinarë, u shpjegua algoritmi rilindës në dixhitalizimin e shërbimeve, administratës, luftës ndaj korrupsionit, pranimeve në universitet, gjobave të policit e deri te 400 e ca vitet e kursyera si popull gjatë këtyre 8 viteve, ku përjetuam më së shumti rilindjen virtuale. Është karakteristikë e revolucionarëve në fakt që gjithçka të mirë, realizuar nga paraardhësit, ta zhbëjnë ose denigrojnë.

Kjo retorikë e “vitit zero”, si trademark i propagandës revolucionare, përpiqet të krijojë atë narrativën bipolare që ka lodhur shqiptarët si në komunizëm, ashtu edhe në këto 30 vite tranzicion, narrativën që i ndan shqiptarët në “ne” dhe “ata”, kur vendi sot ka më shumë nevojë se kurrë që të bashkohet ndaj shpopullimit, varfërisë materiale e shpirtërore, pandemisë e sfidave të së ardhmes, ku më kryesoret janë ringritja e ekonomisë e integrimi në BE.

Teknologjia ka vite që është fusha me zhvillimin më të shpejtë kudo në botë. Për të përfituar nga kjo valë globale zhvillimi dhe për ta pozicionuar strategjikisht Shqipërinë në sfidat e së ardhmes, ishte ish-Kryeministri, prof. dr. Berisha që inicioi shpërndarjen e internetit në çdo cep të Shqipërisë, madje edhe falas, si themel për ngritjen e Shqipërisë dixhitale.

“Internet me bandë super të gjerë për çdo familje”, deklaronte dikur ish-Kryeministri, ndonëse akuzohej atëherë se populli shqiptar kishte të tjera halle dhe celulari e interneti ishin të fundit në listë. Po kështu, portali e-Albania, kurora e triumfit dixhital të Kryeministrit sot, është lancuar më 28 nëntor 2012 me financimin e Bashkimit Europian dhe nën kujdesin e atëhershëm të qeverisë Berisha.

Ky portal ishte projektuar për t’u shndërruar gradualisht në hub informacioni për qeverisjen dixhitale, ashtu sikurse po ndodh sot, ndonëse me vonesë, kosto marramendëse dhe nën emergjencën e pandemisë. Është krejt normale në një sistem pluralist që çdo projekt i nisur nga një qeveri të vijojë e realizohet nga qeverisja pasardhëse në të mirë të taksapaguesve dhe zhvillimit të vendit.

Ajo që nuk është normale është qeverisja pa objektiva, me tenderë abuzivë e rrjedhimisht pa efektivitet, sikurse kjo që kemi tash 8 vjet.

Për shembull, në monologun e tij, revolucionari dixhital nuk përmend dhe bën sikur harron që krijoi fillimisht një Ministri përgjegjëse për Inovacionin dhe Teknologjinë, të cilën e shkriu pa nam e nishan në mandatin e dytë, edhe pse kjo ministri kishte një axhendë digjitale 2015-2020, me objektiva të cilat duheshin realizuar në një sërë fushash dhe që në fakt duhej të përfaqësonte një prioritet qeverisës.

Vetëm pas vitit 2018 dhe nën presionin e ndërkombëtarëve e më pas të pandemisë, sekti Rama nisi t’i kushtonte rëndësi aplikimit të teknologjisë si një instrument për të rritur aksesin e qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare. Arritjet e 2 viteve të fundit, revolucionari përpiqet t’i shesë si objektiva strategjikë të qeverisjes së tij, ndërkohë që këto objektiva ose duhet të ishin realizuar me kohë dhe/ose po realizohen me shuma marramendëse thjesht për krijimin e ndërfaqeve midis faqeve zyrtare të institucioneve dhe portalit e-Albania.

Revolucionari mburret fjala vjen për dixhitalizimin e procesit të pranimit të studentëve në universitet, që i dha fund korrupsionit dhe ndërhyrjeve jo të merituara, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër. Në vitin e parë të aplikimit të kësaj platforme, gjithkush i mban mend problemet, me të cilat u ndeshën maturantët aplikantë.

Vonesa të pajustifikuara, që çuan për rrjedhim në zgjedhjen nën stres të degëve joprioritare, studentë të paregjistruar në kohë dhe më e rëndësishmja rreth 800 aplikantë, që, përtej afatit ligjor dhe jashtë platformës elektronike, u regjistruan në IAL private deri në marsin e vitit pasardhës, duke shkelur kështu çdo ligj e akt nënligjor për arsimin e lartë.

Lexo edhe :   Yuri Kim shkëlqeu dhe foli shqip: Votoni ndryshimin dhe jo riciklimin

Pra, korrupsioni nuk u luftua, vetëm sa u centralizua në MASR. Problematikat vijuan edhe në vitin e dytë e të tretë të aplikimit të kësaj platforme, ku universitete private, të cilat mbështetën fillimisht Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, u përpoqën të dilnin prej saj dhe të regjistronin studentët në mënyrë të decentralizuar. Kjo platformë elektronike, e cituar si sukses nga Che Guevara timonier, ishte dhe është në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë, që vetë rilindësit miratuan si arritje në 2015-n.

Platforma nuk duhet ta centralizonte procesin, sikurse bëri, sepse, përveçse shkel ligjin, i zhvesh IAL-të nga mundësitë për të konkurruar me njëratjetrën sa i përket joshjes së studentëve dhe profilizimit të tyre të mëtejshëm, dëmton mekanizmat e tregut të lirë në arsimin e lartë dhe saboton vetë arritjen e objektivit që ligji vendos: konkurrencën si motor zhvillimi.

Revolucionari harron po ashtu që MASR premtoi lëvrimin dixhital të kurrikulës në arsimin parauniversitar, me tableta që do çlironin fëmijët nga çantat e rënda. Edhe ky projekt humbi pa nam e nishan. Po kështu, harron edhe sistemin e recetës elektronike që duhet të ishte mbyllur që në 2017-n për krejt vendin, por nuk u mbyll në kohë dhe as nuk u pilotua siç duhet.

Të njëjtin fat kishte edhe projekti për sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore pranë DAP, që jo vetëm nuk u mbyll në kohë, por nuk kishte edhe një afat konkret për realizimin e tij. Me miliarda lekë për tenderë shpenzohen që DPSHTRR të hostohet në e-Albania nga AKSHI, me iniciativën e drejtoreshës së përgjithshme të kësaj të fundit, tenderë për të cilët dha dorëheqjen edhe ish-drejtori i DPSHTRR-së. Revolucionari flet për gjobat e Policisë dhe harron radhët e gjata që krijoheshin për të dalë përpara komisioneve që në mëngjes herët, jo më larg se viti 2020.

Ishte ndërhyrja e auditimeve të KLSH-së për ta adresuar këtë problem, që përshpejtoi shkrirjen e komisioneve të tilla dhe radhëve absurde. Po kështu, harron edhe flirtimin me kinezët për të futur në vend teknologjinë 5G, ndërkohë që Shqipëria është aleat i SHBA-së dhe jo i Kinës në fushën e sigurisë kibernetike.

Arritjet e sektit Rama në shërbimet elektronike burojnë më tepër nga nevoja për tenderin e radhës sesa për të bërë transparencën qeverisëse. Qeverisja në vend ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit, qoftë edhe dixhitalisht, sikurse e konfirmojnë raportet më të fundit të “Transparency International” dhe Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim.

Koha për t’u krahasuar me qeverisjen e mëparshme demokratike ka perënduar për Kryeministrin aktual. Për të qenë i ndershëm me elektoratin socialist, ai tashmë duhet të krahasohet me veten e tij, objektivat e vendosura në fillim të qeverisjes, duke bërë një rezyme të plotë të arritjeve dhe dështimeve. Sfida e një drejtuesi që ka 8 vjet në pushtet dhe kërkon një mandat të tretë, nuk duhet dhe nuk mund të jetë me kundërshtarin, por me veten. Por ndershmëria nuk është virtyt i revolucionarëve, aq më tepër atyre dixhitalë, që edhe gënjeshtrat i preferojnë 3D.

Nuk mund të vijohet më me algoritmin e timonit dhe tepsisë që kërkon si input pushtetin dhe gjeneron si output PPP-të dhe korrupsionin. Shqipëria dixhitale ka nevojë për një algoritëm të ri, jorevolucionar, por evolutiv, të mbështetur te puna e ngritur, energjia dhe novatorizmi i rinisë, eksperienca e brezit të mesëm dhe bashkëpunimi e monitorimi i kujdesshëm i partnerëve strategjikë. Sot më shumë se kurrë, të djathtë e të majtë duhet të jemi të bashkuar për të ringritur veten, le ta lemë revolucionarin në virtualitetin e tij.