Presidenti Ilir Meta ka komentuar veprimin e kryeministrit Rama, për t’i deleguar detyrën si ministër i Jashtëm Gent Cakajt, emër ky që kreu i Shtetit refuzoi ta dekretojë.
I pyetur nga gazetarët për komentin e tij lidhur me këtë lëvizje të Ramës, Meta tha se respekton Kushtetutën dhe se nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive.
Pyetje: Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me vendimin e kryeministrit Rama për delegimin e kompetencave të tij si ministër i Jashtëm tek zv/ministri që ju nuk e dekretuat, z.Cakaj?
Presidenti Meta: Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive.
Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.