Largimi i 7 ministrave më të rëndësishëm të qeverisë Rama 2 ka shkaktuar komente të shumta. Shumë e shohin këtë lëvizje të Ramës si shfajësim për gjendjen ku ndodhet Shqipëria.
I tillë është edhe analisti Artur Zheji, i cili shkruan se ajo që bëri Rama ishte një show, ndërsa i cilëson ministrat e rinj, si sekretarë apo këshilltarë, që shefi i qeverisë i shtyp si butona.
Më tej ai ka shtuar, se ministrat e rinj janë personalitete të zbehtë, që nuk kanë të kaluar politike.
Reagimi i Zhejit:
Këta janë pa një karrierë dhe pa një personalitet të fituar në betejat politike apo elektorale. Janë buton që shtyp kryeministri dhe që krijon ministra. P.sh një këshilltare të dytë e bëri ministre Kulture. Këta ministra nuk do jenë gjë tjetër vetëm se këshilltarë apo sekretarë por që quhen ndryshe edhe ministra. Është vazhdimi i pushtetit të Ramës nëpër gjithë këto ministri. Pra personalitete më të zbehta që nuk kanë të kaluar politike. Janë njerëz që një pjesë e tyre në i pamë për herë të parë. Ky ishte qëllimi, të befasonte, të bënte shoë dhe të dërgonte këtë mesazh: Unë jam mbi palët, mbi protestuesit dhe mbi ata të cilët sot edhe mund të qajnë, por që janë mëkatarët e kësaj gjendje. Pra mëkatarët të shkojnë në shpi, ose të punojnë në parti. Ndërkohë të rinj do vijnë që të bëjnë punën që unë them, sepse unë jam mjeshtri i madh. Unë jam i pafajshëm sepse informohen me vonesë ose keqinformohen nga ata që sapo u larguan. Kjo është pjesa e keqe e qeverisë, kjo është pjesa e dështuar e PS. Unë do vazhdoj të sjell pjesën më të mirë në krye dhe do kërkoj të marr dhe mandatin e 3,4,5 etj. Një teatër i madh, ku Rama në fund të Vitit të Ri nuk bëri Babagjyshin e Vitit të Ri, por hodhi nga ballkoni Babagjyshin e Vitit të Ri. La të shtangur ministrat e vet, me të cilët ka ndarë shumë gjëra. Kësaj radhe i tha dilni nga tryeza e madhe e llokmave të pushtetit, do vijnë të tjerë sepse PS do vazhdojë të fitojë. Ju u diskredituat.