Nga Armand Shkullaku/ Gazetari Mustafa Nano, në emisionin e tij më të ri “Provokacija” në AbcNews, kishte zgjedhur ta pyeste kryeministrin Rama për paraqitjen e tij të herëpashershme me disa veshje atipike në vend të kostumit formal të kreut të një qeverie. Nano tentoi të penetronte në botën e brendshme të Edi Ramës, për të kuptuar filozofinë e kësaj preference të kryeministrit, konceptin estetik apo mesazhin politik, në fund të fundit për të zbuluar nëse ky stil i pazakontë është një zgjedhje që respekton bindjet e tij apo një nevojë për të thithur vëmendje me çdo kusht, në pamundësi për ta arritur atë në një mënyrë tjetër.
As Nano dhe as shikuesit nuk morën ndonjë përgjigje në 35 minuta që zgjati biseda.
Nëse ka një mënyrë për të kuptuar botën e brendshme të një politikani, formimin e tij, gjërat fondamentale tek të cilat beson dhe parimet mbi të cilat e ka ngritur jetën e tij në përgjithësi dhe jo thjesht në politikë, është një intervistë e lirë, intime, pa lidhje me aktualitetin e ditës apo me një temë të caktuar.
Këtë kërkoi të arrinte dhe Muç Nano dhe rezultati ishte katastrofik. Përballë tij ishte një Edi Ramë thuajse bosh, me një fjalor të varfër, me ca rrëfime bajate dhe krahasime pangjyrë, pa ngjallur asnjë emocion dhe pa zbuluar asgjë nga bota e tij e brendshme, nëse vërtet e ka një të tillë. I detyruar të mos fliste për arritjet e qeverisë e për karrierën e tij politike, i privuar nga komentet për kundërshtarët ku spikat retorika e tij stigmatizuese, Rama ishte një peshk që përpëlitej në cektësinë e mendimit të tij. Në pamundësi për të replikuar në stilin cic- mic me intervistuesin, i zhveshur nga opsioni i batutave dhe nga hapësira për të bërë propagandë, kryeministri rrezatoi zvetënimin që ka pësuar si intelektual qysh prej kohës kur iu dha pasionit për pushtet.
Në “Provokacija”, Edi Rama u ftua të fliste për Edi Ramën, si individ, për një temë të caktuar, zgjedhjen e veshjeve të tij, që jo pak herë kanë bërë lajm. Ai nuk mundi dot t’i japë një kuptim zgjedhjes së tij. Shpjegimet ishin befasuese. Të gjitha të kapura në ngërçin mes mohimit të efektit showbiz të kësaj zgjedhjeje dhe varfërisë së argumentave për ta përcjellë atë si një nevojë të brendshme për t’u shprehur.
Në samitin e Triestes dhe në takimin me presidentin Makron, u vesha me atletete se ishte vapë dhe më kishte vrarë këpuca- tha Rama, i pyetur për adidaset e famshme me të cilat tërhoqi vëmendjen e të ftuarve europianë. Pra nuk ishte zgjedhje, por një nevojë fizike për shkak të këmbës së lënduar. Mirëpo në samitin tjetër të Malit të Zi, gjithashtu u shfaq me atlete. Në Bruksel, në krah të Mogerinit, po ashtu. Kryeministri vërtet e ka të madh numrin e këmbës, por të mëdhaja i ka dhe mundësitë për të gjetur këpucët që nuk e shtërngojnë.
E megjithatë, i tunduar edhe nga dëshira për të treguar se është i veçantë, kryeministri nuk deshi ta lërë Muç Nanon vetëm me impresionin e “këpucës së Hirushes” dhe u rrek të ndërtojë një ligjëratë që pamja e tij e jashtme ishte edhe një lloj zgjedhje e qëllimshme. I pasigurtë për këtë, Rama nuk thurri dot një fabul mbi të cilën të mbështetej kjo zgjedhje, fjala vjen sfidën e artistit për të thyer kornizën e politikanit, shprehjen e një mesazhi të caktuar, apo nevojën për të provokuar një sistem, gjithnjë e më burokratik, të paktën nëpërmjet veshjes. Asgjë nga këto. Por vetëm një arsyetim delirant se shpesh kthesat e mëdha, edhe në modë, ndodhin edhe aksidentalisht, duke lënë të nënkuptohej se aksidenti i tij me këpucën mund të shndërrohej në një trend global të politikanëve që veshin atlete dhe kostum zyrtar. Në fakt deri më sot, ky trend ka prekur vetëm Ed Shalsin që u shfaq në sallën e parlamentit me tuta me kapuç, direkt e nga palestra.
Dikur, shpjegimi i tij për arsyet e zhveshjes ka qenë ku e ku më lart se sa ky për stilin e veshjes. Sepse nëse atëherë kishte qenë vërtet një zgjedhje e tij e brendshme, tani është thjesht nevoja e një politikani për të bërë lajm showbizi, kur nuk prodhon dot lajme të vërteta. Dhe e gjithë intervista e Ramës ishte nën shenjën e këtij fataliteti. Edhe kur tregoi për një film mbi historinë e Çërçillit, edhe kur foli për Angela Merkelin si një politikan province që adhuron thjeshtësinë e të plotfuqishmit, edhe kur rrëfeu për garderobën e tij të dikurshme që e krahasoi me dhomën e një të vdekuri. Madje edhe kur zbuloi se kishte një “lidhje speciale” me Nolin e Konicën dhe, sikur të mos ishte po ky që shan paraardhësin nga pas shpine, deklaroi se retorika dhe stili i lartë janë cilësitë e tij, të frymëzuara nga dy mendimtarët, që ai i shpalos edhe në një ambient të ndotur si Kuvendi.
Edi Rama nuk bën për intervista të tilla, si ajo e një dite më parë me Mustafa Nanon. Ai nuk e rrëfen dot veten për sa kohë që nuk e ka ndërtuar atë mbi parime të cilave u qëndron deri në fund. Rama mund të shkëlqejë në replika, në batuta të momentit, në barsaleta apo qesëndisje të kundërshtarëve, por jo kur duhet të flasë në vetë të parë. Sepse në këtë rast nuk mjafton të dish të rrëfesh, por edhe të jesh dhe të besosh. Dhe që prej kohës kur vendosi t’i hyjë rrugës së pushtetit, Edi Rama ka ndërruar bindje, ideologji, parime, miq, shokë, partnerë, veshje dhe këpucë, vetëm në funksion të këtij pushteti dhe jo të bindjeve dhe shijeve të tij. Ai i ka humbur prej vitesh ato. Ishte më mirë kur zhvishej se sa tani që përpiqet të gjejë një veshje për të mbuluar mungesat e tij./Lapsi/