Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se do të veprojë shpejt për të zgjidhur çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që është një nga sfidat e vjetra me të cilat do të përballet qeveria e tij. Një ditë pasi që parlamenti votoi zgjedhjen e tij për kryeministër, zoti Haradinaj i tha korrespondenti tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, se bisedimet me Serbinë nuk kanë alternativë, por vazhdimit të tyre duhet t’u paraprijë një dialog i brendshëm në Kosovë.
Zoti Kryeministër, ju dje morët përsipër drejtimin e qeverisë së re të Kosovës që përbëhet nga disa parti. Si prisni funksionimin e saj?
Qeveria e Kosovës që më është besuar për ta udhëhequr përkrahet nga disa parti politike, nga shumë, edhe nga komunitetet, por janë të gjithë njerëz të kësaj toke, të këtij vendi dhe të vetëdijshëm për misionin që kemi para vetes, që nënkupton kthimin e besimit në institucione, gjendjen e marrim bukur të rëndë në vend me një korrupsion që është endemik në të gjitha nivelet e shoqërisë, me disa sfida edhe në rend dhe ligj me rreziqe të reja, tani më terrorizmin që duhet të jemi të kujdesshëm, e kemi një situatë ekonomike jo të lehtë. Edhe në planin rajonal por edhe ne planin ndërkombëtar për perspektivën ndërkombëtare të Kosovës kemi plot sfida, por jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në vend.
Zoti Kryeministër, qeveria juaj është zgjedhur me 61 vota, ndërsa në anën tjetër do të përballeni me një opozitë nga dy parti të mëdha të cilat kanë 58 deputetë. Si do t’ia dilni mbanë me një opozitë të tillë?
Opozita është ndihmesë për një shoqëri veçanërisht për vendet në tranzicion. Një situatë e tillë e përballjes do të jetë ndihmesë për qeverinë, pra na ndihmon që qeverisja vërtetë të përballet në vazhdimësi edhe me mendimin opozitar. Unë i bëjë thirrje opozitës që të jetë e pa kompromis në rolin e tyre opozitar, njëkohësisht mediave, shoqërisë civile që të na përballin me përgjegjësitë që kemi ose t’i reflektojnë pikëpamjet e tyre në vazhdimësi, pra e mirëpresim faktin që kemi një opozitë të fortë dhe kjo është në dobi për neve, për Kosovën.
Zoti Kryeministër, partitë opozitare thonë se qeveria juaj nuk do të mund të zgjasë mandatin më shumë se gjashtë muaj. Si ju përgjigjeni?
Shikoni, është me rëndësi që një orë, një ditë, një muaj, gjashtë muaj sado që punojmë ne të jemi në shërbim të vendit, ajo është kryesorja e jo sa do të zgjasë një qeveri por a do të jetë në shërbim të qytetarëve apo të vendit. Unë besoj që do të kemi një mandat të plotë dhe do të punojmë që gjatë këtij mandati të plotë vërtetë të ndodh në Kosovë ajo që pritet prej nesh edhe prej meje në këtë rast se e di që pritjet janë të mëdha dhe jam i vetëdijshëm, mirëpo do të jem edhe serioz në punë.
Zoti, kryeministër, në të njëjtën koha partitë opozitare ju kanë akuzuar se me lidhjen e koalicioneve paszgjedhore ku bënë pjesë Lista Serbe, ju i jeni nënshtruar ndikimit të Beogradit. Duke pasur parasysh numrin e votave në parlament, cili në fakt mund të jetë ndikimi i subjektit politik Lista serbe?
Tani unë besoj që ju keni qenë dje në seancë, kabineti i zgjedhur ka dhënë betimin që të punojë në përputhje me Kushtetutën e vendit me ligjet në fuqi të Kosovës, kjo është përgjigja për këto mendime njëkohësisht ne duhet ta shfrytëzojmë çdo mundësi që ta ndërtojmë edhe një besim me serbët e Kosovës, për fat e kemi ndërtuar mirë me komunitetet tjera por duhet edhe me serbët jo vetëm ata të jugut por edhe të veriut. Shqiptarët janë një popull i hershëm pra ndër më të vjetrit në Ballkan, autokton, çdo herë kanë nderu të tjerët dhe kanë respektu identitetin qoftë kombëtar, fetar, gjuhësor apo tjetër. Shqiptarët dinë ta bëjnë këtë, unë di ta bëjë këtë edhe për serbët e Kosovës. Kemi nevojë për këtë besim të ndërsjellë dhe do të punojmë për këtë besim.
Zoti Kryeministër, tashmë ju duhet të përballemi me disa nga sfidat e mbetura nga qeveria e kaluar, si është çështja e kufirit me Malin e Zi, e cila edhe po e mban peng çështjen e liberalizimit të vizave. Si do t’i qaseni këtij problem tash nga pozita e kryeministrit kur ju e keni kundërshtuar ashpër sa ishit në opozitë?
Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit, unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë. Është një fat i madh që Mali i Zi është një vend fqinj, ne ju kemi gëzuar përparimeve të Malit të Zi, veçanërisht anëtarësimit në NATO e që synojmë edhe ne të anëtarësohemi në NATO dhe nuk shoh vështirësi të mëdha në këtë temë. Pra, besoj që do të gjendet një dalje e shpejtë nga gjendja ekzistuese, por nuk po precizoj tani cilët hapa do të ndërmarrim por do të gjendet një dalje e shpejtë nga kjo gjendje dhe nuk do të vonojmë liberalizimin e vizave.
Por, zoti kryeministër tashmë Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Kosovën. A mund të zhbëhet një marrëveshje e tillë?
Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër.
Zoti Kryeministër, një pyetje hipotetike. nëse pas çdo verifikimi të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi del që është jashtë asaj që keni pohuar ju, çfarë do të bëni?
Më falni. tani e verifikoj vet, nuk është dikush tjetër të na tregoj si verifikohet, janë bërë disa gabime në të kaluarën dhe nuk do të vazhdojë më kështu.
Kur flasim për punën e Komisionit Shtetëror që e ka bërë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, a do ta hidhni poshtë atë marrëveshje?
Marrëveshja për mua ka gabime, pra për mua, besoj që këto gabime do t’i identifikojmë, me siguri do të kemi edhe ekspertizë të re, pra ekspertë tjerë nga ata që kanë punuar në të kaluarën nga zoti (Murat) Meha dhe të tjerë dhe ata gjejnë të vërtetën, pra marrëveshja ka gabime. Nuk dëshirova të precizoj metodologjinë sepse është herët për të paralajmëruar atë, por janë dy opsione; gjetja e këtyre gabimeve dhe negocimi me Malin e Zi për dakordim, korrigjimi pra në mënyrë që ta miratojmë edhe këtu në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe është mënyra tjetër që me ja dërgu parlamentit këtë marrëveshje për votim por duke i thënë që ne e dimë që ka gabime dhe rrëzojeni. Nuk ka rrugë tjetër nuk mbesin të përjetshme këto situata, pra unë do të veproj, nuk do ta lë pa kufi këtë pa epilog.
Zoti Kryeministër, një çështje që tashmë ka filluar të ndryshojë edhe formë janë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Si i shihni këto bisedime?
Është me rëndësi që e para ne dialogojmë me të gjithë fqinjët, pra Kosova është e hapur dhe e përgjegjshme për rolin e vet në rajon, për përgjegjësitë e veta në rajon sepse në rajon i qetë dhe i qëndrueshëm na intereson edhe ne, pra nuk është vetëm për tjerët qëndrueshmëria, në radhë të parë për ne sepse jemi shtet më i ri, jemi në nisje dhe kemi interes për qëndrueshmëri edhe marrëdhëniet e mira dhe mirëbesimi me të gjithë rreth nesh është interes i yni. Kuptohet, dialogu nuk ka alternativë edhe me Serbinë edhe pse kemi pas histori tragjike, prapë nuk mund ta zhbëjmë faktin që jemi fqinj dhe do të mbetemi. Për këtë arsye, dialogun duhet ta kthejmë te njerëzit dhe dialog edhe në mes popujve dhe jo vetëm dialog në mes të elitës politike. Të arriturat e dialogut duhet të burojnë nga populli në mënyrë që ato të zbatohen, pra ne kemi nevojë njëherë për një diskutim të brendshëm në Kosovë për dialogun me shoqërinë civile, me median, me opozitën me të gjithë që kur udhëheqësit tanë përfaqësuesit e Kosovës përfaqësojnë Kosovën të mos ketë situate pastaj të pamundësisë në zbatim, Kështu ka ndodhur në të kaluarën dhe do të jemi shumë më të kujdesshëm në hapat tonë edhe në ato po e quaj të arriturat tona të dialogut. Kuptohet, Kosova si vend aspiron, jo vetëm aspiron por e ka edhe qëllim dhe pa alternativë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ajo që më shqetëson mua është një stërzgjatje e rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian, një perspektivë shumë e largët drejt BE-së që e humb kuptimin e vet dhe unë kam insistuar dhe insistoj edhe sot që Marrëveshja për Stabilizim Asociim që është kontrata jonë me Bashkimin Evropian të zbatohet dhe të kalojmë deri të statusi i kandidatit. Nuk mundesh ta lësh Kosovën në gjendjen e tanishme si ka mbetë edhe pa njohjen e pesëshes të Bashkimit Evropian, pa liberalizim të vizave pa një perspektivë më të saktë se çka ndodhë dhe cilat janë hapat me të cilët Kosova anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pra, ne duhet të kërkojmë një situatë konkrete në këtë drejtim.
Për sa kohë do të mund ta marr Kosova statusin e kandidatit në
Unë nuk e mendoj këtë kohë të gjatë, tani mos të precizoj saktë sepse janë edhe marrëdhëniet e ndërsjella por pjesën tonë do ta kryejmë. Kosova nuk shkon në Bashkimin Evropian, por bëhet BE këtu. Ne do të punojmë në detyrat tona të shtëpisë por presim edhe reflektim nga Brukseli.
Mendoni brenda këtij mandati?
Besoj po.
Zoti, Kryeministër, sipas jush cilat nga rreziqet më të mëdha që përballet Kosova në fushën e sigurisë dhe çfarë do të ndërmerrni për tu përballur me këto rreziqe?
Krejt korniza e sigurisë është e re në Kosovë, pra korniza e çdo institucioni në siguri, rend dhe ligj janë institucione të reja por kanë një dëshirë apo vullnet të madh që të jemi kampion të sigurisë pra që ta dëshmojmë. Kështu që unë nuk shoh rreziqe që do të na mundin ne por shoh shumë punë para nesh që t’i mundim ato defekte dhe ato sfida që kemi para vetës për shkak edhe pse jemi të rinj pra si institucione kjo është përparësi sepse nuk trashëgojmë defekte të kohërave por jemi të fokusuar. Pra, unë e shoh Kosovën të aftë me siguru veten edhe me qenë faktor qëndrueshmërie për të ndihmuar sigurinë e rajonit. Rreziqet janë të shumta, janë ato të vjetrat, janë rreziqet e reja është terrorizmi ose ekstremizmi fetar tani që shprehet mirëpo ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe jemi të gatshëm për tu përballur.
Zoti Kryeministër, cilat do të jenë reformat tuaja ekonomike që do të mundësonin uljen e papunësisë në vend?
Mendoj se ka zgjidhje për hapjen e vendeve të punës. Statistikat thonë se ka prej 60 mijë deri 80 mijë biznese aktive në Kosovë të vogla dhe të mesme, nuk po flas për këto të mëdhatë. Imagjinoni një qasje, një partneritet të qeverisë me këto biznese të vogla e të mesme edhe ndoshta një guxim i tyre në zgjerim, për shkak të këtij partneriteti që do të rezultonte vetëm me një të punësuar do të ishin 60 mijë. Në Kosovë ka me dhjetëra mijëra fermerë, supozohet mbi 100 mijë pra ka statistikë për këtë, njerëz që kanë tokë, që kanë aktivitet bujqësor dhe një partneritet i yni me ta prapë do të rezultonte me një të punësuar qoftë edhe sezonal për një periudhë të caktuar kohore. Pra unë e shoh nisjen nga ata që ekzistojnë në ekonomi dhe të cilët munden të zgjerohen por po ashtu, do t’i stimulojmë edhe këta që kanë guxim për t’u nisur pra sipërmarrësit e rinj me kujdes edhe te femrat, sepse ajo më vështirë po niset për shkak të rrethanave. Pra ne do të shkojmë nga realja dhe na duhet të bëjmë një incizim të saktë të gjendjes nëpër resorë veç e veç, në mënyrë që nisja të jetë e saktë, pra kurrkush nuk i ngjitë shkallët nga shkalla e tretë, por fillon të parën, vetëm këtë kujdes do ta bëjmë real dhe nuk do të shkojmë në imagjinatë, do t’i nisim shkallët nga e para, nga ajo që e kemi para nesh në mënyrë që të ecë Kosova dhe të fillon rritja.
Zoti Haradinaj, kjo është hera e dytë që po bëheni kryeministër i Kosovës që nga viti 2004. Cilat janë dallimet sipas jush nga ajo kohë?
Atëherë ka qenë dukshëm e drejtuar çdo gjë nga pavarësimi nga Kombet e Bashkuara që ishim nën administrimin e OKB-së dhe ishte marrja e përgjegjësive nga ata për vendorët. Tani është koha me dëshmu që ato që i kemi me meritë, jemi shtet, jemi të pavarur që të zotërojmë përgjegjësitë pra vetveten. Unë e thash edhe dje edhe e përsërisë; me lindjen e lirisë sonë ka lind edhe një miqësi që është një miqësi unike besoj në mes popujve në botë mes neve Kosovës dhe Amerikës. Dëshira ime është po ashtu që edhe këtë miqësi ta forcojmë pra kemi tani situate krejt tjera të dëshmojmë veten ata kush jemi dhe të nderojmë veten para qytetarëve të vendit por edhe para miqve që na donë.