Ka nisur Panairi i Librit në Tiranë. Një nga librat më të kërkuar dhe më të debatuar pritet të jetë ‘Provocateur’ nga Mustafa Nano. Në këtë libër, Nano rrëfehet me një stil interesant në një autointervistë. Mes të tjerave, ai flet për Edi Ramën. Pjesë të këtij libri, publikuar nga Mapo, janë bërë virale në rrjet.
Stigma e “malokut” ekziston ende, megjithatë.
Nuk do me thënë asgjë. Kjo stigmë do të ekzistojë edhe për shumë kohë, ndoshta për gjithë kohën, siç ekziston stigma e toskëve rrumaducë. Stigmat kanë jetë të gjatë.
Madje, edhe gegët kanë filluar ta marrin në mënyrë sportive e autoironike këtë stigmë. Dhe kështu duhet marrë. Gjatë gushtit, në Himarë, teksa bëja pushimet, djali që shërbente te çadrat buzë detit ishte një student kuksian. Dhe në momentin e prezantimit, pasi më tha emrin, shtoi: “Jam malok”. Qeshi. Qeshëm të dy. “Edhe unë”, i thashë, dhe pata parasysh Skraparin tim, që është zona më malore e Shqipërisë. Dhe më e izoluar prej botës.
Por termi “malok” lidhet me veriorët, sidoqoftë. E keni idenë se si ka lindur?
Nuk lidhet me të gjithë veriorët. Madje, mua më del që janë shkodranët ata që e kanë shpikur, në kapërcyell të shekujve XIX – XX, ndoshta edhe më herët, për ta ndarë veten prej pjesës tjetër të veriut, prej myslimanëve fanatikë apo prej hinterlandit katolik të veriut, që mbaheshin ato kohë si zonat më të prapambetura të Shqipërisë. E kam hasur këtë fjalë, malok, edhe te Milan Shuflaj, por në këtë rast jo në kuptimin për të cilën po flasim. Albanologu kroat ishte i mendimit se “malok ishte një emër i përbashkët që shqiptarët kishin zgjedhur për të thirrur njëri-tjetrin” në fund të mesjetës.
Mit’hat Frashëri e përdor gjithashtu këtë term në librin e tij “Çë na mungon, çë duhet të kemi?” E përdor dy herë, por afërmendsh, jo me ndonjë dispozicion antigegë. E përdor në vend të fjalës “malësor”. Herën e parë, teksa flet “për popullin që s’ka bukë të hajë, apo që ka të hajë veç bukë misri me shëllirë”, kujtohet edhe “për malokun që s’ka veshur kurrë të linjta, që s’ka vënë trupin në një shtrat të butë e të ngrohtë”. Dhe vijon: “Trualli e trungu e mësojnë që të gjallë me vdekjen, i dëftejnë ç’do të jetë varri nesër”. Të nxjerra nga konteksti këto fraza ngjajnë fyese, por në të vërtetë janë thjesht përshkruese të gjendjes së malësorëve. Herën e dytë thotë se “në Shqipëri nuk ka harbutë; shqiptari është fisnik, makar bujk, makar malok, makar shërbëtor qoftë”.
Një ndër të parët që e ka përdorur këtë term me ngarkesë përbuzëse është Gjergj Fishta. Te Lahuta e Malcis, në këngën e dhjetë kushtuar Mehmet Ali Pashës, ky i fundit, në një bisedë me Haxhi Zekën e Co., të cilët nuk pajtoheshin me vendimin e Turqisë për ta trajtuar Shqipërinë si një shportë fiqsh, e për t’ia falë ca “fiq” (Hot e Grudë, Plavë e Guci), si bakshish, Malit të Zi, u kthehet “arnautëve të çmendun / dalun dinit e imanit”, dhe u thotë se sulltani nuk mund të bëhet ortak me “malokë cuba shqiptarë”.
Lazër Shantoja, një shkodran tjetër, duhet ta ketë përdorur pas Fishtës dhe me të njëjtën ngarkesë fyese. Në një poemth dramatik të tijin, Shantoja zgjodhi për personazhe njerëz të shquar të historisë së Shqipërisë, të cilët nuk ishin më në këtë botë. Dhe ai i vuri të takohen me sho-shoqin në botën tjetër, i llogariti të përditësuar mbi atë që po ndodhte mbi tokë, në vendin e tyre, dhe i gjithë poemthi është një bisedë fantazmagorike mes Ismail Qemalit, Bajram Currit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, të cilët besohej (nga autori i poemthit, e nga vetë të vdekurit gjatë fabulës së vjershës) se ishin viktima të Ahmet Zogollit, e në momentin që Shantoja e vë Gurakuqin t’i thotë Ismail Qemalit, se “mua e Nolit na e hodhi Ahmet Zogu i Matit”, përgjigjja e plakut të Vlorës ishte e trajtës pyetëse: “Maloku?” Lihet të kuptohet se babai i pavarësisë e kish përdorur sa qe gjallë atë fjalë.
Por kjo nuk dihet të ketë ndodhur. Nuk ka asnjë provë për këtë. Në një poezi tjetër, me titullin Ritirata kombëtare, Shantoja nuk e ka parë të udhës që këtë term ta vërë në gojë të ndokujt tjetër. E përdor vetë atë. Poezinë e fillon me vargun: “Asht një malok nga Mati …”. Në një shkrim për gazetën Liria kombëtare, në vitin 1926, ai e përcakton njeriun që e ka bërë zap Shqipërinë, si “Ahmet Maloku”. E ka shkruar Maloku me “M” të madhe, e kush e di se ç’ka pasur në mendje me këtë gjetje.
Duhet të kenë qenë po katolikët e Shkodrës që ia kanë ngjitur Ahmetit nofkën “Maloku”. Dhe kjo nofkë i mbeti. U përdor edhe nga të tjerë. Eqrem bej Vlora tregon në autobiografinë e tij mbi një darkë në shtëpinë e princ Wied-it, në Durrës. Ishte dhe Ismail Qemali, dhe ish herë e parë që plaku i Vlorës bujtte në pallatin e princit. Tok me të ishin Esat pashë Toptani e kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda. Në një moment të bisedës, ky i fundit drejtohet nga princi i ri i shqiptarëve dhe i thotë: “Kështu pra, Lartësi! Nëse doni vërtet të qeverisni në Shqipëri, masa e parë që duhet të merrni, është të mënjanoni Ismail Beun dhe Esat Pashën.
Me këtë rast, mos më harroni as mua. Ndryshe, as t’mos ju shkojë në mend se mund të bashkoni Shqipërinë dhe ta qeverisni atë”. Esat Pashës nuk dihet pse i dogji në mënyrë të veçantë kjo ndërhyrje dhe murmuriti nëpër dhëmbë një frazë që e dëgjuan të gjithë ata që dinin shqip: “E ç’shaka tjetër mund të presësh nga një malok i pagdhendur?” Vetë Eqremi mendonte se kapedani i Mirditës veç malok nuk ishte. Aq më pak i pagdhendur.
“Maloku gjenial”, e quante Konica beun e Burgajetit. Për Zogun “malok” flet dhe publicisti Kostë Çekrezi në kujtimet e veta, por nuk është ky që e shtie në punë termin fyes. Ishin anëtarët e parisë antizogiste të Shqipërisë (kështu i quan) që kanë pasur një takim me autoritetet italiane në vitin 1938 dhe, përpara takimit, mes vedi janë shprehur se më mirë të jetë mbret il duka d’Aosta, një italian, kushëri i Viktor Emanuelit III, sesa “maloku i Matit”.
Unë nuk kam ndonjë qejf të madh t’ia asocioj këtë term Sali Berishës. Jo për ndonjë gjë, por kështu më lidhet kotmëkot edhe me Ahmet Zogun, për të cilin mendoj se është më pozitivi ndër njerëzit e rëndësishëm politikë në historinë shtetërore shqiptare. Një krahasim i tillë do ia hiqte kuptimin vlerësimit që unë kam për “malokun gjenial”. Berisha është gjëja më shpellare që ka prodhuar politika shqiptare. Dhe kur them këtë, më vjen në mendje si një shoqërim ilustrativ edhe një ngjarje tjetër që ka të bëjë me të. Andej nga viti 2000, në parlament, ai iu drejtua në një rast Skënder Gjinushit: “Ty nuk të vjen turp, Skënder! Ti ishte në Tropojë në një restorant, dhe aty hynë Kërnajat, ishin të armatosur dhe të dhanë urdhër të dalësh nga restoranti me gjithë larot që të shoqëronin. Dhe ti dole me bisht ndër shalë. Dole e nuk të erdhi turp”. Ec e mos u shastis, po deshe, me këtë logjikë që i përgjigjet një bote kokëposhtë! Gjinushi, me metrin e Berishës, që është edhe metri i Kanunit, ishte çnderuar në atë rrethanë, sepse “ndera e marrun nuk shpërblehet me gja, por a me të derdhun të gjakut …”, dhe sepse “Aj, të cilit i merret ndera, quhet i dekun kah Kanuja”. Dhe si kanunor që është, Berisha nuk arrinte dot të bënte me turp ata që hynë në një restorant me armë dhe u sollën si mujsharë me një klient të atyshëm, që në këtë rast ishte një politikan, por bënte këtë të fundit.
Berisha vetë nuk do ta donte më jetën po t’ia bënin atë që i bënë Gjinushit. Dhe ia kanë bërë në një rast, sidoqoftë. Ia kanë bërë në një tubim elektoral në Tropojë. Është një ngjarje e stërkomentuar kjo. Ai ishte duke folur në tribunë dhe poshtë, mes njerëzve, ishte Shkëlqim Haklaj që po i hidhte fjalë dhe po e sfidonte. Po e bënte këtë në bastionin e tij, në qytetin e Bajram Currit. Në terma kanunorë, Berishës po i merrnin erzin. Dhe reagimi i tij ka mbetur në film tanimë. Ai harroi se ku ishte, harroi se ç’po thoshte dhe e vetmja gjë që i dilte prej gojës ishte: “Ma kapni atë. Dua të ma kapni. Dua ta marr me vete në Tiranë. E dua gjallë a vdekur”. Nuk e mori dot me vete në Tiranë. Gjashtë muaj më pas, Shkëlqim Haklaj vritet. Përkim fatal, apo jo? Që ta bën të pakuptimtë çdo bisedë mbi demokracinë në Shqipëri.
Me këto histori më sollët në mendje Azem Hajdarin, i cili u vra disa muaj përpara Shkëlqim Haklajt, dhe me gjasë prej këtij të fundit.
Kështu thuhet.