Presidenti grek Prokopis Pavlopulos ka akuzuar Tiranën dhe Prishtinën se po sillen si “aventurierë ndërkombëtar”, ndërsa shtoi se “Shqipëria dëmton vetë procesin e anëtarësimit në BE”.
Këto deklarata të forta, Pavlopulos i bëri sot në Korfuz, ku u inaugurua muzeu i Joanis Kapodistrias, guvernatori i parë i Greqisë pas çlirimit nga zgjedha osmane.
Sipas tij, Kapodistrias ka dy karakteristika: vizionin dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare.
“Kjo na frymëzon ne grekët, por duhet të frymëzojë edhe ata që aspirojnë të futen në BE”, tha presidenti grek, duke iu referuar Shqipërisë dhe Kosovës.
“Këtë e them kryesisht për Shqipërinë fqinje, vendin me të cilin duam gjithmonë të kemi marrëdhënie të mira dhe që e mbështesim në procesin e anëtarësimit”, tha presidenti grek.
“Sjellje të aventurizmit ndërkombëtar si ato që po shohim tashmë së fundi ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë sjellje të një shkeljeje brutale të të drejtave të njeriut dhe kjo po ndodh me minoritetet apo me të drejtën e pronës. Faktikisht për fat të keq, Shqipëria dëmton vetë procesin e anëtarësimit dhe kjo nuk është përgjegjësia jonë”, shtoi Pavlopulos duke shtuar se Greqia nuk do të rrijë duarkryq ndaj sjelljeve të tilla, duke e quajtur një obligim ndaj Greqisë, por edhe kundrejt Europës.