Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me ambasadorët te ministria e Jashtme.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu haptas pakënaqësitë e tij të mëdha me punën e ambasadorëve.
Rama bëri “për një lek” ambasadorët, teksa u tha se nuk e kapërdin dot faktin se ata nuk kanë shprehur asnjë ide, apo ankesë gjatë gjithë punës së tyre, ndërsa shtoi se ata kanë qenë shumë të avashtë në ndërtimin e reformave që vendi ynë të angazhohet jashtë kufijve.
Rutina e ambasadorëve, sipas Ramës, ngjan me kohën kur Shqipëria ishte ende nën sundimin komunist, ndërsa u tha atyre se “kanë bërë një vrimë në ujë”.
FJALA E RAMËS PARA AMBASADORËVE:
Puna në mandatin e ri qeverisës do të matet me si dhe sa do të përmirësohet roli i shërbimit të jashtëm në ekonomi dhe puna juaj do të matet me kontributin tuaj.
Puna e shefit të diplomacisë së jashtme do të matet çdo vit. Duhet qartësi, përkushtim, disiplinë. Duhet të jeni të bindur se unë e njoh angazhimin e madh të punës suaj, ku është ulur ndjeshëm korrupsioni. Patjetër që ka shumë për të bërë, por rruga është e duhura dhe rezultatet janë mjaft inkurajuese. As nuk diskutohet që qeveria do bëjë më shumë për të garantuar mundësi dhe kushte dinjitoze në punën tuaj. Diferenca ende e lartë në nivelin e pagave të ambasadorëve, ka ardhur koha të ngushtohet. Jam shumë i vendosur që brenda këtij mandati të zgjerohet.
Por dëshiroj që kjo fjalë e imja të shihet me ndershmëri siç është: e bindur dhe e fortë.
Në harkun kohor të 4 viteve, unë e kam shumë të vështirë të gjej rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë të sjellë nga ju, për të parë si mund të bëhet biznes në Shqipëri.
Po ju pyes këtu: si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë për të ndërtuar reformat që vendi ynë të angazhohet jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose na njohin keq.
Unë nuk di ta justifikoj këtë boshllëk, ne kemi bërë një vrimë në ujë! Nuk di ta kapërdij dot mungesën e ideve, apo shqetësimeve në adresën tonë. Mund të kuptohet shija që lë kjo situatë, është të paktë aspak e këndshme.
Kohët kanë ndryshuar risisht, gjeopolitika është përshpejtuar, kontinenti është i trazuar, globalizmi ka prishur ekuilibrat. Por qoftë rreziqet e reja kërkojnë zgjidhje të reja dhe specifike. Ndërkohë që vendi ynë kanë kërkesa legjitime që shtohen çdo ditë. Diplomacia jonë do vijojë të mbrojë interesat tona kombëtare, siç kemi bërë deri tani. Do vazhdojë të punojë për forcimin e pozitave tona në rajon, por kjo nuk mjafton.
Si mund të na mjaftojë kjo dhe kaq?
Në s’jemi as një shtet i madh me përgjegjësira të mëdha globale. Më falni po kjo rutinë ngjan ende me kohën kur vend ishte i izoluar. Na duhet një përmbysje e madhe me vullnet të ripërtërirë me funksion të zhvillimit të vendit, dhe jo thjesht përfaqësim formal.
Juve ju thërrasin shkëlqesi, përfaqësoni kombin dhe është një nder i madh për këdo që ngjitet në lartësinë tuaj. Ju duhet të shkëlqeni në atë që bëni, të përballoni me sukses këtë përgjegjësi të madh. E keni pyetur veten se sa shumë s’është bërë nga ajo që mund të bëhej prej jush?
Unë besoj se pajtoheni se angazhimet dhe përgjegjësitë tona nuk mund të plotësohen duke iu referuar një raporti pa bereqet, nuk mund të jetë në diplomacinë e një shteti ky burokrat.
Nuk na duhen diplomatë që zgjohen të rraskapitur dhe shkojnë të flenë të qetë.
Ende kemi diplomat delengji për të cilët ju bëj thirrje të ngrini zërin, s’po zbres deri te shoferët e ambasadave./ TIRANA TODAY