Nga Baton Haxhiu/ Reagimet paradoksale brendashqiptare ndaj mënyrës së veshjes së kryeministrit Edi Rama salloneve e konferencave ndërkombëtare ma sollën ndërmend sjelljen e zakonshme dhe formale të njerëzve. Ndjehen komodë edhe kur nuk arrijnë ta kuptojnë përmbajtjen, thelbin e diçkaje të diskuteshme, por nuk kanë tempo e nerva për ta shpjeguar atë, prandaj strehohen në kasollën sa më të thjeshtë të mentalitetit të tyre.
Domethënë, shpërfillin “synimin e demonstrimit estetik” të Edi Ramës dhe futen në ato që i shohin pa u djersitur – në Adidaset e Ramës!
Mirë, ato i pa e gjithë bota; të bardha, tringjyrëshe – dhe pastaj?
Shija e vendosur në veshje dhe fjalime manifeston esencën e asaj çfarë një subjekt dëshiron t’i transmetojë botës. Në rastin e Ramës: të ecë si burokrat i rëndomtë, duke respektuar rregullat e mërzitshme konvencionale të unifromës pushtetare, apo të vishet ashtu si ndjehet komod, si njeri i lirë, njëkohësisht me qëllimin për t’i bërë të fala botës: se as mënyra si qeverisin njerëzit nuk është statike, nëse po – duhet të ndryshojë. Dhe mesazhi i Ramës ka këtë kuptim: Në vendin tim, po, duhet të ndryshojë!
Gjersa mediat e huaja sjelljen e Ramës e konsideruan normale, ose nga simptoma eurocentrike e tipit: “Ja, tash ballkanasi na tregon se si duhet të vishemi”, ose duke luajtur indiferentin në stilin: “E dimë që Rama është artist”, mediat shqiptare përkundrazi u hutuan, u përdhosën, u çmendën, sikur ta kishin parë Isa Boletinin pa revole në brez, e Ismail Qemalin pa fes në shesh.
Pse?
Ky është rast i veçantë, ky i “kërcënuesve” të Kryeministrit shqiptar për shkak të veshjes, ngase tregon paradoksin më të madh në optikat estetike të opinionit dhe mediave shqiptare.
Pra, ka një paradoks esencial në gjuhën e mediave dhe politikës në “Rastin Rama”.
Zakonisht, mediat marrin gjithmonë pozitën avangarde.
Në këtë rast, sikur ai të kritikohej nga kolegët e tij se shkeli rregullat e sjelljes burokratike, mediat si zakonisht do çoheshin zëshëm e protestueshëm.
A është Rama është vetë pjesë e atij establishmenti? Nuk besoj.
Gazetarët, që me fjalitë e tyre duhet të ishin avangardë dhe përkrahës, pra, asistencë pro një forme të re të refuzimit estetik të veshjes burokratike, të përfaqësuar nga një lider politik – e bëjnë veprimin e kundërt: mbrojnë hapur konvencionet e mërzitshme burokratike të veshjes. Kjo ndodhi pas dy paraqitjeve publike të Edi Ramës – së pari në Bruksel dhe pastaj në Triestë.
Ose mund të spekulojmë edhe kështu: reagimi kaq i egër, pra fyerja brendashqiptare, respektivisht e Kryeministrit si reprezentues të shoqërisë politike, kulturore, vjen edhe nga mosbesimi i thellë i shqiptarit që beson të jetë i padenjë për thyerje konditash “universale” sadoqofshin ato refraktare. Siç mund të besojnë edhe mediat eurocentrike, të cilave nuk iu duket e dinjitetshme t’u tregojë modë një kryeministër ballkanik.
Të kthehemi pak në kohë.
Shumë njerëz e kujtojnë çastin kur Edi Rama e bëri fjalimin politik në Kongresin e Partisë Socialiste. Atëherë e humbi betejën për t’u bërë lider i Partisë Socialiste. Doli i vetëm nga salla e Kongresit. Në sjelljen e tij ndjehej sa respekt, po aq butësi. Gjithsesi mbeti i habitur pse një fjalim i përkushtuar e la me zemër gur gjithë Partinë Socialiste. Te gjitha që ishin thenë atëherë në një mënyrë po ndodhin sot. Por, s’mjaftonte vetëm dëshira e tij, duhej diçka më shumë. Duhej Koha dhe Kuptimi për Kohën që jetonim, dhe duhej fort edhe dëshira e Partisë Socialiste për ndryshim. Që fatkeqësisht nuk ndodhi. Atëbotë PS aplaudoi një fjalim për zogun e vetmuar.
Eshtë periudhë e gjatë për ta kujtuar kohën e humbur.
Por, të kthehemi sërish tek veshja.
Si shihet Edi Rama dhe veshja e tij dhe çfarë përfaqëson ajo?
E kanë komentuar shumë media dhe shumë gazetarë. Por, shumë pak nga bota shqiptare e kanë perceptuar refuzimin estetik të burokracisë dhe distancës higjenike që ka ndërtuar Edi Rama me sojin e elitës pushtetore klasike e tradicionale.
Ai jo vetëm me semantikën e veprimit, por edhe si frymë kështu e ka nisur karrierën e tij – atë të refuzimit të mënyrës se si sundohen e janë sunduar njerëzit historikisht e sot nga pushtetet.
Ai ka qenë dhe është alfa e një qeverisjeje participimi sa më total të demosit në bashkëveprim me shtetin.
Brenda në Shqipëri vepron.
Jashtë – aq mundet.
Kaq mundet.
E bëri edhe përmes veshjes për të demonstruar se refuzon parimisht arrogancën dhe fuqinë e burokracisë me kollare.
Çka realisht përfaqësojnë veshjet pa kollare dhe Adidas’et?
Dominantja e sotme, e vetmja gjë që e bën dallimin kudo, ndjenja që i bën presidentët dhe rregullat e angazhimit, është ndjenja e anti-establishmentit, e mosqenies patericë e ndonjë mode, mendësie, por qenie autonome që vetë bën veten edhe aty ku të ndëshkojnë mentalitetet dhe moralet e mbetura jo kronikë por vetë gur.
Kundër rregullave të Pushtetit Politik si fatebartësi jo vetëm i demosëve, por edhe i natyrave të veshjes, perceptimeve të koduara estetike që ndryshojnë gjithandej se duhet, por që në politikë, ja, nuk u dashka.
Trump dhe Macron janë midis atyre politikanëve që kanë përfituar nga të qenit të zgjuar me zhgënjimin në elitat politike dhe rregullat e tyre.
Por, nuk është e lehtë nëse jeni pjesë e institucionit për të luajtur me ndjenjën e tjerëve dhe me rregullat e mësuara për një shekull. Dhe të mendosh ta bësh këtë duke e gjetur mënyrën të mos dështosh.
Njeriu në pushtet, i cili me mençuri gjeti mënyrën për ta ekspozuar veten e papranguar nga kodet e zymta burokratike, pa rrezikuar sistemin e tij, është – Edi Rama, kryeministri shqiptar.
Ai e bëri atë me stylingun e tij unik dhe të mençur, duke treguar me pantollona cool dhe t-shirt në mesin e politikanëve të tjerë me veshje të mbyllura në kostume uniforme, duke rrezikuar të përfundojë si i papeshë. Por nuk përfundoi ashtu ngase përplasi mentalitetin statik sidomos brenda – ndryshe do mungonte përdhosja. Që duhej të ishte në fakt: triumfaliste.
Stili i tij i guximshëm në mënyrë të pagabueshme kap vëmendjen e mediave.
Mund të ketë hatërmbetje burokratike nga nikoqiri.
Por, veshja e tij është shumë më tepër sesa thjesht shprehje e kreativitetit.
Veshja e tij është goditje e pozitës së pushtetit dhe ikjes nga ideja e të qenit një në mesin e të barabartëve. Është mënyra delikate e komunikimit të mesazheve në vatrat e njerëzve që janë plot me pakënaqësi ndaj elitës globale dhe rregullave të lojës, që i bën ata viktima të globalizimit dhe institucioneve politike.
Ata politikanë, që Rama i refuzoi me veshjen e tij, u kombinuan me kostum formal në Bruksel dhe në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Trieste. Rama komunikoi dhe informoi politikën në të dyja rastet se emocionet e popullsisë janë gjithnjë në rritje të atyre që duan diçka të re dhe Rama ndan mendësinë e tyre.
Pra, duke qëndruar “jashtë” me qasjen e tij kreative ndaj kodit të veshjes, kryeministri shqiptar po farkëton mesazhin e fuqishëm politik – ai prezanton ata që janë të etur për ndryshim, edhe nëse ai humb nga një qëndrim i tij dhe nuk do të jetë pjesë e paketës së ndarjes së pushtetit.
Dhe ky mesazh i fuqishëm nuk rezonon vetëm me elektoratin e tij shqiptar, por edhe me shumë në rajonin e Ballkanit ku zakonisht nuk gjenden gjëra të mira për fqinjët.
Në fakt, gjetje jo vetëm si kod veshjeje, por si mesazhi politik.
Për të gjithë ata bartës të fuqisë që dëshirojnë ta ndjekin Ramën si përcaktues trendesh: duhet të dinë se emocionet janë të transmetueshme dhe të fuqishme, por nuk mund t’i mashtroni ato nëse vetëm shëtisni me kostum dhe flisni me diskurs dhe intonacion të caktuar.
Edi Rama me t-shirt dhe Adidase u bë lajm global për një arsye thelbësore.
Ishte vetja.