Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka nisur edhe një hetim të ri për shpërdorim të detyrës zyrtare nga ish zyrtarët e mëparshëm. Për pastrim parash dhe dëmtim të buxhetit të shtetit prej 5 milionë euro, po hetohen ish kryeministri Lubco Georgievski. Gjithashti, së bashku me 9 ish zyrtarë të tjerë ku bënë pjesë edhe ish kryeministri Gruevski. Ai në atë kohë ishte ministër i financave. Bëhet fjalë për vitin 2001 kur të dyshuarit janë përfshirë në privatizimin e Bankës Postare.
Ish kryeministri Georgievski ka hedhur poshtë pretendimet e Speciales. Ai ka theksuar se nuk njeh asnjë nga të dyshuarit e tjerë dhe se pretendimet bazohen në një bisedë telefonike. Por njëri nga pjesëmarrësit në këtë bisedë ka ndryshuar të paktën tre herë deklaratën në Prokurori. Georgievski mund të mos paditet pasi vepra konsiderohet si e vjetruar.
Politikanët ironizojnë hetimet
Ndërkohë, ish kryeministri tjetër, Nikolla Gruevski ka ironizuar hetimin e ri duke thënë se “nëse nuk e përmend emrin tim, Prokuroria Speciale nuk e sheh si mjaft tërheqëse lëndën që e punon”.
Partia VMRO-DPMNE, lider i së cilës në vitin 2001 ishte Ljubço Georgievski dhe Nikolla Gruevski ministër i Financave, hetimin e prokurorisë e quajti “përndjekje politike”. Sipas opozitës, qeveria përmes prokurorisë speciale merret me rastet e para 15 vjetëve, ndërsa hesht para dyshimet për krime të qeverisë aktuale.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka dorëzuar në prokurori fakte me të cilat siç tha “dëshmohet pafajësia e tij”.
Osmani po hetohet për keqpërdorim në rastin e një tenderi për investimet në spitalet e vendit. Sipas Prokurorisë të akuzuarit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro.