Qeveria e ka ndarë mendjen përfundimisht që të nisë zbatimin e taksimit të pronës. Këtë nismë kryeministri Rama ka vendosur ta fillojë ditën e gënjeshtrës, më 1 prill të këtij viti.
Në fakt nuk rezulton gënjeshtër edhe pse përkon me një ditë të tillë. Por, procesi po merr përmasa reale dhe taksimi do të kryhet sipas formulës që merr në konsideratë vlerën e pronës.
Shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 do të taksohen rreth 30% më lirë se banesat e ndërtuara pas këtij viti. Koeficienti për të gjitha qytetet është 0,05%. Ndërsa qeveria ndërkohë ka miratuar dhe çmimet mesatare të referencës të gjitha bashkitë e vendit.
Tirana është bashkia që ku banesat do të taksohen më shumë ku 1 metër katror vlerësohet 90 mijë lekë. Kryeqyteti i cili ka ka 32 zona dhe 11 fshatra taksimi do të jetë në përpjesëtim të drejtë me lëvizjen nga periferia në qendër dhe nga qendra në periferi.
Duke marrë si shembull një shtëpi prej 100 metrash katrore taksa vjetore me çmimin mesatar në Tiranë shkon në rreth 4500 lekë për banesat e ndërtuara pas vitit 1993 dhe 3118 lekë për banesat të ndërtuara para vitit 1993, shkruan TCH.Qyteti dytë më i shtrenjtë është Durrësi me një taksë mesatare për 100 metra katrorë që shkon 3375 lekë për banesat e pas vitit 1993 dhe 2362 lekë për ato të ndërtuara para vitit 1993. Më pas vijnë Vlora dhe Saranda dhe Shkodra, ku çmimet referuese për metër katrorë janë poshtë nivelit 60 mijë lekë.
Taksa më e lirë e pronës do të jetë në Fushë Arrëz me vetëm 262 lekë për 100 metra katrorë në vit dhe Memaliaj me 525 lekë.
Në Korçë dhe Gjirokastër çmimet referuese janë përkatësisht 45 800 lekë/m2 47 400 lekë/m2. Nga qeveria është menduar që mbledhja e kësaj takse të bëhet me anë të faturës së dritave, çmimet do të variojnë për çdo familje në bazë të sipërfaqes që zotërojnë në tapitë e shtëpive.