Përgjatë një deklarate për mediat, bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri ka theksuar se është i gatshëm të rishikojë pozicionin e tij në komision.
“Jam i gatshëm të rishikoj pozicionin tim në komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, si bashkëkryetar, me kusht që PD të njohë komisionin. Më herët kam pasur kritika edhe nga PS sepse kam dashur që PD të ishte pjesë e komisionit të Reformës Zgjedhore. Është hera e parë në politikë, që kushtëzohet interlokutori. Nuk ka asnjë akuzë penale ndaj meje, gjithçka është akuzë politikë siç çdo politikan.
Nëse është kushti i vetëm dhe ata njohin komisionin e Reformës Zgjedhore unë jam i gatshëm të ofroj një zgjidhje, pasi të komunikoj me kreun e partisë. Nuk mund të plotësosh kushte pa bërë veprimet e tua. Ata të vijnë të kontribuojnë, unë kam qenë ai që kam gjetur kompromise me opozitën. Ka qenë ideja ime personale ku kam thënë që PD të ketë një vend në komision. Nuk kam asnjë merak, por është absurde të kushtëzosh palën tjetër në negociata”, u shpreh ai.