Dikur Lulzim Basha akuzonte Edi Ramën se po anashkalonte gratë vetëm për të futur Arben Ndokën në Kuvend. Rreth 4 vite më parë Basha kundërshtonte futjen e Arben Ndokës në Parlament duke thënë së nuk janë zbatuar listat.
Në Lezhë, katër vite më parë Edi Rama urdhëroi të gjitha gratë socialiste që kandidonin të jepnin dorëheqje sepse sipas ligjit zgjedhor mandati i kalonte një zonje. Dy zonja dhanë dorëheqjen dhe hyri deputet Arben Ndoka.
Sot, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po ndjek me përpikmëri të gjithë rrugën që ndoqi Rama 4 vite më parë. E njëjta gjë po ndodh sot me listën e PD-së në Qarkun e Beratit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, pritet të marrë sërish mandatin e deputetit. I renditur i dyti në listën e qarkut të Beratit nga PD, Veliaj pritet të zërë vendin e lënë bosh nga largimi i Eduard Halimit.
Por në qarkun e Beratit, ashtu si në disa qarqe të tjera, Partia Demokratike është gjobitur nga KQZ për shkak të mosrespektimit të kuotave gjinore në lista, duke mos përfshirë asnjë femër në tre emrat kryesues të listës së kandidatëve. Nisur nga ky penalitet i vendosur nga KQZ, demokratëve u hiqet e drejta që mandatin ta marrë deputeti i dytë në listë, Astrit Veliaj.
Kreu i PD Lulzim Basha, në listën e Beratit ka vendosur të kandidojnë dy femra, Juvina Jani dhe Monika Qosja. Nisur nga vendimmarrjet e mëparshme të KQZ-së, mandati i deputetit të lënë nga Eduard Halimi, i kalon psikologes së renditur e gjashta në listë, Juvina Janit.Por vetë Jani, në një prononcim për “Panorama”, ka konfirmuar se do ta refuzojë mandatin e deputetit për arsye personale. Jani ka pohuar se është kontaktuar nga kreu i PD, Basha, dhe se i ka shpjeguar edhe atij arsyet e heqjes dorë nga mandati.
“Kam pasur kontakte me z.Basha, lidhur me mandatin e deputetit në qarkun e Beratit. Kreu i PD më ka shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit, por unë kam vendosur të mos e pranoj këtë mandat. Arsyet janë personale. Im bir do të duhet të bëjë një ndërhyrje shumë të rëndësishme kirurgjikale në javët e ardhshme dhe unë si nënë do t’i qëndroj pranë. Nuk do të doja të lija pa ligjvënës Beratin për një kohë të gjatë, ndaj edhe kam vendosur të mos e pranoj mandatin e lënë nga zoti Halimi”, ka deklaruar, Jani.
Përballë një vendimmarrjeje të tillë, KQZ do t’ia kalojë mandatin kandidates Monika Qosja, e cila renditet e shtata në listën e demokratëve në Berat.
Monika Qosja mohoi të ketë pasur kontakte me drejtues të lartë politikë të PD. Qosja theksoi se nuk ka një vendimmarrje për të lënë mandatin, duke shtuar se nëse KQZ do të kishte një vendimmarrje pro saj, do të ndihej e vlerësuar.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtues të lartë politikë të PD. Jam njohur vetëm përmes medias me zhvillimet e fundit. Aktualisht nuk kam një informim të saktë lidhur me këtë çështje. Nëse KQZ do të më japë mandatin e deputetit, unë do të ndihesha e vlerësuar”, deklaroi kandidatja e renditur e shtata në listën e PD-së në Berat.
Do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që do të vendosë lidhur fatin e mandatit të lënë nga Eduard Halimi, ndërkohë që në PD janë të bindur se ai do t’i kalojë ish-deputetit Astrit Veliaj.
Skenari Arben Ndoka zbatohet nga Lulzim Basha, po ikin zonjat dhe po hyn biznesmeni që kishte një mandat deputeti por që nuk iu dëgjua asnjëherë zëri, dhe këtë Lulzim Basha e bëri njësoj si Edi Rama, por këtë herë me ndihmën e vetë këtij të fundit.