Nga Aulon Kalaja/Sot mbushen 2 vjet që i riu lezhjan Pëllumb Marnikollaj, humbi jetën në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë “Ano Patissia” në Athinë. Ishte 3 gusht i 2016, kur 28-vjecari hyri në një nga ambientet më të sigurta të Greqisë, që garanton sigurinë e jetës dhe nuk doli më i gjallë që andej.
Marnikollaj bënte çdo muaj procedurën e detyrimit të paraqitjes, për të firmosur aty dhe kjo procedurë zgjaste gjithmonë 5 minuta, por atë ditë ai u vonua 51 minuta. Pra hyri aty në orën 13:40 dhe doli që andej (i vdekur) në orën 14:31, ku një ambulancë e spitalit Kryqi i Kuq në Athinë erdhi për ta marrë.
Ka dy vjet që familja e tij nga Lezha kërkon drejtësi nga autoritetet greke, e këta të fundit vetëm heshtin; kërkon drejtësi nga shteti shqiptar, por ata vetëm gënjejnë; kërkojnë arsye nga Ambasada e Shqipërisë në Greqi, por vetëm e përcjellin këtë familje fatkeqe.
Nga viti 1991-2018 janë regjistruar 181 vrasje shqiptarësh nga policia greke, ushtria dhe gardianët e burgut. Shumë pak drejtësi është bërë, për të mos thënë aspak. Po djemtë dhe vëllezërit tanë nuk janë krerë delesh, që po vriten e po priten në shumicë.
Edhe nëse janë fajtor për diçka dhe kjo e fundit i provohet në gjykatë, ata duhet të vuajnë dënimin në burg dhe jo të sakatohen nga duart e xhelatëve me uniforma blu, nëpër komisariatet e policive. Kjo nuk e nderon shtetin fqinj, që është edhe pjesë e Bashkimit Evropian, por më keq akoma i vendos atij një damkë, që e ka konfirmuar me kohë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Por le të kthehemi edhe një herë tek rasti Marnikollaj. Policia greke do të njoftonte atëherë se, të riut 28-vjeçar Pëllumb Marnikollaj, gjatë procedurës së detyrimit të paraqitjes, i është komunikuar edhe një akuzë tjetër nga ana e policisë greke dhe, i gjendur në panik, sepse do të arrestohej në vend, është munduar të arratisej nga ambientet e brendshme të komisariatit.
Ka dalë nga zyra ku ndodhej me efektivë të policisë dhe është drejtuar për nga dera e ballkonit në fund të korridorit dhe që aty është hedhur nga lartësia dhe ka humbur jetën. Ka ardhur pastaj ambulanca dhe në spital ka mbërritur me puls të dobët, thotë policia greke.
Në fakt kjo komunikatë ka dalë shumë ditë më vonë nga ana e policisë greke dhe pyetja është përse nuk u raportua menjëherë kjo ngjarje, por u mbajt e fshehur ajo çka kishte ndodhur në mesditën e 3 gushtit 2016 në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë së “Ano Patissia” në Athinë?
Përse komunikata e policisë thotë që Pëllumb Marnikollaj u hodh nga kati i tretë dhe komunikata e ambasadës greke në Tiranë, thotë se u hodh nga kati i katërt? Përse nuk është njoftuar familja e tij nga ana e Ambasadës së Shqipërisë në Greqi?
Përse komunikata e policisë ka munguar nga data 3 që ka ndodhur ngjarja, deri me datë 18, ku gazetari shqiptar me banim në Greqi, Shpëtim Zinxhiria ka kërkuar informacion për këtë ngjarje. Janë 15 ditë heshtje. Në rast se është e vërtetë ajo ç’ka ka deklaruar policia greke që një ditë pas ngjarjes, pra me 4 gusht 2016 ka njoftuar Ambasadën tonë në Greqi, përse nuk e ka njoftuar familjen?
Fakti është se familjarët e Pëllumb Marnikollaj e kanë marrë vesh vdekjen e djalit të tyre me datë 11 gusht 2016, kur vëllai i Pëllumbit, Artani dhe daja e tij, janë nisur për ta kërkuar në Greqi dhe kanë gjetur trupin e vëllait duke u varrosur në një nga varrezat e Athinës.
E kanë gjetur pra në një arkivol me përmasa më të vogla se sa ishte trupi i lezhjanit 28-vjeçar. Më pas ata e kanë marrë trupin dhe e kanë nisur drejt Lezhës, aty ku prehet sot Pëllumb Marnikollaj. Familja është interesuar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, nga ku ka kërkuar komunikimin me Ambasadën tonë në Greqi dhe, me datë 3 gusht, ndërmjet dy institucioneve ka pasur komunikim rutinë për problematika të tjera, por nuk ka pasur asnjë njoftim për vdekjen e Pëllumb Marnikollaj.
Përse pra, e vranë Pëllumb Marnikollaj, i cili atë ditë shfaqej i qetë, sipas dëshmitarëve okularë. Ai kishte një eksperiencë me forcat e policisë greke, pasi nuk e kishte për herë të parë që merrej me ta dhe nuk e kishte për herë të parë detyrimin e paraqitjes.
Sigurisht që përpjekja e familjes së tij nuk është ndalur, e sidomos përpjekja e babait të tij malësor, Nikollë Marnikollaj ka qenë titanike, gati në kufijtë e të pabesueshmes.
Vetë ai ka qenë pjesë e një proteste anti-raciste që është zhvilluar në Athinë në 2016, po ashtu ka organizuar në muajin shtator 2016 një protestë tek Ambasada Greke në Tiranë, më vonë së bashku me aktivistë të shoqërisë civile ka organizuar një protestë në qytetin e Korçës, aty ku po takoheshin dy ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Bushati-Kotzias.
Me datë 20 janar 2018 është kërkuar informacion nga dy ministrat e Drejtësisë për hetimin e ngjarjes. Po ashtu është kërkuar drejtësi për të gjithë shqiptarët që janë vrarë atje. A mos është herezi apo shumë një proces i rregullt gjyqësor?
Sepse djemtë nuk do të kthehen më, por të paktën gjakatarët që u morën jetën, të marrin dënimin e merituar. Kjo do të nderonte edhe shtetin grek, i cili në sytë e të huajve është kthyer në një varrezë masive për emigrantët.
Në datën 3 mars 2018 është organizuar edhe një protestë tjetër në qytetin e Lezhës, por deri më tani nuk është marrë asnjë përgjigje dhe mesa duket kjo çështje nuk është hedhur fare në tryezën e bisedimeve intensive që po zhvillohen midis shtetit shqiptar dhe shtetit grek.
Dy ministrat kanë një shans të artë, meqenëse marrëveshja nuk është konkluduar. Bushati duhet të kthejë dinjitetin e familjeve shqiptare që kanë humbur djemtë e tyre dhe ende nuk është bërë drejtësi.
Duke pasur parasysh që ende teksti i marrëveshjes nuk është përfunduar, familja lezhjane Marnikollaj, rri me sy e veshë nga Korfuzi, atje ku po zhvillohet faza finale e bisedimeve, pas Kretës dhe Korçës.
Së shpejti, do të dalë dhe një dokumentar investigativ, i cili vërteton në mënyrë të qartë se i riu lezhjan, Pëllumb Marnikollaj, nuk u vetëvra, por u vra nga efektivë të policisë greke, në mesditën e datës 3 gusht 2016, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë “Ano Patissia” në Athinë.
Ekspertiza ligjore greke është shprehur vetëm më një fjali dhe konfirmon variantin e policisë, por ekspertiza dhe mjekët ligjorë shqiptarë thonë diametralisht të kundërtën, nga ku thonë se Marnikollaj u godit me mjete jo të mprehta, ka plagë në organet gjenitale, dy të çara pas koke, djegie nga cigare, djegie dhe plagë në shpatull.
E vërteta është një, kurse versionet dhe gënjeshtrat janë shumë. Duket se për të fshehur krimin, policët gjakatarë që i kanë marrë jetën Pëllumb Marnikollajt, kanë lënë gjurmë të rënda, që të çojnë tek ideja se ky rast është një vrasje e pastër, që është gatuar në zyrat e policisë, aty ku duhej të ishte vendi më i sigurt për jetën e njeriut.
E pra, ky është një rast i mirë që Greqia të tregojë se është shtet demokratik dhe që i respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtën e jetës. Në tokën e lashtë që shpiku demokracinë, duhet të bëhet drejtësi edhe kur njerëzit që vriten nuk janë qytetarë grekë. /Shekulli