Gentian Selmani është njeriu i momentit tek Shqipëria U21, pasi evitoi humbjen me një gol në minutën e 93’ përballë Bjellorusisë. Portieri i Laçit shënoi golin e barazimit në këtë sfidë, pasi kuqezinjtë e Alban Bushit nuk po arrinin të shënonin pavarësisht rasteve të shumta që krijuan para portës.
Në një intervistë për “RTSH Sport”, Selmani ka rrëfyer emocionet e shënimit të një goli me fanellën e Kombëtares, ndërkohë që ka folur edhe për të ardhmen e tij. “Goli? Ishte një moment shumë i mirë të cilin edhe sot nuk e besoj as vetë. Ishte momenti i kornes ku po humbnim dhe Bushi më tha të dilja para. Kisha shumë besim se do shënoja dhe topi më erdhi dhe shënova.
Festa? Ibrahimoviç më ka pëlqyer gjithmonë dhe me festimin që bëra dje, besoj se isha si ai. Kam menduar shpesh që mund të shënoj duke parë edhe portierët e tjerë që kanë shënuar në minutat e fundit. E kam ëndërruar gjithmonë dhe isha gati për ta shënuar atë gol.
E ardhmja? Nuk i kam provuar asnjëherë Kupat e Europës dhe është një emocion i madh. Deri dje kam qenë i përqendruar te ndeshjet dhe në ditët në vazhdim do diskutoj me drejtuesit por nuk e kam me nxitim. Ndoshta qëndroj, ndoshta largohem por punët e mira bëhen avash-avash.
Kombëtarja? Kur vesh atë fanellë mundohem të jap më të mirën pasi po të sheh e gjithë Shqipëria dhe duhet të bësh krenar familjen tënde”, u shpreh Selmani.