Një ditë pasi u ekstradua nga Dubai në Shqipëri, Durim Bami i është drejtuar drejtorisë së Burgjeve me kërkesën që të mos mbahet në burgun “313” në Tiranë, por të transferohet në burgun e Fushë-Krujës. thuhet se Bamit i rrezikohet jeta në këtë burg.
Bami akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale të “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
“Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka filluar dhe po gjykohet çështja penale në ngarkim të grupeve të strukturuara kriminale siç janë grupi “Martinaj”, “Avdylaj”, “Bajraj” etj., ku të pandehur janë rreth 16 persona, të cilët së bashku sipas SPAK kërkonin eliminimin fizik të Bamit.
Në burgun ku ai mbahet aktualisht ndodhen persona, të cilët në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e tij, fakt i njohur botërisht edhe nga media dhe dokumentuar në procedimet penale përkatese”, thotë mbrojtja e tij, në argumentimin e kërkesës për ndryshim qelie.















