Për herë të parë pas 25 vjetësh po pastrohet plazhi i Gotullës në Adriatik.
Bashkia e Fushë-Krujës ka kontraktuar një firmë pastrimi, dhe prej tre ditësh ka nisur puna për sistemimin e këtij plazhi të harruar, por që është një nga perlat e bregdetit tonë.
Ndonëse deri në vitet ‘90, zona ishte krejtësisht e pastër dhe kishte një frekuentim mjaft të madh me pushues që vinin nga Tirana, Kruja, Laçi e më gjerë, pas kësaj periudhe u braktis totalisht.
Aktualisht frekuentues dhe pushues të përhershëm janë vetëm peshkatarët, ndërsa tek-tuk të zë syri ndonjë pushues të guximshëm e nostalgjik.
Plazhi i Gotullës shtrihet midis Kepit të Rodonit dhe plazhit të Patokut dhe ka një gjatësi rëre vijë bregdetare 3-4 km.
Kryesisht ndotja e këtij plazhi ka ardhur nga prurjet e lumit Ishëm, që derdhet në det, rreth 3.5 km në jug të Gotullës.
Përveç mbeturinave, edhe infrastruktura është një tjetër pengesë për të frekuentuar plazhin e Gotullës, një nga vendet me jodin më kurativ të bregdetit Adriatik.
Në stinën e kaluar të verës, aty gjeje vetëm lopë e kafshë të tjera, dhe ndonjë peshkatar.
Këtë sezon pritet që plazhi i Gotullës të jetë i gatshëm për pushuesit.