Nga Besnik Mustafaj
Në ceremoninë e marrjes së detyrës si ministër de facto për Europën dhe Punët e Jashtme, zotëria Gent Cakaj na dhuroi edhe fjalimin e tij të parë. Ai pati rastin kështu të shprehte shpresën e vet të natyrshme se “kujt i ka mbërritur në vesh fjala e keqe për mua, të mos i dukem aq i keq në paraqitjen time të parë”. Unë kam qenë një ndër të shumtët që, edhe individualisht, por edhe në cilësinë e presidentit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, kam shprehur më shumë se një herë publikisht rezerva të mëdha për zgjedhjen e tij nga ana e Kryeministrit Rama për detyrën fort të lartë që do të kryejë megjithatë në vazhdim, pavarësisht se nuk është i dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe as i votuar nga Kuvendi i republikës, siç Kushtetuta e Republikës e kërkon. Pra, në një farë mënyrë, ai m’u drejtua mua. Në emër të respektit që kam për institucionin e ministrit të Jashtëm, do të kisha dashur sinqerisht me shpirt që pas paraqitjes së tij të parë të ndihesha në faj për mosbesimin tim dhe t’i kërkoja ndjesë. Por ai nuk ma dha këtë mundësi.
Zotëri Gent Cakaj është i ri, siç edhe vetë na e ka thënë publikisht moshën, është 28 vjeç. Domethënë, se ka kohë për të mësuar nëse është i vendosur të bëjë një karrierë të gjatë në politikë, gjë që unë ia uroj përzemërsisht. Nga paraqitja e parë si bartës i një përgjegjësie të tillë të lartë, ai duhet të nxjerrë disa mësime të çmuara. Sepse kjo paraqitje ishte një dështim. Mësimi më kryesor që duhet të nxjerrë ai nga ky rast i humbur është vlerësimi që kërkonte një paraqitje si kjo. Me sa tha vetë në ligjëratën e tij, ai e dinte namin e vet të keq. Kjo vetëdije është e rëndësishme, por, siç del, nuk e ka ndihmuar. Për herët e tjera, ai duhet ta kuptojë se ngjitja atje lart nuk do të thotë aspak t’i dish vetë të gjitha. Ai i kishte të gjitha mundësitë të këshillohej për të gjetur fjalën e duhur, në mënyrë që të fillonte vërtet fshirja e namit të keq. Nuk është turp të këshillohesh me ata që udhëheq e që kanë të njëjtin qëllim si ti, djalosh i dashur, në përmbushjen e detyrimeve ndaj atdheut. E turpshme dhe fort e dëmshme është vetëkënaqësia, besimi i tepruar në vete. Mbaj parasysh se, atje nuk je ngjitur vetëm në sajë të librave, që ke lexuar e për të cilët të lavdëroi edhe Kryeministri. Janë edhe një mori rrethanash të tjera që të kanë shtyrë përpara. Siç e njoh unë, ajo, që ti me të drejtë e quajte “skuadër e mirëstërvitur”, ka në përbërjen e vet disa dhjetëra diplomatë, të cilët kanë lexuar libra më shumë se ti. Pa përmendur përvojën e tyre. Unë shpresoj shumë se në vazhdim do t’i pyesësh e do t’i dëgjosh. Përndryshe, gabimet që do të bësh, nuk do ta përkeqësojnë më vetëm “namin” tënd, por do t’i kushtojnë atdheut, të gjithë shqiptarëve.
Me pak fjalë, po përpiqem të shprehem edhe konkretisht mbi çfarë nuk shkonte fare në këtë paraqitje të parë të ministrit në ushtrim.
Ndër të gjithë kritizerët e emërimit tënd në postin e ministrit të Jashtëm, përfshirë edhe mua, askush nuk të ka sharë për karakterin, nuk të ka përgojuar për pamjen e jashtme, nuk të ka qesëndisur për mënyrën e veshjes apo krehjen e flokëve, nuk të ka kundërshtuar për origjinën, të cilën, po e kujtoj sa për bisedë, e kemi të përbashkët unë dhe ti. Vetëm Kryeministri, me një dinakëri të ligë, u orvat ta shmangte debatin, me një manovër përçarëse për kombin, duke përmendur Kosovën. Madje, do thënë se askush ndër kritizerët nuk të është drejtuar ty. Të gjithë i janë drejtuar mentorit tënd, Edi Ramës. Dhe më tej: ato, që janë thënë në këtë rast në gjuhën e pasur shqipe të diplomacisë, nuk përmblidhen kurrsesi siç i përmblodhe ti me “fjala e keqe”. Kanë një emër krejt tjetër, të cilin ty të takonte ta sillje në ligjëratën tënde dhe pastaj, nëse e gjykoje me vend, t’u përgjigjeshe kritizerëve me dinjitetin, logjikën, seriozitetin dhe edukatën që i shkon ministrit të Jashtëm. Nuk dite apo nuk deshe? Gjithsesi, pak rëndësi ka tashmë përgjigja. Rëndësi ka që në vazhdim ta mësosh sa më shpejt gjuhën e pasur shqipe të diplomacisë dhe fjalët t’i përdorësh me saktësi në vendin e vet. Mos harro: në diplomaci më shumë se kudo tjetër, kuvendi bëhet siç është vendi.
Sado që me delegim, të paktën për disa kohë, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme ne do të kemi zotin Gent Cakaj. Ai me siguri që do të ketë shumë e shumë herë rast të tregojë për publikun çfarë mendon për sfidat që ka përpara politika jonë ndërkombëtare. Asnjë nga këto sfida, fatmirësisht, nuk i është imponuar Shqipërisë për shkak të zhvillimeve të jashtme. Të gjitha janë të dëshiruara nga ne, në përputhje me interesat dhe aspiratat strategjike të vendit tonë. Kjo është një specifikë thelbësore, që do mbajtur parasysh gjatë zbatimit në dinamikë të planeve për arritjen e objektivave. Me disa nga këto sfida, diplomacia jonë përballet për herë të parë në historinë e saj. Të tilla janë përgatitja e infrastrukturës për kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm, apo krijimi i një mirëbesimi të mjaftueshëm brenda bashkësisë ndërkombëtare për të marrë vendin e anëtarit të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022, votim që kryhet vitin e ardhshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zoti Gent Cakaj nuk ka marrë pjesë në hartimin e asnjërës nga këto sfida. Por, në paraqitjen e tij të parë publike ai e kishte për detyrë të na thoshte në mënyrë të përmbledhur se çfarë mendon për këto sfida dhe çfarë frymë të re do të sjellë në udhëheqjen e punës se “skuadrës së mirëstërvitur” për përballimin e tyre.
Nuk tha asgjë. A thua të jetë i pavetëdijshëm për çfarë e pret si ministër, qoftë edhe i deleguar, apo nuk ka ç’të thotë? Cilado qoftë përgjigja, nuk mbart ndonjë ogur të mirë për politikën tonë të jashtme në të ardhmen e afërt.
I vetmi prioritet, që shpalli ai ishte shtyrja “pa asnjë diskutim përpara me më shumë pasion dhe më tepër vullnet në rrugën drejt integrimit rajonal” dhe përkushtimi “për të kryer të gjitha obligimet, që vijnë nga angazhimet tona në rajon”. Dhe si konkluzion: “Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon përmes procesit të konsolidimit në rajon”. Të them të drejtën, unë nuk e kuptova për çfarë integrimi rajonal e kishte ai fjalën. Nuk e kuptova as se çfarë ka ai parasysh në këtë rast me “rajon”, integrimi në të cilin qenka parakusht për integrimin në familjen europiane. Shpresoj se Komisioni i Jashtëm do ta thërrasë shumë shpejt në një seancë dëgjimi për t’i sqaruar këto koncepte, sa kohë nuk ka shpikur të tjera e që do t’i futnin marrëdhëniet tona ndërkombëtare në qorrsokak. Ka vend për një shqetësim të madh dhe jo vetëm te ca njerëz si unë, që e ndjekin me një vëmendje më të posaçme veprimtarinë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.