Vëllai i kryeministrit, drejtor i përgjithshëm i Partizanit, ka folur për herë të parë për akuzat e opozitës. Emri i Olsi Ramës është lakuar shumë së fundmi, teksa po shenjestrohet nga opozita si “peshku i madh” që ka lidhje me kokainën rekord të kapur në Durrës, që erdhi nga Kolumbia e fshehur në kontejnerët me banane.
I ftuar në emisionin ‘Rubrika sportive’, Olsi Rama i ka cilësuar si ‘sajesa’ të gjitha akuzat e opozitës, ndërsa shtoi se nuk ka lidhje me kokainën dhe me çështje tenderash.
“Për sa i përket akuzave të fundit, që më lidhin mua me kokainën, janë sajesa, unë nuk kam lidhje. Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. As me punë tenderash, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, u shpreh Olsi Rama.
Ai foli edhe për marrëdhënien me vëllanë e tij, kryeministrin Edi Rama.
“Marrëdhëniet me Edin? Unë se pyes atë për punët e tij, ai s’më pyet mua për punët e mia, në aspektin profesional nuk i hyjmë njëri-tjetrit në punë”, tha ai.