Kryeministri Edi Rama ishte sot në Tropojë në mitingun e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.
Gjatë fjalës së tij Rama vuri në dukje dhe vlerësoi bashkëpunimin e pazakontë me kryebashkiakun e Tropojës, edhe pse i përket Partisë Demokratike.
Bashkëpunimin me pushtetin lokal në Tropojë Kryeministri e solli si shembull edhe për krerët e bashkive Shkodër e Pogradec ndaj të cilëve nuk i kurseji akuzat.
“Tropoja është një shembull shumë kuptim plotë i faktit se ne nuk i paragjykojmë kryetarët e bashkive për përkatësitë e tyre partiake. Nuk është faji ynë që në Shkodër e Pogradec nuk ka kryetar, por rrinë në zyra e tundin flamjut e partive duke harruar hallet e qytetarëve”, tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje banorëve të Tropojës të mos çojnë votën dëm, për Lulzim Bashën, pasi sic tha ai, të votosh për Partinë Demokratike, është si të bësh tifozllëk për një skuadër futbolli. “Po votuat Lulin, e latë pa punë kryetarin e bashkisë tuaj” u tha Rama ta pranishmëve në këtë tubim.
Kryetari i bashkisë është i PD por kjo nuk e ka penguar qeverinë dhe mua ta mbështesim fuqimisht Tropojën dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë për sa kohë të kemi mundësinë ta forcojmë këtë partneritet, sepse kryebashkiakun e kanë zgjedhur qytetarët e tropojës dhe për ne mbi partitë është Tropoja”, shtoi ai.
Rama i kujtoi PD-së dhe Bashës edhe mosplotësimin e një prej kritereve bazë për zgjedhjet, respektimin e kuotave gjinore.
“Lulzim Basha dhe PD është gjobitur se nuk futi asnjë vajzë apo grua në listat e qarkut Kukës, por duhet ta gjobisni edhe ju, gra e vajza të Tropojës me votën e 25 qershorit”, tha ai.