Nga Malcom W.Browne, “New York Times”/Beograd, Jugosllavi, 27 korrik 1977-Një mosbesim tradicional ndaj shteteve të huaja, së bashku me një ideologji zyrtare, që komunistët e tjerë e shohin të jetë në kufijtë e fanatizmit, duket se po e largon Shqipërinë nga mikja e saj e vetme, Kina.
Nëse përplasja paraqitet aq serioze sa pretendojnë zyrtarët jugosllavë, Enver Hoxha, udhëheqësi i Shqipërisë, do të ballafaqohet me një vendim serioz. Ose Shqipëria do të duhet të hapë më shumë dyer për të tregtuar me vendet e tjera, duke minuar kështu sundimin e tij absolut, ose vendi do të përballet me varfërinë dhe mjerimin.
Ditët e fundit ka pasur zëra, shumica e të cilave me sa duket e kanë origjinën nga Ministria e Jashtme Jugosllave, se Shqipëria i ka thënë Pekinit se këshilltarët e saj nuk do të jenë më të nevojshëm, pasi të skadojë afati i kontratave aktuale.
Jugosllavia dhe Shqipëria, kanë pasur marrëdhënie armiqësore, dhe raportet duhet të trajtohen në këtë kuadër. Kinezët dhe shqiptarët i kanë mohuar raporte të tilla. Sidoqoftë, fjalimet dhe deklaratat zyrtare nga Tirana dhe Pekini, kanë lënë të kuptohet një ftohtësi në marrëdhëniet mes tyre që nga tetori i kaluar, kur Hua Kuo-feng, udhëheqësi i moderuar zëvendësoi Mao Ce Dunin si sundimtari i ri i Kinës.
Qeverisje nën modelin e Stalinit
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha, tani 68-vjeç, e ka modeluar sundimin e tij sipas atij të Stalinit dhe më pas atë të Maos. Hoxha ka hedhur poshtë atë që ai e quajti revizionizmin e Nikita Hrushovit në Bashkimin Sovjetik, presidentit Tito në Jugosllavi dhe tani të udhëheqësve të rinj komunistë në Kinë.
Konsideratat ideologjike nga Hoxha, nuk kanë qenë të kufizuara vetëm tek marrëdhëniet e jashtme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai i nënshtroi komunistët rivalë, dhe e ka spastruar periodikisht Partinë e Punës, shpesh përmes ekzekutimit të kundërshtarëve të tij.
Ashpërsia e spastrimeve të tilla, ka bërë që shumë analistë të huaj, të kuptojnë se zoti Hoxha përballet me kundërshtime serioze. Suksesi i politikës së tij ndaj Kinës, mund të përcaktojë qëndrimin e tij në detyrë, thonë ata. Ndër politikat që mund të kenë nxitur veçanërisht opozitën, është grindja me Bashkimin Sovjetik dhe ksenofobia ndaj kombeve evropiane.
Në mënyrë periodike, Hoxha i përkujton vendit se as kufiri tokësor malor dhe as Deti Adriatik, nuk i kanë mbrojtur në mënyrën e duhur në të kaluarën kundër pushtuesve.
Dhe fakti që Shqipëria ka mbijetuar, ky është aksident historik, dhe një testament i fortësisë së kulturës së Shqipërisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, nën komandën e diktatorit Hoxha, Shqipëria u bë një “provincë virtuale” e Jugosllavisë, duke pasur një shërbim doganor dhe monedhë të përbashkët me Beogradin. Kur Presidenti Tito dhe Stalini u prishën me njëri-tjetrin, Hoxha e cilësoi Stalinin si mbrojtës të Shqipërisë.
Bashkimi Sovjetik u zotua të industrializojë Shqipërinë, të paguajë një pjesë të borxhit të saj të jashtëm, dhe të ndërtojë një bazë detare në Vlorë. Por në vitin 1961, Shqipëria u prish me Moskën, dhe ktheu kokën nga Pekini.
Një pjesë e izolimit të Shqipërisë, me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh, bazohet në frikën e fqinjëve të saj. Rreth një milionë shqiptarë banojnë në rajonin e Kosovës në Jugosllavi. Beogradi shqetësohet herë pas here, se Shqipëria mund të synojë të krijojë një shtet të madh shqiptar, duke aneksuar Kosovën.
Por, përveç konsideratave të politikës së jashtme dhe përshtatshmërisë së brendshme politike, Hoxha dhe kryeministri i tij, Mehmet Shehu, duken të nxitur nga ideologjia e tyre.
Për shembull sipas ligjit shqiptar, praktikimi i fesë është formalisht i paligjshëm, dhe Shqipëria e konsideron veten “si vendi i parë tërësisht ateist në botë”. Asnjë vend tjetër komunist nuk ka shkuar aq larg.
Pas shekujve të dominimit turk, Shqipëria ishte një komb me shumicë myslimane, me mijëra xhami anembanë vendin. Shumica e shqiptarëve kanë prirje të kenë emra myslimanë. Hoxha me sa duket mendoi, që edhe ky kujtim i Islamit duhet të çrrënjosej.
Sipas Ligjit Nr. 5339, i miratuar në vitin 1975, Shqipëria u urdhërua të ndryshonte ndonjë emër të caktuar, të cilësuar si “të papërshtatshëm për arsye politike, ideologjike dhe morale”, dhe çdo mbiemër që konsiderohej “i pandershëm”.
Ata që nuk respektojnë emrat e tyre, do të ndryshohen me forcë nga agjencitë shtetërore. Efektiviteti i ligjit nuk është raportuar.
Kryeministri Shehu, me sa duket e ka ndryshuar emrin e tij Mehmet, pavarësisht ndalimit të fesë. Në një kongres të partisë nëntorin e kaluar, Hoxha përsëriti refuzimin e tij për të pranuar ndihma si nga Perëndimi ashtu edhe nga blloku sovjetik, dhe duke iu referuar kombeve të paangazhuara, ai denoncoi “vetë-menaxhimin Titist, si një armë të doktrinës borgjeze”.
Kushtetuta e vitit 1976, tha ai, u projektua për të “bllokuar rrugën drejt revizionizmit”, dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga “përvoja negative e disa vendeve, të cilat shpërfillën parimin e diktaturës së proletariatit duke rrëshqitur në revizionizëm, arma më e rrezikshme e kundër-revolucionit”.
Ndërkohë, rreth 50 për qind e tregtisë së jashtme të Shqipërisë zhvillohet me Kinën, shumica e pjesës tjetër me Evropën Lindore. Shqipëria nuk kryen asnjë lloj tregtie me Bashkimin Sovjetik, dhe nuk ka as lidhje formale me Shtetet e Bashkuara. Prapambetja e vendit, tradhtohet edhe nga deklaratat që jep vetë Tirana.
Për shembull, një numër i kohëve të fundit i revistës “Shqipëria së Re”, e përshkruan kështu përparimin e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësve: “Në prag të çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944, në fshatrat e Shqipërisë thuajse nuk kishte asnjë ujësjellës. Deri më tani, 2.260 fshatra kanë ujësjellësit e tyre. Nuk është e largët dita, kur edhe 348 fshatrat e mbetur do të furnizohen me ujë të pijshëm”.
Për shkak se 80 për qind e territorit të Shqipërisë është malor, vendi është shumë i ndërvarur nga ushqimet e importuara, dhe një ndërprerje e marrëdhënieve me Kinën mund të shkaktojë probleme të mëdha.
“Çështja është”- tha një diplomat perëndimor që herë pas here viziton Tiranën, “se për sa kohë Shqipëria do të jetë e gatshme të jetojë me pastërtinë ideologjike dhe mjerimin spartan.
As ata pak turistë perëndimorë që vijnë në Tiranë – askush prej tyre nuk është amerikan – as ne diplomatët nuk lejohemi të shohim apo dëgjojmë gjë. Por unë mund të hamendësoj se në Shqipëri ka njerëz që do ta mirëprisnin ndryshimin”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce