Studentët kanë ndryshuar mënyrën e të protestuarit. Sot ata nuk janë mbledhur si çdo ditë për të shkuar para Kryeministrisë, por e kanë zhvendosur protestën në fakultete, ku kanë bojkotuar mësimin.
Dhjetëra studentë janë mbledhur në fakultete për të penguar zhvillimin e mësimit për studentët që kanë shkuar në fakultete me këtë qëllim.
Kështu, studentët janë hedhur në ‘aksion’, teksa kanë bllokuar korridoret me karrige e tavolina duke krijuar kaos. Ndërkohë, në fakultete të tjera, studentët qëndrojnë në hyrje, ku u thonë studentëve të kthehen pasi nuk do të zhvillohet mësim.
Edhe pedagogët janë shprehur se nuk mund ta hapin leksionin apo seminarin me dy a tre studentë.
Përveç Fakultetit Ekonomik dhe Shkencave Sociale, në disa universitete të tjera angazhimi i strukturave drejtuese ka mundur të kthejë në auditore një pjesë studentësh.