Bordi i Real Madrid, në mbledhjen që ka mbajtur sot ka dalë me qëndrimin se do të paraqesë padi kundër presidentit të La Ligas, Javier Tebas, dhe kreut të fondit CVC Javier de Jaime Guijarro. Së fundmi është bërë me dije se fondi CVC, me qendër në Luksemburg, do të fitojë 10% të aksioneve nga divizioni spanjoll i futbollit, teksa njoftoi se do të jetë një marrëveshje afatgjate e cila përafron interesat e klubeve të La Ligas dhe fondit CVC në aspektin monetar. Në deklaratën në fjalë, thuhet se Bordi i Drejtorëve do ndërmarrë çdo veprim juridik që e konsideron të përshtatshëm për të anuluar dhe për të bërë joefektive çdo rezolutë të mundshme të miratuar nga Asambleja e La Ligës, që do të mbahet më 12 gusht 2021, në lidhje me marrëveshjen midis La Ligës dhe fondit CVC.
“Në takimin e mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të Real Madridit u pajtua njëzëri për të inicuar veprime juridike civile dhe penale kundër Presidentit të La Ligas, z. Javier Tebas Medrano, dhe z. Javier De Jaime Guijarro, kreut të Fondit CVC, dhe kundër vetë Fondit SICAV-FIS të CVC Capital Partners”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Real Madridi.
“Për më tepër, Bordi i Drejtorëve ka vendosur të ndërmarrë çdo veprim juridik që e konsideron të përshtatshëm për të anuluar dhe për të bërë joefektive çdo rezolutë të mundshme të miratuar nga Asambleja e La Ligës, që do të mbahet më 12 gusht 2021, në lidhje me marrëveshjen midis La Ligës dhe fondit CVC”, përfundon deklarata e gjigantit spanjoll.