Policia e portit të Durrësit ka sekuestruar mbi 1.5 milionë euro brenda një makine tip “Toyota Yaris” në mesditën e kësaj të diele. Paratë cash janë gjetur në valixhe të futura në pjesët e gomës, por edhe në pjesë të tjera të makinës.
Fillimisht janë gjetur 500 mijë euro dhe më pas pjesa tjetër. Policia thotë se është duke e numëruar shumën. Po kryhet edhe ekspertiza nëse paratë janë të falsifikuara. Makina kishte ardhur nga porti i Anconës në portin e Durrësit dhe nuk kishte targa.
Automjeti ishte porositur online në Belgjikë dhe nuk dihet ende destinacioni i tij dhe porositësi.
Kontrolli i policisë së Durrësit është bërë pas informacioneve nga Interpol Roma. Kartëmonedhat janë me prerje 20-she, 50-she dhe 100-she Euro.
Sipas burimeve nga porti, dyshohet që të jenë para të siguruara nga aktivitete kriminale. Policia ka nisur hetimet për zbulimin e burimit të parave dhe destinacionin e tyre por në rrugë zyrtare nuk ka ende asnjë njoftim apo deklaratë nga Policia e Shtetit.